E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyprillinjtë dhe aftësia shtetdrejtuese e shqiptarëve (II)

Nga A. Kaja

(Vijon nga numri i kaluar)

Qyprilli Husen Pasha (1698-1702)

Vinte nga familja e Mehmet Pashë Qyprilliut, shërbeu 4 vjet e 16 ditë. Ishte burrë i mençur dhe i drejtë, shërbeu nga viti (1797-1802), më pas dha dorëheqjen nga punët e shtetit.

Qyprilli Numan Pasha (1710)

Lindi më 1669 dhe vdiq 1718. Pat lidhur miqësi me anë martese me Sulltan Mustafa Hanin II. Më 1710 me propozimin e bashkëshortes, transferohet në Stamboll dhe emërohet sadriazem (kryeministër), në vend të Çarlili Ali Pashës. Sado që ishte një personalitet i dijshëm, i sinqertë dhe i drejtë, angazhimi i tij në shkencë, ibadet dhe në gjëra të tjera të rëndësishme kryesisht ishte i tërthortë. Meqë nuk ishte aq i interesuar për pozita, pas 63 ditësh u largua nga detyra. Shërbeu 2 muaj dhe 3 ditë (1710).

Qyprilli-zade Abdullah Pasha, (poet)

Qyprillinjtë nuk do të ishin vetëm drejtues të aftë të perandorisë turke. Nga kjo dinasti do të dilte edhe një poet i famshëm siç ishte Qyprilli-zade Abdullah Pasha, i cili ka lënë një divan me poezi arabe, që më vonë është botuar në Bejrut.

Dr. Prof. Fuad Qyprilli, drejtues i Turqisë moderne

Qyprillinjtë nuk do të ishin vetëm drejtues dhe administratorë të mirë të perandorisë turke, e cila administronte më shumë se 50 shtete të shtrirë në tri kontinente. Tradita e krijuar në drejtimin administrativ dhe politik të perandorisë do të shfaqej sërish në Turqinë moderne. Ata janë aktorë të një periudhe të madhe, të shtrirë në tre shekuj kohë.

Fuad Qyprilli ishte njëri ndër të mëdhenjtë e familjes së famshme të Qyprillinjve. Mori edukim të zgjedhur. U tërhoq pas kulturës perëndimore, letërsisë otomane dhe asaj evropiane. Fliste disa gjuhë: turqisht, frëngjisht, greqisht, persisht dhe arabisht. Fuad Qyprilli ka qenë mik i Mustafa Qemalit (Ataturku). U mor me histori, folklor, letërsi dhe në moshën 23-vjeçare qe profesor universiteti. Kushtrimi i të parëve e tërhoqi në politikë dhe në vitin 1935 u bë deputet. Së bashku me Xhelal Bajarin dhe Adnan Menderesin themeloi Partinë Demokratike, e cila katër vjet më vonë fitoi ndjeshëm zgjedhjet. Më 1950, Bajari u bë president, Mendersi kryeministër dhe Dr. Prof. Fuad Qyprylliu zv/kryeministër, ministër Shteti dhe ministër i Jashtëm. Në debatin për pranimin e Shqipërisë si anëtare e OKB, më 14 dhjetor 1955, ai do të shprehej: “Shqipëria duhej ta kishte përfaqësinë e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB që në vitin 1945, në ditën e themelimit. Tani është nderi ynë t’i ofrojmë asaj vendin e mohuar”. Fjala e tij në këtë takim dilte disi nga fjlaimi i zakonshëm i një ministri, por Prof. Dr. Mehmet Fuad Qyprilliu, pinjoll i një familjeje të famshme vezirësh që kishin drejtuar për shumë vite perandorinë turke në shekullin e XVII, nuk mund ta harronte origjinën dhe vendlindjen e të parëve. Me këtë veprim Prof. Dr. Fuad Qyprilli i kishte kthyer atdheut një borxh që familja e vet e kishte marrë me vete ditën e largimit dhe e mbante mbi supe në shekuj. Ai qe një figurë e padiskutueshme e politikës turke dhe një nga njerëzit që ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër për marrëdhëniet me Shqipërinë.

