E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjërohet tregtia në internet



Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për tregtinë elektronike, duke ligjëruar dhe liberalizuar tërësisht tregtinë nëpërmjet internetit. Projektligji në fjalë përcakton kushtet, detyrimet si dhe të drejtat për konsumatorët. Çdo kompani ka të drejtë të shesë apo blejë nëpërmjet internetit, por ajo duhet të plotësojë disa kritere të thjeshta si të mos mashtrojë, të ketë kontratë elektronike të panënshkruar me çdo konsumator etj. Objekti i këtij ligji është vendosja e rregullave për kryerjen e veprimeve tregtare në rrugë elektronike, nëpërmjet shërbimeve të ofruara nga shoqëria e informacionit, për mbrojtjen e personave pjesëmarrës, mbrojtjen ligjore të konfidencialitetit të konsumatorëve apo e të dhënave konfidenciale të pjesëmarrësve në të, si dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të shërbimeve të informacionit, duke përcaktuar përgjegjësitë e ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit. Informacioni duhet të jetë i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm se çmimi i ofruar prej tij është përfundimtar dhe se në të janë përfshirë tatimi e kostot e transportit apo të dërgimit të tij deri në destinacionin përfundimtar, të përfituesit apo të marrësit. Në çdo rast, ofruesi i shërbimit të shoqërisë së informacionit është i detyruar që, në informacionet që jep, veç parashikimeve të këtij ligji, të respektojë të drejtat e konsumatorëve.

Kushtet

Ofruesi i shërbimeve të shoqërisë së informacionit në komunikimet tregtare, që ai përdor dhe të cilat janë pjesë apo përbëjnë një shërbim të shoqërisë së informacionit, siguron se këto komunikime plotësojnë të paktën kushtet. Duhet të jenë qartësisht të identifikueshme nga të tretët si komunikime tregtare, të bëjnë të mundur identifikimin e qartë të personit, fizik ose juridik, në emër dhe për llogari të të cilit janë bërë këto komunikime tregtare. Në rastin e ofertave promocionale, që sjellin si pasojë uljen e çmimit, fitimin e ndonjë çmimi apo të dhuratave të lejuara, në vendin e regjistrimit a në vendin ku ka selinë e përhershme ose ku ushtron veprimtarinë ofruesi i shërbimit, duhet të ketë të identifikuar qartë të dhënat e mësipërme, si dhe duhet të paraqesë në mënyrë të qartë, lehtësisht të arritshme dhe pa dyshim, kushtet që duhen plotësuar për kualifikim.

Kontrata online

Ofruesi i shërbimit jep një fletë-përmbledhje të kushteve, të përgjithshme e të veçanta, që i aplikohen kontratës, si dhe njihet pa vonesë me marrjen e porosisë nga porositësi i shërbimit nëpërmjet mjeteve elektronike, përveç rasteve kur palët jokonsumatore bien dakord ndryshe. Kontrata elektronike quhet e lidhur kur ofruesi merr një mesazh elektronik që përmban deklarimin e marrjes së konfirmimit dhe pranimin e ofertës. Propozimi dhe pranimi i ofertës, të bëra nga palët në marrëdhënien juridike, që lind për shkak të tregtisë elektronike ndërmjet tyre, vlerësohen se janë marrë, kur palët, paraprakisht, t’i kenë provuar njëra-tjetrës se janë në gjendje t’i marrin ato në rrugë elektronike. Në këtë rast, parashikimet e Kodit Civil për pranimin apo refuzimin e ofertës, të parashikuara në kushtet e përgjithshme të kontratave, janë të zbatueshme edhe për këtë qëllim.

Informacioni i rremë, gjoba, 2 milionë lekë

Një ofrues i shërbimit të shoqërisë së informacionit dënohet me gjobë 200 mijë lekë të reja për rastet kur shkelet kontrata online, vepron kundër informacionit të dhënë, mosdhënie akses në pajisjet kompjuterike dhe të informacionit për personat e autorizuar etj. Kundër vendimit të dënimit me gjobë mund të bëhet ankim në gjykatë, brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së vendimit ose e njoftimit të tij. Mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, që rrjedhin nga hyrja në marrëdhënie me njëri-tjetrin, për shkak të ofrimit dhe të pranimit të shërbimeve në distancë, zgjidhen nga gjykata e arbitrazhit, sipas klauzolave të arbitrazhit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›