E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Administrative, opozita vonon ende miratimin



Miratimi i projektligjit për krijimin e Gjykatës Administrative, një rekomandim i ndërkombëtarëve, po qëndron prej 8 muajsh në sirtarët e Kuvendit për shkak se opozita nuk jep konsensusin. Drafti i Ministrisë së Drejtësisë kërkon 3/5 e votave për të kaluar, ndërsa dje u shty diskutimi i tij përsëri, pasi opozita kërkoi kohë për të bërë kërkesa. Ekspertët e PS-së dhe të ministrisë hartuan një variant të përbashkët, por sërish rezultati nuk i ka pëlqyer opozitës. “Kishte alternativa të ndryshme për zgjedhje. I pari kishte të bënte me mënyrën e organizimit të gjykatave, u gjet gjuha e përbashkët. Ishte problem nëse Gjykata Administrative do të kishte apo jo stafin e vet administrativ. Gjykata Administrative do të ketë stafin e vet administrativ mbështetës. Ky ligj miratohet, lihet një kohë e mjaftueshme minimalisht gjashtë muaj, gjatë të cilës do të bëhet përzgjedhja e gjyqtarëve, të gjitha përzgjedhjet e tjera administrative dhe në krye të gjashtë muajve gjykata është e gatshme të fillojë funksionimin e vet”, - deklaroi Alibeaj. Opozita u shpreh se konsensusi ka qenë i vështirë, por dha afat javën e ardhshme për të miratuar ligjin. “Ky konsensus i kërkuar nga ne dhe i reflektuar më së fundi besoj, dhe nga ju, mund të na çojë javën e ardhshme në një konkludim të suksesshëm”, - deklaroi Besnik Dervishi i PS-së. Deputetët e mazhorancës thanë se opozita po zvarrit këtë ligj të rëndësishëm. “Kemi shtatë muaj që e zvarrisim, mendoj që është shumë e lehtë, që mungon vullneti. Nëse kërkojnë dhe një javë, t’u japim dhe një javë”, - deklaroi Aldo Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›