Për privatizimin e INSIG ka informacion vetëm familja Berisha
Partia Socialiste kërkoi dje që qeveria të bëjë transparencë për privatizimet që po bëhen së fundi. Duke iu referuar çështjes së INSIG, deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, tha se askush përveç familjes biologjike të Berishës nuk di çfarë po bëhet.
Harasani tha se nuk ka transparencë në lidhje me tenderin për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë. “Të bëjë transparencë të plotë lidhur me bisedimet për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. U bënë mbi 45 ditë nga data e tenderit dhe asnjë detaj në lidhje me negociatat për kontratën nuk është bërë publik. Të bëjë transparencë të plotë në lidhje me negociatat për privatizimin e plotë të INSIG. Askush jashtë familjes biologjike nuk ka dijeni se çfarë po negociohet, cilat janë termat, cilat janë kushtet”, - tha Harasani.
Ai shtoi se ka dyshime dhe në lidhje me koncesionin për kolaudimin. “Është bërë publike dhënia me koncesion për qendrën e kontrollit të drejtimit të automjeteve. Është bërë publike që një monopol shtetëror po shkon në duart e privatit, ashtu siç dihet që një kompani shumë e respektuar gjermane është tërhequr nga tenderi dhe i ka dërguar një letër proteste të mbushur me shqetësime dhe detaje të korrupsionit z. Berisha, por askush nuk di më shumë se ç’po bëhet me këtë tender!
U njoftuan nga shtypi së u anulua tenderi për dhënien e licencës së katërt për telefoninë mobile. Askush nuk e di pse u shty ky tender. Cilat janë arsyet që na lënë akoma të paguajnë këto tarifa të telefonisë celulare???”, - theksoi Harasani.
Në përfundim deputeti socialist kërkoi që të ketë transparencë për projektet energjitike. “I kërkojmë që të lërë mënjanë retorikën boshe të superfuqisë energjike dhe të bëjë transparence se mbi cilat studime, mbi cilat të dhëna, mbi çfarë kriteresh i dhanë me koncesion HEC-et në Devoll.
Dhe e fundit, i kërkojmë qeverisë që të bëjë transparencë të plotë se ç’po ndodh me premtimet e saj të bëra si ndaj ENEL, ashtu dhe RWE për ndërtimin e TEC në Porto Romano. Populli shqiptar duhet të dijë se është premtuar të ndërtohet nga njëra nga këto kompani një TEC prej 1600 megash me qymyr. Po, po, me qymyr. Qymyr, i cili do importohet nga Afrika. Vetëm në një ditë një TEC i tillë ka nevojë për 10-12 mijë tonë qymyr. Ku do depozitohen këta qindra-mijëra tonë qymyr? Pse nuk bëhet publike që një TEC i tillë ndot sa 12 metalurgjikë????”, - tha Harasani.