E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri komenton leksionin e doktorit për ekonominë botërore

Nga Antena brenda familjes

Flamuri kishte dalë dje rrotull PD te kafet e lagjes, pasi nuk po e shtynte dot vetëm te selia. Në kafe, televizori ishte hapur te “Klan”-i dhe po transmetohej një lajm nga Davosi, ku ai burri po fliste për rritjen ekonomike. Dhjetëra kryeministra dhe biznesmenë të botës po e dëgjonin me gojë hapur. Të gjithë ishin të shqetësuar për rënien ekonomike botërore, për pasojat e krizës dhe po diskutonin si do ta zgjidhnin atë. Ai burri po fliste për rritje ekonomike dyshifrore, 9.9 për qind, d.m.th., gati dhjetë për qind. Salla nuk pipëtinte, kur fliste ai burri. Gazetarja që drejtonte debatin, vinte vazhdimisht buzën në gaz, kur fliste zoti Berisha.

- ǒpo thotë? - e pyeti një nga ata të kafenesë.

- Nuk besojnë që kemi rritje ekonomike, - i tha Flamuri. - Gjermania ka rënie, SHBA ka rënie, gjithë vendet anëtare të G8 kanë rënie. Gjithë Evropa ka rënie. Vetëm ne kemi rritje dyshifrore.

- Po ç’po u thotë doktori që po qeshin ata? - e pyeti klienti.

- Po u shpjegon si duhet të punojnë, që të kenë rritje ekonomike, - i tha Flamuri. - Për shembull, gjermanët duhet të heqin dorë nga masat proteksioniste, d.m.th., të mbrojnë prodhimin gjerman apo cilësinë gjermane të jetës. Duhet të bëjnë sakrifica që të reformohet ekonomia dhe të kenë rritje ekonomike.

- Aha, e kuptova, - tha klienti. - D.m.th., të bëhen copë- copë si ne dhe pastaj të fillojnë të ngrihen pak, ta marrin veten avash-avash.

- Jo, - tha Flamuri. - Po u shpjegon se kanë vepru gabim në ekonomi. Nuk kanë dhënë licenca, s’kanë dhënë asgjë me koncesion, s’kanë bërë rrugë. Këto e rrisin ekonominë.

- ǒlicenca të japë Gjermania mor babë, i ka bo vetë të gjitha, kujt t’ia japë licencën, Delijorgjit a?

- E ke gabim, Shqipëria kështu po zhvillohet. E ke dëgju Topallin që ka thënë ne kemi rritje ekonomike më të madhe se çdo evropian. E ka kundërshtu kush, askush. S’kanë fakte, s’kanë si e kundërshtojnë. Ai burri po u shpjegon cila është rruga që të shmangin krizën.

- Po ky Lul Basha pse qesh vazhdimisht kur flet doktori?

- Epo ai ka ç’tregon. Ka bërë gjithë atë investim në 60 km. Më gjej një vend në rajon që harxhon 20 milionë euro për një kilometër rrugë, siç ka bërë Luli. Asnjë. Kështu ngjallet ekonomia. Do pak guxim kjo punë. Luli ka dhënë prova për këtë. Ndaj e mban me vete ai burri. Nuk e lëshon, ngado që shkon.

- D.m.th., ti lal thu që ne ia kemi futë gjithë botës me këtë zhvillim që kemi, a? D.m.th., jena ba fanar ndriçues, siç thoshte ai qoftëlargu.

- Jo zotëri, kemi heqë dorë nga fanari. Nuk di a e ke dëgju Genc Rulin, sot kena fillu me eksportu energji elektrike në Greqi…

- Ça thu mor lal, po ne energji kena çu në Greqi qysh në kohë të qoftëlargut mer. Sa herë bi shi, japim korrent, sa herë bi diell, blejmë korrent. Me këtë na gënjen ti ne?

- Jo, nuk e them unë, e ka thënë Genc Ruli. Ai nuk gënjen kurrë. Nuk ka asnjë fakt ndonjëri që ka gënjyer ndonjëherë. Se që njeriu të gënjejë, duhet të skuqet. E ke pa ndonjëherë të skuqet, asnjëherë. I qetë gjithmonë.

- S’e mora vesh mor burrë këtë punë. D.m.th., gjithë bota qeka gabim thu ti, ne qekemi mirë a? Po mirë, a s’bën me i thanë këtij shefit tand me ndërru vendet me na çu ne në botë, aty në Gjermani e SHBA me vujt e të vijnë ca gjermanë e amerikanë këtu me gëzu dhe ata një ditë të bardhë.

- Nuk e di mixhë. Duhet të presim këtë marrëveshjen për liberalizimin e vizave, se këta ambasadorët tanë nuk para japin viza për të huajt, - tha Flamuri, - dhe mund të krijohet problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›