E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greenway: Tejet e pazakonshme kjo që po ndodh me rastin Biberaj

Nga BBC

Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës do të marrë një vendim përfundimtar për kredencialet e delegacionit shqiptar të enjten, pasi ato u sfiduan për arsye procedurale në ditën e hapjes së sesionit vjetor në Strasburg.

“Kemi arsye të besojmë se një nga anëtarët tanë u hoq në një mënyrë që shkel rregullat e aplikueshme”, - tha përfaqësuesi hungarez, Matyas Ewrsi.

Komisioni i Rregullave të Asamblesë do të përgatisë një raport mbi këtë çështje, ndërkohë që delegacioni shqiptar mund të zërë vendet e veta në mënyrë provizore në Asamble deri të enjten, me të drejtë votimi dhe të drejtë fjale, por nuk mund të votojë për kredencialet e veta.

Ragip Luta bisedoi me kryesuesin e Komisionit të Rregullave, deputetin britanik, John Greenway

Çfarë do të thotë sfidim i kredencialeve në këtë rast?

Ajo që duhet të kuptoni është se çdo delegacion nacional - në fillim të sesionit vjetor apo kur zhvillohen zgjedhje dhe prezantohet një delegacion i ri, kredencialet e tyre duhet të miratohen nga Asambleja. Në bazë të rregullave është e mundur që një individ të sfidojë ratifikimin e kredencialeve në bazë procedurale - dhe si rezultat i kësaj - gjë që ndodhi me Shqipërinë - çështja pastaj i referohet Komisionit të Rregullave, të cilin e kryesoj unë dhe pastaj ne do të paraqesim një raport sa më parë që të jetë e mundur dhe sigurisht brenda kësaj jave, por është shumë me rëndësi të kuptohet se anëtarët e delegacionit shqiptar lejohen të flasin dhe të votojnë në Asamble, si të ishin ratifikuar kredencialet e tyre.

Ata nuk janë penalizuar në asnjë mënyrë. E gjithë ajo që nuk do të jenë në gjendje të bëjnë, është se nuk do të mund të votojnë për ndonjë mocion që ka lidhje me kredencialet e tyre, kur kjo të ndodhë eventualisht.

Me sa po e kuptoj unë, të drejtat e delegacionit shqiptar për të votuar nuk janë ‘ngrirë’, siç është njoftuar nga disa media në Shqipëri?

Po, kjo është gabim. Ato nuk janë ngrirë në asnjë mënyrë. Kam biseduar me tre anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar, që kanë qenë anëtarë më parë dhe ata janë të kënaqur plotësisht se është kështu dhe nesër komisioni im do të ulet dhe do të diskutojë me ta për qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështjeje. E gjithë kjo ka të bëjë me tërheqjen e anëtarësisë së një anëtari të delegacionit dhe të zëvendësimit të tij, gjë për të cilën ai ka paraqitur kundërshtime dhe kjo është ajo që ka nxitur një anëtar tjetër të Asamblesë nga një vend tjetër që të thotë se do ta sfidojmë ratifikimin, në mënyrë që kjo çështje të hetohet dhe kjo do të bëhet gjatë kësaj jave.

A keni pasur një situatë të tillë edhe më parë? Si e shihni ju këtë?

Kjo ka ndodhur vetëm një herë tjetër më parë dhe kishte të bënte me delegacionin e Qipros. Por është shumë e jashtëzakonshme, sepse në sesionin e fundit të Asamblesë u bë po ashtu një sfidim i ratifikimit ekzistues të kredencialeve të delegacionit rus, për shkak të asaj që ndodhi në lidhje me luftën mes Rusisë dhe Gjeorgjisë.

Por, kur kjo çështje u hodh në votim, një shumicë bindëse ishte në favor të vazhdimit të kredencialeve ruse, të vazhdimit të njohjes së tyre. Mendoj se kjo po shfrytëzohet në thelb si procedurë, në mënyrë që Asambleja të shqyrtojë, nëse dëshiron të shprehë apo jo qëndrim ndaj ndryshimit që është bërë brenda delegacionit shqiptar. Por është tejet e pazakonshme, sepse nuk i përket anëtarëve të kësaj Asambleje të kenë ndonjë koment apo qëndrim mbi vendimet që merren në parlamentet nacionale, se cilët anëtarë të atyre parlamenteve nacionale përfaqësojnë ato vende këtu në Asamble.

Po thoni se është e pazakonshme që një anëtar i një vendi tjetër të sfidojë kredencialet e një delegacioni të ndonjë vendi tjetër?

Tejet e pazakonshme, por ka ndodhur në këtë rast. Sepse, besoj që një numër kolegësh janë të shqetësuar për mënyrën e trajtimit të zotit Biberaj, të cilit i është tërhequr anëtarësia - ai thotë se ishte pa paralajmërim. Unë nuk e di. Unë nuk mund të shpreh qëndrim rreth asaj se a është e drejtë apo jo. Rregullat tona parashohin që komisioni im tani të shqyrtojë këtë çështje me urgjencë. Do ta bëjmë këtë javë dhe me sugjerimin tim do të zhvillohet një debat për këtë çështje në Asamble të enjten në mëngjes, në orën dhjetë.

D.m.th., komisioni juaj tani heton këtë çështje, përgatit një raport dhe pastaj e paraqet para Asamblesë përsëri?

Po ashtu është. Pastaj Asambleja do marrë vendim se çfarë do të ndodhë. Unë në asnjë mënyrë nuk dua të paragjykoj se çfarë do të thotë komisioni im apo çfarë do të bëjë Asambleja në fund. Unë thjesht do të përsërisja edhe një herë dy pika që i theksova e që mendoj se janë shumë me rëndësi që njerëzit në Shqipëri ta kuptojnë. E para, katër anëtarët e delegacionit shqiptar që janë në Strasburg këtë javë mund të vazhdojnë të flasin, votojnë dhe të veprojnë si anëtarë të Asamblesë që përfaqësojnë vendin e tyre sikurse t'u jenë ratifikuar kredencialet e tyre.

Nuk ka ndonjë ndëshkim për anëtarësinë e tyre. Dhe e dyta, është shumë e pazakonshme për Asamblenë që të shprehë ndonjë qëndrim apo shqetësim për mënyrën se si janë hartuar emrat e delegacioneve kombëtare nga parlamentet nacionale dhe që i dërgohen presidentit të Asamblesë sonë, se kush duan ata që t'i përfaqësojë në këtë Asamble. Kjo është çështje e tyre. Një akuzë është bërë nga zoti Biberaj se rregullat në Shqipëri nuk janë ndjekur si duhet dhe për këtë arsye është paraqitur sfida, por duhet t'i shkojmë deri në fund kësaj dhe ju siguroj se këtë kemi ndërmend ta bëjmë.

Po zoti Biberaj a do të lejohet të zërë vend në Asamble?

Jo, zoti Biberaj nuk ka këtu status fare. Ai s'është anëtar i delegacionit shqiptar më. Ai vendim është marrë në Shqipëri dhe emri i tij nuk është në listën e katër anëtarëve që i është dërguar Asamblesë nga parlamenti shqiptar. Dhe ajo listë është konfirmuar nga kryetarja e parlamentit shqiptar. Dhe kjo është absolutisht e qartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›