Gjyqtarët e Apelit: Gjykimi i Lulzim Bashës, kompetencë e Gjykatës së Lartë
Dy prej gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, Dalip Bushi dhe Tom Ndreca, janë shprehur dje se, gjykimi i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, që akuzohet për abuzime gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, i përket Gjykatës së Lartë. Ata nuk kanë pranuar dje që të gjykojnë çështjen ndaj Bashës, çka ka bërë që seanca e djeshme ndaj Bashës të shtyhet. Bushi dhe Ndreca kanë dhënë dorëheqjen nga kjo çështje, pasi janë shprehur dhe më parë për këtë dosje, gjatë procesit ndaj Armand Telitit dhe Andi Tomës, që akuzoheshin së bashku me Lulzim Bashën. Dosja ndaj Bashës është dërguar në Gjykatën e Apelit nga prokuroria, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila vendosi që të shkarkojë nga akuzat ish-ministrin e Transporteve. Sipas prokurorisë, kjo dosje duhet të gjykohet nga Gjykata e Lartë, pasi Basha është anëtar i Këshillit të Ministrave dhe i parlamentit. Në fakt, dosja ndaj ministrit të Jashtëm është dorëzuar në Gjykatën e Lartë dhe tashmë pritet vetëm fillimi i procesit gjyqësor në ngarkim të tij.
Shtyrja
Apelimi i vendimit të gjyqtares Fatmira Hajdari nga ana e prokurorisë për shkarkimin nga akuzat të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, është shtyrë. Shkak për këtë janë bërë dy gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, Dalip Bushi dhe Tom Ndreca. Këta të fundit nuk kanë pranuar të gjykojnë çështjen Basha, pasi deklaruan se ishin shprehur një herë për këtë çështje. Sipas tyre, ata ishin shprehur më parë në një proces gjyqësor për të pandehurit Andi Toma dhe Armand Teliti, që akuzoheshin se kishin kryer vepër penale në bashkëpunim me Lulzim Bashën gjatë procedurave për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Për këtë arsye, për të mos paragjykuar vendimin, të dy gjyqtarët kanë dhënë dorëheqjen. Dy gjyqtarët u shprehën se tashmë gjykimi i Lulzim Bashës i përket Gjykatës së Lartë. “Gjykimi i ministrit tani është kompetencë e Gjykatës së Lartë”, - thanë gjyqtarët. Megjithatë, pavarësisht kësaj, kreu i trupit gjykues, Pajtim Hoxha, ka caktuar seancën e radhës më datën 2 shkurt. Në fakt, dosja ndaj ish-ministrit të Transporteve tashmë është dorëzuar në Gjykatën e Lartë dhe pritet vetëm fillimi i procesit gjyqësor. Dosja e Bashës është dërguar në Gjykatën e Apelit nga ana e prokurorisë, e cila kundërshton vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që shkarkoi nga akuzat e shpërdorimit të detyrës ish-ministrin e Transporteve. Nga një akt-ekspertim i kryer nga ana e dy ekspertëve kontabël, sipas burimeve të prokurorisë, rezulton që Basha t’i ketë shkaktuar një dëm të madh shtetit shqiptar, me anë të procedurave dhe mënyrës së shpalljes së fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. “Në këtë raport disafaqësh, ekspertët kontabël kanë arritur në përfundim se drejtuesit e Ministrisë së Transporteve, me veprimet dhe mosveprimet e tyre në procedurat e ndjekura dhe përcaktimin e fituesit të tenderit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, pa tunelin, i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej rreth 230 milionë eurosh”, - thuhet në raportin që ndodhet në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas akuzës, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, akuzohet se ka shpërdoruar detyrën gjatë projektimit, tenderimit dhe deklarimit të fituesit për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash.