E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia i kërkon BE: Të liberalizohen vizat me Ballkanin sa më shpejt

Nga Tema

Italia ka paraqitur një plan prej tetë pikash që synon përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Plani është paraqitur në takimin e ministrave të Jashtëm BE-SHBA në Pragë nga ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini.

Në plan është kërkuar liberalizimi i vizave, përshpejtimi i hapave teknikë për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, si dhe një vëmendje më të madhe për Kosovën.

Më poshtë vijon plani i plotë i masave.

1. Regjim të lirë të vizave. Italia dëshiron që raporti nga Komisioni Evropian të jetë gati në fund të majit dhe të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur.

2. Italia kërkon që në fund të majit Komisioni Evropian të nisë përgatitjen e raportit teknik për aplikimin për anëtarësim nga Mali i Zi, që do të pasohet dhe nga Shqipëria dhe Serbia.

3. Qëllimi i Italisë është që të arrihet anëtarësimi i Kroacisë në BE në vitin 2010. Në lidhje me këtë, Italia mbështet planin e përgatitur nga Komisioni Evropian.

4. Italia bën thirrje për më shumë efektivitet nga ana e Bashkimit Evropian për aksionet e tij në Bosnjë dhe Hercegovinë.

5. Italia kërkon që të zgjidhet hyrja në fuqi e marrëveshjes interim mes BE dhe Serbisë përpara fundit të qershorit, ndërsa i kërkon Beogradit të bashkëpunojë plotësisht me Tribunalin e Hagës dhe të mirëpresë një vizitë në Beograd nga prokurori Brammertz.

6. Italia kërkon të zgjidhet sa më shpejt impasi i krijuar për emrin e Maqedonisë, në mënyrë që të nisin negociatat me BE dhe që të lejohet hyrja e saj në NATO.

7. Për Kosovën, Italia nënvizon rëndësinë e mbështetjes. “Brenda së bashku, jashtë së bashku” duhet të jetë principi kryesor për prezencën civile dhe ushtarake të komunitetit ndërkombëtar.

8. Italia bën thirrje për një Samit BE- Ballkani Perëndimor në gjysmën e parë të vitit 2010 duke uruar dhe për pjesëmarrjen në samit të Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›