E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerata F dhe e ardhmja e saj e frikshme

Nga Gideon Rachman, “Financial Times”

Pop sociologët kanë qejf t'i ndajnë njerëzit e lindur që nga viti 1945 në grupe të ndryshme. Kemi ata të lindur pas Luftës së Dytë, Gjeneratën X, madje mund të jemi edhe në Gjeneratën Y deri tani. Por, nëse më pyesni mua, ne të gjithë jemi anëtarë të Gjeneratës F, F për fatlumë.

Ne që kemi lindur në Evropën Perëndimore apo SHBA, kurrë nuk kemi përjetuar kohëra të vështira. Prindërit dhe gjyshërit tanë jetuan nëpër luftëra botërore dhe Depresion të Madh. Ne kemi pasur dekada të tëra të paqes dhe lulëzimit.

A mund të ndryshojë kjo? Ndoshta Gjenerata F vetëm ka pasur luksin e një “pushimi të zgjatur nga historia”, së cilës tani mund t'i vijë fundi.

Nuk ka dyshim që njerëzit i ka zënë paniku. Rrjedhja e lajmeve të llahtarshme korporale është aq e papërmbajtur, saqë Boris Johnson, kryebashkiaku i Londrës, u ankua që: “Të kalosh një orë me “Financial Times”, është si të jesh i kapur në grackë me anëtarët e zgjedhur të ndonjë kulti vetëvrasës milenialist.” Një sondazh i CNN zbuloi se pothuajse 60 për qind e amerikanëve presin që recesioni i tashëm të kthehet në depresion.

Nëse do të kishim ekonomi të epokës së Depresionit, a do të kishim gjithashtu politika të epokës së Depresionit? Kjo do të thotë parti dhe ideologji të reja ekstremiste, ngritje të nacionalizmit, rritje të organizatave si Liga e Kombeve dhe OKB, dhe përfundimisht, luftë.

Në mes të tërë zymtësisë dhe panikut, ia vlen të kujtohet se sa jemi ende larg nga Depresioni i Madh, kur papunësia arriti në 25 për qind në SHBA dhe 20 për qind në Britani, dhe uria, si dhe të pastrehët ishin gjë e zakonshme. Por kthimi i papunësisë masive nuk është i pamundur. Vitin e kaluar, SHBA përjetoi humbjen më të madhe vjetore të vendeve të punës që nga viti 1945. Paramendoni ndikimin mbi ekonominë më të gjerë amerikane, nëse General Motors dhe Ford me të vërtetë mbyllin biznesin këtë vit. Na është thënë se udhëheqësit tanë të tashëm kanë mësuar mësimin e viteve 1930. Ben Bernake, kryetari i Rezervës Federale të SHBA, është historian i Depresionit të Madh dhe ekonomistët besojnë se disiplina e tyre ka bërë përparim të madh që nga vitet 1930. Si mjekët modernë, edhe ekonomistët modernë kanë një varg të veglave të reja, të cilat nuk kanë ekzistuar atëherë.

Sëmundjet ekonomike, të cilat dikur kanë qenë fatale, tani mund të shërohen me efektshmëri. Kjo është teoria. Por ekonomistët kryesisht dështuan në parashikimin e shkallës së krizës së tashme. Pasi nuk e diagnostikuan sëmundjen në fillim, ka pak besim në popullatë se ata dinë si ta shërojnë atë. Si i bëhet, nëse ekonomia është në fakt në të njëjtin nivel si mjekësia, kur mjekët besonin ende në aplikimin e shushunjave? Apo si i bëhet, nëse ekonomia në fakt ka bërë përparim të madh, por jemi duke u përballur me një lloj të ri të virusit ekonomik, për të cilin ende nuk kemi identifikuar ndonjë shërim, H5N1 i krizës ekonomike?

Një pyetje e njëjtë aplikohet edhe në politikën e krizës së tashme. A bën dituria jonë e gabimeve të viteve 1930 që të kemi më pak shanse të bëjmë të njëjtat gabime tani?

Ka disa shenja brengosëse. Në samitin e Grupit 20 të shteteve udhëheqëse në nëntor, të 20 qeveritë solemnisht premtuan se do t'i shmangeshin proteksionizmit, që gjerësisht besohet të ketë përkeqësuar krizën e viteve 1930. Mirëpo, pak ditë pas kthimit nga Uashingtoni, India dhe Rusia kishin shtyrë tarifa të reja. Një mësim nga vitet ‘30 është se bashkëpunimi ndërkombëtar, aq shumë i nevojshëm në një krizë globale financiare, mund të shpërbëhet në një depresion.

Në të kaluarën, periudha të dislokimit ekonomik çuan në ngritjen e lëvizjeve të reja radikale politike dhe sociale. E vetmja demokraci e rëndësishme që ka mbajtur zgjedhje që nga shembja e Lehman Brothers-it shtatorin e kaluar është SHBA, dhe votoi për Barack Obamën, një internacionalist liberal. Por gjatë muajve të kaluar ka pasur kryengritje në lindjen e largët të Rusisë, në Kinën jugore dhe në Greqi.

Sidoqoftë, ende është një kapërcim i madh, të shkosh prej kryengritjeve të lehta dhe tensioneve të tregut ndërkombëtar në nacionalizëm të tërbuar dhe luftë të viteve '30. Për gjeneratën time duket pothuajse e paimagjinueshme që mund të kthehemi në një epokë të konfliktit të armatosur në mes fuqive kryesore të botës.

Por gjeneratat e mëparshme janë ndier njëlloj. Në vitin 1911, drejt përfundimit edhe të një tjetër periudhe të gjatë paqeje, lulëzimi dhe globalizimi, G.P. Gooch, një historian i spikatur britanik, shkroi: “Ne tani mund të shikojmë përpara, me besimin se do të vijë koha, kur lufta në mes kombeve të civilizuara do të konsiderohet aq antikitet sa vetë dueli.”

Disa shkencëtarë politikë bashkëkohorë kanë pikëpamje të njëjtë. John Mueller, një akademik amerikan, mblodhi numrat para disa viteve dhe erdhi në përfundim: “Brenda pak viteve mund të mos ketë luftë fare në botë.” Me bombat që e shqyen Gazën, kjo duket pak e papjekur. Por optimizmi bashkëkohor për zhdukjen e luftës mes fuqive kryesore të botës mund të jetë më logjik nga sa ka qenë në vitet para Luftës së Parë Botërore. Kanë kaluar afro 60 vjet që nga koha kur forcat amerikane dhe kineze luftuan në Kore.

Baraspesha e terrorit nuk ekzistonte në vitin 1914 dhe e ka bërë luftën shumë më pak të realizueshme. Por e njëjta gjë ka ndodhur me periudhën e gjatë të integrimit ekonomik dhe pasurisë në rritje, e cila tani është në rrezik të marrë fund. Periudhat e gjata të paqes dhe lulëzimit, sidoqoftë, nuk janë gjithmonë aq shumë interesante. Në mes të zymtësisë ekonomike, nuk mendoj se jam i vetmi që ndiej një gjallëri nga ndjenja se po jetoj në kohëra të pasigurta dhe historike. Ashtu si shkroi Philip Larkin, poet i zymtë britanik: “Jeta së pari është mërzi, e pastaj frikë.” Ne e patëm mërzinë. Tani ka ardhur koha për frikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›