Shqiptarët, arkitektë të drejtimit, artit dhe ndërtimit

Gjenia shqiptare zgjatet gjer në Indi: arkitekt Mehmet Isai ndërton tempullin e pakrahasueshëm në botë, Taxh Mahall. Më pas, atij i shkon pranë si frymë perëndie simboli i humanizmit shqiptar shenjtorja Nënë Tereza që kombi shqiptar ia dhuroi Indisë dhe gjithë njerëzimit. Që herët kemi Shenjtoren tjetër, Shën Helena (nëna e Kostandinit të Madh). Në Rumani dinastia Gjika dha drejtues shteti njëri pas tjetrit të përmendur për mirë në histori; mbi të gjithë, bija e ndritur e tyre Dora d’Istria (Elena Gjika) që s’e harroi kurrë vendin e të parëve, për të shkuar te mbretëresha e Anglisë me prejardhje shqiptare, e bukura dhe e mençura Ana Bolena, gruaja e Henrikut lV e që u vra barbarisht nga intrigat shekspiriane të atij oborri (mbretëresha e sotme, Elisabetë, rrjedh prej gjakut të saj). Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “Napolon i Lindjes së Afërt” që shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet. Ndoshta për ndonjë nihilist duket disi e pabesueshme që edhe Napoloni ishte shqiptar, por nuk kam se si mos t’i besoj Adolf Thieres që ishte personalitet i shquar i kohës se tij, historian i dëgjuar francez, i cili ka shkruar dhe historinë e revolucionit francez dhe që më vonë u bë president i Francës. Në kujtimet e tij, Adolf Thieres shkruan: “Kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napolon Bonapartit, u bë mbret i Napolit më 1806, shqiptarëve të Napolit që shkuan për t'i uruar mirëseardhjen u tha: “Edhe familja Bonaparti është me origjinë arbëreshe.” Mbi origjinën e familjes Bonaparti shkruan edhe profesor Robert d’Angely me origjinë nga Korsika në veprën e tij “Enigmat e origjinës së racave dhe të gjuhëve të pellazgëve, arianëve, helenëve, etruskëve, grekëve dhe shqiptarëve” Libër i realizuar pas një pune mbi 30-vjeçare. Në faqen 113-117 të këtij libri d’Angely shkruan se Napoleon Bonaparti ishte shqiptar, ashtu siç ishte Aleksandri i Madh dhe Skënderbeu. Arkitekti i madh Mimar (arkitekt) Sinani, me ndërtimet e viteve 1538 do të vlerësohej si Mikelanxhelo i Orientit.

Po kështu, kryearkitekt i perandorisë në kohën e Qyprillinjve, mimar Kasëmi nga Gramshi i Tomoricës, ka qenë mjeshtër i madh i ndërtimeve. Edhe pse i ikur në Stamboll, ai e vizitonte shpesh atdheun e tij. Këtë e dëshmon fakti që ai bëri edhe shumë ndërtime në Shqipëri dhe në Gramsh. Vakufnameja e tij zbulon dhe veprën e tij në Shqipëri, në Berat, Dushnik, Roshnik, Dushar, Xhyre, Kozare, Dragot (Elbasan) etj. Sipas studiuesit të njohur, historianit Arben Llalla edhe presidenti aktual i shtetit helen, Karolos Papulias, është me origjinë të pastër shqiptare. Gjyshi i tij quhej Sulejman dhe ishte nga Voshtina, sot Pogoniani, fshat pranë kufirit me Shqipërinë. Siç jemi njohur nga historia, në vitet 1945, forcat reaksionare greke dëbuan me dhunë popullsinë shqiptare çame nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, edhe qindra bashkëfshatarë të presidentit të sotëm grek u përzunë forcërisht nga fshati i lindjes, Voshtina. Presidenti grek, Karolos Papulias, ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak Fuat Boçi, midis tyre ruhet ende edhe sot një miqësi e mirë. Ndërsa Zonja e parë e vendit, Teuta Topi, në një intervistë të botuar në media, dt. 09. 03. 2009, thotë: “Më ka bërë shumë përshtypje takimi me Papulias. Jam çuditur shumë, kur ai fliste për kohën e tij të fëmijërisë, për vitet e Luftës Italo-Greke dhe kishte një simpati të jashtëzakonshme për popullin shqiptar. Kishte simpati, sepse e lidhte çdo gjë me nënën e tij dhe tregonte histori se si e ëma vinte në Shqipëri dhe mbushte thesin me ushqime dhe tregonte që vinte në Fier”. Origjina e George Tenet nuk i përket të shkuarës së largët, ai nuk është as arvanitas dhe as arbëresh. Familja Tenet ka emigruar për në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa djemtë binjakë janë lindur në Amerikë. Babai i Tenet, mbiemri i të cilëve është Koka, ishte nga Qeparoi, një nga fiset më në zë të Himarës. George Tenet ishte njeri i famshëm në Amerikë, që për 7 vjet nga viti 1997 deri në vitin 2004, ka drejtuar CIA-n amerikane dhe ky është një nder për të gjithë shqiptarët. Prej aftësisë dhe intelektit i tij arriti majat në një shtet të fuqishëm sikurse është Amerika. Edhe ai e ndjente veten shqiptar, kur në një nga televizionet amerikane është shprehur: “Unë jam bir emigranti, jam shqiptar dhe Amerika demokratike i krijon mundësi cilitdo të bëhet edhe president”. Ai ishte kreu i CIA-s, në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë dhe në rrethe konfidenciale midis të tjerash do të shprehej se nuk do të ishte asnjëherë i qetë pa i parë të gjitha trojet shqiptare në liri.

