E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, si drejtuese e Plenumit të radhës

Nga Mero Baze

Një përfaqësues i shumicës së Shqipërisë në Strasburg kishte arritur falë lobimit të tij dhe rrethanave të papërsëritshme të ishte nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Për arsye tërësisht të brendshme në PD dhe sidomos për shkak të nevojës për t’u kualifikuar si qendër pushteti, zonja Topalli ia ndërpret këtë mandat duke e përjashtuar fare dhe nga delegacioni i KE. Kjo bën që automatikisht Shqipëria të humbasë një përfaqësim ndërkombëtar që s’e ka pasur më parë dhe të lakohet si një vend me probleme në funksionimin e demokracisë së brendshme. Por rëndësia më e madhe e këtij vendimi arbitrar qëndron te mosfunksionimi i institucioneve të PD.

Përjashtimi i Biberajt si nevojë e brendshme për të konfirmuar lidere të Plenumit të radhës kundër grupeve armiqësore zonjën Topalli, duhej të merrte doemos miratimin formal të strukturave udhëheqëse të PD, para se të kryhej veprimi. Duke u vënë para faktit të kryer, ato natyrisht e miratuan këtë gjest, por bashkë me të kanë miratuar nisjen e një debati të ashpër brenda PD mbi mënyrën se si ndërtohet dhe si shkatërrohet nga arbitrariteti karriera dhe investimi politik i një individi. Duke shfrytëzuar rrethana shumë specifike dhe konjuktura të mjaftueshme kundër zotit Biberaj, Topalli ia arriti t’i mbyllë gojën Berishës dhe të marrë firmën e tij dhe njerëzve poshtë tij për këtë akt, por me këtë gjest ajo ka frikësuar realisht çdo individ politik që ka kontribute në PD. E ka frikësuar, pasi provoi se, dhe nëse ke që më 1990 në PD, dhe nëse ke ardhur më 1996, kur ka ardhur zonja Topalli, dhe nëse ke ardhur më 2009, kur ka ardhur zonja Përnaska, nuk ka asnjë rëndësi. Dikush tjetër e ka në dorë karrierën tënde, dikush tjetër e ka në dorë të të shpallë armik apo përfaqësues të denjë të PD. Dhe kjo në rastin konkret është zonja Topalli. Ky është një shembull i rëndë ndëshkimi, i frikshëm dhe i turpshëm për gjithkënd. Ky është një model shumë jashtë kohe i prishjes së karrierës së një individi. Dhe një parti që nuk respekton një sistem vlerash të ndërtuara brenda saj, është një parti që nuk ngjall shpresë se do të jetë institucion. Ajo mund të jetë një sekt apo një klan tribal, mund të jetë një rreth njerëzish të lidhur me interesa, por kurrsesi një institucion ku njerëzit të aspirojnë karrierë bazuar mbi parime të qarta. Zonja Topalli e ka goditur në mënyrë vdekjeprurëse ëndrrën e çdokujt që mendon se në PD mund të bëjë karrierë bazuar mbi aftësitë e veta, vlerat e veta dhe kontributin e vet. Zonja Topalli, e cila tërbohet kur dëgjon emrat e të rinjve të KOP që kanë ardhur nga kurbeti më 2005, në fakt është gati të zëvendësojë dikë që ka në PD që më 1990 me dikë që e gjen në rrugë, mjaft që të promovohet si qendër pushteti që merr vendime brenda PD.

Kjo do të thotë që gjithë betejat e saj janë të pasinqerta. Janë të pasinqerta betejat e saj kundër të rinjve, të pasinqerta betejat e saj kundër grave, të pasinqerta betejat e saj pro militantëve. Janë të pasinqerta, pasi ajo provoi që nuk përfaqëson ndonjë opsion legjitim, por pesha e madhe e pushtetit e ka bërë demodé, i ka prishur qetësinë dhe mendon se bota fillon e mbaron te listat e deputetëve që harton ajo, listat e armiqve dhe miqve të saj apo listat e vlerave dhe antivlerave që ajo promovon. Gjesti i saj ndaj Biberajt provoi se ajo nuk përfaqëson shpresën, por makthin që ekziston në PD, nga frika se mos dikush u zë vendet. Unë e siguroj se kështu si po e katandis ajo dhe shefi i saj PD, të jenë të qetë se askujt nuk i duhen ato vende pas 28 qershorit. Kjo nuk është një luftë që ngjall shpresë, që të çon në fitore, por një luftë që ngjall makth dhe që përgatit një shpellë ku të futësh kokën pas humbjes. Për këtë të fundit njerëzit e lirë dhe të aftë nuk kanë nevojë. Ata s’kanë kujt t’i ruhen kur nuk janë në pushtet dhe mbi të gjitha kanë me se jetojnë, edhe nëse nuk kanë makina zyrtare, dieta, bodyguard-ë dhe licenca të marra paraprakisht në kuadrin e Shqipërisë 1 Euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›