E Diel, 1 Nëntor 2026

Të dashur miq irakianë

Nga presidenti George W. Bush për presidentin e Irakut, Jalal Talabani, kryeministrin Nuri Kamal al-Maliki, kryetarin e Kuvendit, Mahmoud al-Mashadani

Të dashur Zotërinj, po ju shkruaj për një çështje me rëndësi serioze. Është vështirë për mua që t’ju them sesa e thellë është kriza ekonomike sot në Amerikë. Jemi duke biseduar për një plan 1 trilion dollarësh që të nxjerrim nga belaja sistemin tonë bankar, i cili është në telashe. Ky është një 9/11 financiar. Gjersa amerikanët humbin shtëpitë e tyre dhe zhyten në borxhe, ata më nuk kuptojnë, pse ne shpenzojmë 1 miliard dollarë në ditë që irakianët të ndihen më të sigurt në shtëpitë e tyre.

Gjatë dy viteve të kaluara, në këtë shtet ka pasur debat për çështjen, nëse duhet të përcaktohet një afat për tërheqjen e ushtarëve të SHBA nga Iraku. Dukej thuajse zgjidhja e këtij debati varej nga ai që do të fitonte zgjedhjet e ardhshme. Nuk është më kështu. Afati i fundit po afrohet.

Taksapaguesit amerikanë, të cilët nuk lejojnë që paratë e tyre të përdoren për të ndihmuar kompanitë e veta “Lehman Brothers”, “Bear Stearns” dhe “Merrill Lynch”, nuk do të lejojnë që dollarët e taksave të tyre të përdoren për të ndihmuar ngurrimin tuaj të pafund se cili komunitet i Irakut të dominojë Kirkukun.

Mos më keqkuptoni! Shumë amerikanë dhe unë jemi lehtësuar nga mënyra se si ju, populli i Irakut dhe ushtria, jeni zmbrapsur nga ana juaj vetë-shkatërruese. Unë fillimisht e fillova këtë luftë në kërkim të armëve për shkatërrim në masë. E kisha gabim. Por, shpejt u bë e dukshme që Al Qaeda dhe aleatët e saj në Irak ishin të vendosur që të bëjnë Amerikën të dështojë në çfarëdo përpjekjeje që të ndërtohet një Irak i mirëfilltë dhe të shtyjnë Lindjen e Mesme drejt një rruge më demokratike, pavarësisht nga ajo se sa irakianë duheshin vdekur gjatë procesit. Kjo nuk ishte lufta për të cilën erdhëm, por ishte ajo të cilën gjetëm.

Al Qaeda kuptoi që, nëse do të mundte Amerikën në zemër të botës arabe-myslimane, kjo do të jehonte nëpër tërë rajonin dhe do ta bënte Al Qaedan dhe aleatët e saj të mbizotërojnë. Në anën tjetër, ne kuptuam që, nëse do të mundnim Al Qaedan në Irak, në bashkëpunim me arabët dhe myslimanët tjerë, kjo do të jehonte nëpër tërë rajonin. Diçka shumë e rëndësishme po ndodhte këtu. Ne kemi bërë rrugë të gjatë drejtë fitores së kësaj lufte.

Në të njëjtën kohë, unë gjithashtu kuptova që duke ndihmuar Irakun që të organizojë zgjedhjet, ne po ndihmonim përpjekjen e parë të popullit të një shteti modern arab, që të shkruajë kontratën e vet shoqërore, në vend që të ketë një të tillë të imponuar nga mbretër, diktatorë apo fuqi koloniale. Nëse shiitët, sunitët dhe kurdët irakianë mund të krijojnë kontratën e juaj sociale, atëherë do të jetë e mundur ndonjë formë e qeverisë me marrëveshje të përgjithshme në botën arabe. Nëse nuk mundeni, do të ketë mbretër dhe diktatorë përgjithmonë, me të gjitha patologjitë që vijnë me këtë.

Nuk është se kanë ndërruar gjërat që mund t’i humbni apo fitoni. Është fakti që tani duhet të çoheni e të përfundoni këtë punë. Keni paramenduar një rrjet të pafund të sigurisë amerikane që t’ju lejojë pazarllëk të pafund rreth asaj se kush merr çka. Kam qenë tepër, tepër i durueshëm me ju. Kjo tani ka mbaruar. Ne me ofensivë ju kemi blerë kohë, që të arrini një marrëveshje formale politike, dhe më mirë përdoreni shpejt këtë, sepse është një pasuri që vazhdimisht sa shkon e zhduket. Ju shiitë duhet t’i sillni fiset sunite dhe grupet e zgjimit, të cilët luftuan kundër Al Qaedas së Irakut brenda në qeveri dhe ushtri. Ju kurdë duhet gjetur një zgjidhje për Kirkukun dhe të pranoni integrim më të madh në sistemin shtetëror të Irakut, gjersa e mirëmbani autonominë e juaj. Ju sunitët në qeveri duhet të pajtoheni për mbajtjen e zgjedhjeve, në mënyrë që grupet e reja të fiseve sunite dhe të zgjimit të jenë në gjendje të garojnë për poste dhe të “institucionalizohen” në sistemin e Irakut.

Andaj, miratoni ligjet e juaja për zgjedhje dhe për naftë, shpenzoni pak nga profitet e juaja prej naftës që të ri-vendosni refugjatët irakianë dhe të institucionalizoni fitoret e korrura në fushën e sigurisë, gjersa ende keni prezencën e rëndësishme të SHBA. M’i lexoni buzët: kjo nuk do të jetë kështu përgjithmonë, edhe nëse fiton McCain.

Ambasadori ynë, Ryan Crocker, më ka treguar problemin tuaj: shiitët irakianë ende kanë frikë nga e kaluara, sunitët irakianë ende kanë frikë nga e ardhmja dhe kurdët irakianë ende kanë frikë nga të dyja. Pra, ju doni të shihni frikën. Shikoni në sytë e amerikanëve, të cilët po shikojnë kursimet e tyre duke u fikur, kompanitë e tyre duke u zhdukur, shtëpitë e tyre duke u konfiskuar. Ne jemi një shtet tjetër sot.

Unë ende besoj në një të ardhme të mirëfilltë për Irakun, nëse e arrini këtë. Do të ketë implikime afatgjata e pozitive për ju e për tërë botën arabe, edhe pse çmimi ka qenë tepër i lartë. Do të pres historinë për shpagimin tim, por populli amerikan nuk do ta bëjë këtë. Ata duan ndërtim të shtetit në Amerikë tani. Ata nuk do të ikin nga Iraku brenda nate, por nuk do të qëndrojnë edhe gjatë aty në këtë numër. E përsëris: mos e lexoni keq këtë moment. Zoti qoftë me ju!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›