Zilia dhe egoizmi, dy sëmundje të mëdha të shqiptarëve

“Ashtu si në kohërat që po flasim, edhe sot shqiptarët po tregojnë se janë të zotë, trima e me mend, të ditur e me nam të madh, por Shqipëria vazhdon të mbetet e varfër dhe e padëgjuar, me djemtë dhe vajzat e saj mburren të tjera vende e të tjerë kombe, ndaj natyrshëm lind pyetja: Kur Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë kaq shumë figura të ndritura që kanë drejtuar shtete dhe perandori, madje të jenë të famshëm edhe sot, përse vendin e tyre e lënë për në fund? Ne, shqiptarët, për të qetësuar ndërgjegjen, kemi gjetur një alibi: Për të gjitha mjerimet tona, ua hedhim fajin të huajve. Por, me sa tregon historia, asnjë komb nuk ka qenë krijuar prej të huajve. Popujt e huaj, kur janë më të fortë, shtrihen për aq sa mundin në kurriz të popujve më të dobët, dhe shpeshherë duke i zhdukur këta; sikurse kanë qenë zhdukur shumë popuj të vjetër të Evropës, Afrikës, Azisë dhe, më vonë, indianët e Amerikës. Ky është ligji themeltar i natyrës dhe i jetës. Në natyrë, çdo qenie e gjallë zë aq vend sa forcë ka. Në botën e bimëve e të kafshëve, familjet, gjinitë, llojet, dhe në botën e njerëzve, fiset, kombet, shtetet ose klasat shoqërore jetojnë e mbahen krahas njëri-tjetrit në bazë të ekuilibrit të forcave dhe jo prej mëshirës a parimeve të moralit.

Atëherë, përse të huajt më të fortë duhej të bënin një përjashtim për shqiptarët? Për pyetjen komplekse “Përse shqiptarët nuk e bënë dhe nuk po e bëjnë ashtu si duhet vendin e tyre?” mund të ketë edhe përgjigje të tjera. Disa thonë se shqiptarët e famshëm e përdorën perandorinë si strehë për t’u mbrojtur nga fqinjët që kërkonin ta fshinin nga harta vendin e tyre, Shqipërinë; të tjerë thonë se shqiptarët e famshëm nuk donin që të humbisnin privilegjet apo lavdin e tyre në shtetet apo perandoritë që drejtonin. Historiani i spikatur frëng i Antikitetit, Andre Piganjol, vlerëson se perandorët ilirë e adhuronin Romën e qenë të bindur se duke mbrojtur atë, mbronin njëkohësisht atdheun e tyre, Ilirinë, kundër vërshimeve të pareshtura barbare, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për drejtuesit shqiptarë të Perandorisë Osmane”, - Mid’hat Frashëri në gazetën “Dielli”, të 16 shtatorit 1915, kur tërhiqte vëmendjen e disa mangësive që kemi ne si komb, të cilat duhen shmangur, me qëllim që të mbijetojë dhe zhvillohet Shqipëria. Mangësitë tona, në radhë të parë, ai i shihte te mungesa e bashkimit, te tendenca e mohimit të gjithçkaje. “Zilia dhe egoizmi janë dy sëmundje të mëdha dhe fort të dëmshme e të rrezikshme të racës sonë, dy sëmundje që burojnë nga mungesa e jetës politike dhe patriotike, që nuk kemi një gjykim të shëndoshë dhe të vërtetë për interesat tona, interesa lëndore ose morale. Kjo zili dhe ky egoizëm “pse të jetë ai e të mos jem unë”, na bën që shumë herë të themi “...më mirë të mos ketë fare Shqipëri”.

