E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri kap Bogdanin duke u falur në sheshin “Skënderbej”

Antena brenda familjes

Dje në mëngjes Flamuri është parë të ngrihet herët dhe të hipë në tarracën e “Hotel Tiranës”. Ishte ora 6 e mëngjesit dhe kamerieri nuk e kuptonte ç’donte aty që në pikë të mëngjesit klienti.

- Më falni, - tha, - ç’numër dhome keni?

- Nuk e di, - ia preu Flamuri që nuk e kishte mendjen fare.

- Ja, shikoje pak, - i tha kamerieri, duke treguar nga çelësat që kishte në qafë Flamuri.

- Nuk janë çelësa dhome, janë çelësa godine, - tha.

- Aha, po më falni, se nuk është hapur akoma lokali.

- S’ka problem, - i tha Flamuri, - se s’jam për kafe. Po shikoj këtë mitingun e myslimanëve.

- Nuk është miting, - tha kamerieri. - Është falja për Bajramin.

- E di, e di, po miting i them unë, se më ka ngel zakon.

- Po pse nuk shkon të falesh dhe ti? - i tha kamerieri. - Je ngritur që je ngritur.

- Jo, nuk falem unë, - i tha Flamuri. - Po shikoj kush ka ardhur të falet nga këta të pushtetit. Kam një listë me persona që kanë bërë mëkate këtë vit dhe më ka thënë ai burri, shko shiko do falen apo jo.

- Ke njohur njeri deri tani? - i tha kamerieri kurioz.

- Ik se s’të duhet gjë ty, - i tha.

Pasi iku kamerieri, filloi të shikojë me kujdes. Asnjë ministër për be. - As Fatmir Mediu që ka vrarë 26 vetë s’erdhi, - tha. Pikë e zezë ç’bëhet. As duan t’ia dinë fare. Pasi i humbi shpresat për Fatmirin, po shikonte për Ridvan Boden. As ai nuk dukej gjëkundi. Le që ç’të dukej ai xhanëm. Ai i pafe merret gjithë ditën me Çim Hoxhën me lojëra fati. I kishte Ruli, ia hoqën dhe i morën të bëjnë ndonjë lek. Po të paktën të vijnë të falen, tha me vete, se janë gjithë këto mëkate. As Genc Ruli nuk dukej në horizont. Po ai ka të drejtë, tha me vete. Se tek ARMO-n dhe KESH-i s’e la njeri të fuste duart në privatizim. Me këpucë të kuqe ka dalë. Pa tutje në horizont, se i ngjau një me Bujar Nishanin, por pastaj e kuptoi që ishte një nga ata të xhamisë së rrugës së Kavajës. As ai s’kishte pse vinte. Kosta Trebickën, që mund ta detyronte të falej, po del qartë që e kanë vetëvrarë. S’ka pse falet për shpirtin e tij. Lul Basha, jo e jo. Ai le të bëjë mëkate sa të dojë, tha me vete, nuk shkel këtu. Aq më tepër që gjithë paratë i ka bërë me Damir Fazlliçin që është gjysmë serb, gjysmë boshnjak dhe nuk falet. Genc Pollo po s’ka si vjen, se është ortodoks. Me gjithë vjedhjet e mëdha që ka bërë me librat e fëmijëve, i ka rënë mirë që nuk është mysliman. Duhet pyetur ku rrëfehet, në cilën kishë, se kam qejf ta dëgjoj, tha Flamuri me vete.

Si i humbi shpresat që do gjente dikë nga qeveria, hodhi sytë për nivelet e dyta. Dalloi nja dy drejtorë doganash dhe tatimesh. Iu dukën fytyra të para, po s’para i njihte. - Hajt, - tha, - se keni kohë të pastroheni. Ah sa keq na qëlloi ky sondazhi i “Transparency International”! Sikur të ishte pas Bajramit, ishin pastruar gjithë njerëzit. Na i ka kap ca të papastër.

Në mëdyshje e sipër pa te cepi i sheshit “Skënderbej” Gerti Bogdanin. U çudit shumë, se s’e priste që ai të ishte besimtar. Ju afrua nga pas t’i bënte surprizë. Kur ç’të dëgjonte? Po fliste me vete dhe po thoshte: “Falmë o Zot për ato marrëzi që them para kamerave, po më detyron i gjithëfuqishmi im! Mëshirë për marrëzitë që nxjerr nga goja dhe të lutem më jep fuqi të duroj, derisa të vijnë zgjedhjet dhe të më fusë në listë! Falmë o Mëshirëplotë për gabimet e mia dhe për rrugën e gabuar ku kam hyrë, por isha i ri dhe nuk e dija....Allahu më mëshiroftë...! ”

Flamuri, i hutuar nga lutja e Bogdanit, e kapi nga supet dhe e shkundi.

- Me kë tallesh ti o trap? - i tha.

Bogdani, i hutuar nga prania e tij, u zu ngushtë.

- Jo, - tha, - nuk e kisha me atë burrin. E kam me Edi Ramën, se atë kam më të madhin te bashkia.

- Lëre Edi Ramën, mos i bjer më qafë kot, po shiko Ilir Metën dhe këta të medias, se këta janë armiq të demokracisë, nuk është Edi Rama, - i tha.

Bogdani e humbi dhe më shumë dhe po e shihte si i shastisur.

- Unë vij nga Amerika, - i tha Bogdani, - dhe ti e di që atje s’para e kanë qejf këtë fe, po unë erdha, se kam parë që fëmijët e atij burrit falen dhe mbajnë ramazan.

- Epo dhe ti, po ta kishe babën kryeministër, do faleshe, ç’do bëje, se gjithë ato mëkate që bën qeveria, të fusin në dhé të gjallë po nuk u fale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›