E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti Shtylla hapi “dosjen” e Berishës në Bruksel

Nga Mero Baze

Reagimi i ashpër i presidencës çeke të BE për ligjin e lustrimit, i cili hyn sot zyrtarisht në fuqi, ka hapur realisht një dosje për kryeministrin Berisha në Bruksel. Pasi injoroi deklaratat zyrtare të Këshillit të Evropës, komentet e Sekretarit të Përgjithshëm të KE, Terry Davis, pasi injoroi deklaratat e Departamentit të Shtetit dhe diplomatëve perëndimorë në Tiranë, të gjithë aktorë jo-komunistë në politikën perëndimore, kryeministri Berisha mori dje një paralajmërim të ashpër dhe serioz, nëse do të tentojë ta përdorë këtë ligj kundër pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe për qëllime klienteliste. Problemi madhor që ata shikojnë te ligji nuk është se ai prek ndonjë nivel të lartë të politikës apo drejtësisë shqiptare, por te synimi për ta përdorur atë vetëm politikisht për interesa thuajse klienteliste dhe familjare.

Për t’u bindur për këtë, ata kanë një shembull të frikshëm që lidhet me Zamir Shtyllën. Zamir Shtylla, i cili ishte në një post kyç në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe ishte relatori kryesor i dosjes së Gërdecit, u vu para akuzash të rënda nga kryeministri Berisha dhe shtypi i tij. Akuzat ndaj tij nisnin me kohën kur ai ishte i ri dhe kishte shërbyer si prokuror në kohën e komunizmit. U përpoqën t’i nxjerrin një ose dy histori të paqarta dënimesh të tejskajshme, por askush nuk vrau mendjen t’i analizonte ato. Të gjithë e pranojmë se një hetues i kohës së komunizmit mund të ketë pasur fat të ketë gjykuar një bari që ka vjedhur një dele, por dhe një disident që ka folur kundër regjimit. Në këtë rast nuk na mbetet në mendje ç’ka bërë zoti Shtylla në kohën e komunizmit, por na mbeti në mendje që u akuzua si gjakpirës, kriminel, me duar të lyera me gjak, vrasës, që s’mund të prekë me ato duar dosjet e qeverisë Berisha etj. Zamir Shtylla dha dorëheqjen ditën që ligji u miratua. Dha dorëheqjen nga posti i tij dhe natyrisht nga dosja e Gërdecit. Ina Rama e emëroi atë në Elbasan dhe Shtylla pranoi. Reagimi i parë i Berishës ishte i frikshëm. Ai lavdëroi publikisht Zamir Shtyllën në TV “Klan” si njeri që reflektoi dhe se prej atij momenti ai kishte respekt për të dhe nuk kishte më punë me punët e tij. Të njëjtën gjë bëri dhe shtypi i Berishës që e kishte fyer deri një natë më parë. Për Shtyllën nisi muaji i mjaltit me Berishën.

Po ç’kishte ndodhur në fakt? Asgjë më shumë se sa ai ishte larguar nga dosja e Gërdecit dhe kishte dhënë shembull dhe për të tjerët. Zamir Shtylla është ende prokuror dhe ligji që ka miratuar Berisha, nëse aplikohet, e prek atë dhe në Elbasan, dhe në Tiranë, dhe në Tropojë njësoj. Por Berishës nuk i intereson fati i tij si prokuror. I interesonte largimi i tij nga dosja e Gërdecit, ose më mirë të themi shembulli se si e pëson ai që e prek me dorë atë dosje. Për këtë i duhej ligji. Kjo natyrisht mund t’i ketë lebetitur vëzhguesit e huaj në Tiranë. Dhe ata që e kishin marrë seriozisht se Berisha e kishte me prokurorët komunistë mund të jenë tronditur dhe më shumë akoma. Brenda një nate mjafton që Shtylla iku nga dosja e Gërdecit, Berisha e lavdëroi sikur nuk kishte ndodhur gjë, sikur ky njeri nuk kishte torturuar njerëz, sikur ky nuk ishte me duar të përgjakura. Mjaftonte të mos prekte kapakun e dosjes që lë pa gjumë Berishën dhe ai u shfajësua brenda natës. Ky është shembulli i aplikimit dhe ndëshkimit që ka tronditur realisht Bashkimin Evropian dhe që po ngre alarmin ditën që ligji hyn në fuqi.

Reagimi i zbythur i Aldo Bumçit apo deklaratat e pacipa të Pollos pas kësaj nuk sjellin ndonjë gjë të re. Ky ligj dhe mënyra se si Berisha filloi ta përdorte atë për presion, i hapën atij dosjen në Bruksel. Mënyra se si një ish-hetues i komunizmit u quajt kriminel dhe të nesërmen i mirë, vetëm pse imitoi skenarin që ëndërron Berisha përmes këtij ligji, është e frikshme dhe është pikërisht ajo që Berisha ka dashur të arrijë me këtë ligj. Ky gjest ngre pikëpyetjet reale dhe rindez reagimet e Perëndimit kundër Berishës në këtë pikë.

Po të vësh re reagimet e Berishës dhe ndaj mënyrës se si Kushtetuesja do ta gjykojë këtë ligj, shihet qartë qëndrimi klientelist. Nëse ajo e kthen, Berisha do t’ia quajë konflikt interesi, pasi disa anëtarë kanë qenë të tillë dhe në kohë të komunizmit. Janë pikërisht këto simptoma të keqpërdorimit të një ligji, të bërë jo për të dënuar komunizmin, por për të ndëshkuar ata që nuk ia pranojnë “komunizmin e ri” Berishës, po rrit shqetësimin perëndimor dhe po krijon një problem real mes objektivit tonë për të shkuar në BE dhe objektivit të qeverisë për të kërcënuar dhe ndëshkuar çdo kundërshtar të saj që mund t’i krijojë probleme si gjykatës apo prokuror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›