Me keqardhje konstatohet se këto vese vazhdojnë edhe sot të jen premisë e moskuptimit mes shqiptarëve dhe politikë-bërësve tanë.

ǒvlera do japim, ato do të na kthejnë

- Duke respektuar më shumë veten, do të na respektojnë më shumë të tjerët

Sjellja e shembujve për disa prej figurave më të ndritura të kombit tonë nuk ka si qëllim që të krijojë mite apo idenë se ne duhet të jetojmë me lavdinë e etërve tanë. Ne, shqiptarët, duhet t’i njohim këta shembuj të krenarisë sonë kombëtare për të njohur më mirë vetveten, të shkundemi nga ndjenja e inferioritetit apo mendësia se tani që po hyjmë në Evropë nuk ka se çfarë na duhet identiteti kombëtar. Evropa është shtëpia e madhe e multikulturave, ndaj, ashtu si për çdo vlerë, ajo ka nevojë për kapitalin tonë të vlerave që është i shumtë, por i panjohur.

Politikanët tanë, që bërtasin çdo ditë se po na integrojnë në Evropë, nuk thonë asnjëherë se Franca ka të veçantë “Ministrinë e Rinisë e të Edukimit Kombëtar”; apo Greqia ka “Ministri të Fesë dhe Edukimit Kombëtar”, Italia ka “Ministrinë e Italianëve të Shpërndarë Nëpër Botë” etj... Po Shqipëria ku ndodhet?!. Asgjëkund, ajo, ashtu si atëherë kur nuk dinim shkrim e këndim, ua ka lënë të tjerëve t’ia shkruajnë historinë. Politikanët nuk thonë se Ali Pashë Tepelena ka në Janinë një muze madhështor dhe se Mehmet Aliu i Egjiptit, lindur në Zëmlak të Korçës dhe i larguar 7 vjeç nga Kavalla e shtetit helen, ka në këtë qytet një muze madhështor, por fatkeqësisht nuk ka në vendin e tij, madje ai nuk njihet nga shqiptarët, sepse, ashtu si edhe për të tjerët, për të nuk flitet. Propaganda e huaj, veçanërisht shovenët fqinjë, e gjejnë të lehtë ta tregojnë shqiptarin një qenie pa vitalitet e humanizëm, që nuk meriton liri apo vëmendje, ndërkohë që nuk dimë, nëse ka popull në botë në përmasa disi të vogla si Shqipëria që t’i ketë dhënë njerëzimit figura aq të shquara në të gjitha kohërat dhe në tërë përmasat historike! A ka popull në botë që të mos t’i kujtojë, të mos i përmendë në histori bijtë e gjakun të vet, të mos ua ushqejë bijve në shkolla e media emrin e tyre të madh?! Ata do t’ua forconin si askush krenarinë kombëtare dhe përkushtimin për atdheun e copëzuar në mënyrë të pamëshirshme nga Evropa e djeshme konservatore. Ne e kemi një thesar të tillë dhe e lëmë të harruar veçanërisht për brezin e ri. Ne nuk duhet të harrojmë gjykimin e Samiut, se kombet, ç’vlerë t’i japin vetes, atë do u japin dhe të tjerët. Një nga shkaqet që trungu ynë ka ngelur kaq i cunguar është fakti se ne nuk i kemi ushqyer rrënjët tona, ndaj do t’u sugjeroja që nëpërmjet provave dhe argumenteve shkencore që nuk janë të pakta, por të shumta, t’u ktheni shqiptarëve ata pjesë të historisë së vjedhur që sot mbahet padrejtësisht nga fqinjët tanë. Përpos shpifjeve apo grabitjeve shovene të historisë sonë, një komb si shqiptarët që u ka dhënë aq shumë të tjerëve, nuk kërkon përtej kufirit të së drejtës, por nëpërmjet historisë dhe figurave të shquara të kombit të vet kërkon të identifikojë veten dhe t’u thotë të tjerëve se ne, shqiptarët, kemi qenë këtu përpara tyre dhe se në këto troje nuk jemi një bimë e mbirë mbi pleh, por një popull me rrënjë të thella në histori.

Është koha që të duam, njohim, respektojmë dhe vlerësojmë më shumë veten tonë, sepse kështu do na duan, respektojnë dhe vlerësojnë më shumë të tjerët.

* Pjesë nga referati i mbajtur në konferencën e organizuar në Berat me temë “Dinastia e Qyprillinjve në ish-Perandorinë Osmane”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›