Flamuri prish emrat e rrugëve në Kamzë
Flamuri pati dhe sherr të madh me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. U tërbua, kur mori vesh vendimin e Këshillit Bashkiak për emërtimin e rrugëve të Kamzës. E thirri në zyrë dhe filloi sulmin ndaj tij.
- Ke bërë një veprim të papërgjegjshëm, - i tha. - S’duhet ta kishe bërë atë. Nuk jam kundër në parim, por ti s’mund të vendosësh emra të tilla pa u konsultuar. Së pari, ke bërë gabim me gjithë ato emra qytetesh amerikane.
- M’i ka diktu ky i Këshillit Bashkiak, - tha Xhelali, - se ka vëllanë në Amerikë dhe i ka thënë “vëruni emra amerikanë rrugëve”.
- Po, po, por ai burri është mërzitur shumë. Se ai mendon se të tjerët mendojnë se ai të ka thënë ty ta bësh këtë tani që ai i ka marrëdhëniet e këqija me ata. Ai ambasadori gëzonte dje, se e merrte si gjest servilizmi të atij burrit ndaj ambasadorit. Kjo s’duhet të ndodhë kurrë. Ne as që e njohim fare atë për ambasador. Ne kemi lidhjet tona atje. Na u dobësuan pak tani, por me këtë shitjen e INSIG i kemi rregulluar ndjeshëm, se njeh një nga ata “priftërinjtë” kryesorë ai që ka blerë INSIG dhe na i ndreq punët. S’është nevoja me vënë emra rrugësh emrat e qyteteve të tyre.
- Unë të thashë, shef Flamuri, pse i vumë, - tha ai. - Ne donim vetëm bulevardin “Berisha”. Ai e ka inat atë burrin dhe tha: “Pa vënë unë emrat e qyteteve amerikane, s’ka bulevard “Berisha”. Dhe s’ia kemi vënë Sali Berisha, thjesht Berisha.
- Me atë keni bërë mirë. Por ka disa rregulla që duhen respektuar. Emra rrugësh, sa janë gjallë njerëzit, nuk vihen. Dhe Enver Hoxha nuk lejonte. Kur vdiq ai, pastaj iu vunë emrat në një ditë gjithë hidrocentraleve, fabrikave, uzinave, rrugëve, shkollave, organizatave të pionierit. Sa ishte gjallë, edhe ai ishte modest. Pas vdekjes, që larg qoftë, dhe ne mund t’i vëmë emra të tij. Dhe kemi plot çfarë të vëmë. P.sh., hidrocentraleve mbi Devoll ua vëmë pa frikë emrin Sali Berisha. Argita në fund të fundit i solli ata investitorë. Ajo punoi si konsulente e tyre. E paguante Vehbi Velia që të mos i merrte paratë direkt nga ata, ndërsa Vehbiu ishte përfaqësuesi i tyre. Ata, po. E kanë hallall t’i vënë emrin. Por dhe ndonjë fshati turistik në Jalë ose Ksamil mund t’i vëmë atë emër se Abi i ka bërë me djersën e tij. Por dhe TEC-it në Porto Romano mund t’i vëmë emrin e tij, se në pronë të vet e ka. Pra, ka plot pasuri në Shqipëri që mund të marrin emrin e tij. S’kishit pse nxitoheshit. Duhet t’ia vëmë emrin atje ku ai i ka bërë me punën e vet dhe familjes së vet, jo atje ku ka bërë punë me lekë të qeverisë, se vijnë këta të tjerët e na e heqin.
Së dyti, kam një vërejtje tjetër. Do ta them dhe këtë. Kjo gjë na ngjall shumë xhelozi në parti. Se thonë: “Mirë ai burri që mori emrin e bulevardit, por ne të tjerët s’kemi merita?” Për shembull, Jozefina e ka bë atë rrugë me makinë çdo ditë, sa mori shtëpi në Tiranë. Dhe ajo ka nevojë për një emër. Por dhe Ridvani ka bërë shkollën në Kamzë, dhe ai ka nevojë. Ky Patozi nuk besoj se ka pretendime. Dhe mua më ka kërkuar ajo lagjja e kuksianëve t’i vënë emrin rrugës Flamur Noka, por u kam thënë mos u nxitoni.
- Jo, - më thanë, - ti je i dyti pas atij burrit, po s’ta vumë ty ne, kujt do t’ia vëmë emrin?
- Të drejtë kanë, se i kam ndihmuar, por s’duhet ta teprojmë.
Prandaj unë them t’i prishësh këto vendime. Lër vetëm atë bulevardin “Berisha” dhe po pyetën, thuaj e kemi për fisin Berisha, se ka dhënë kontribute në historinë e Shqipërisë dhe është një nga 12 fiset e veriut dhe, meqë rruga shkon drejt veriut, ai është fisi kryesor. Pastaj shohim e bëjmë. As atë emrin tim mos e vër, le ta kërkojnë sa të duan ata kuksianët. As Ridvanit dhe Jozefinës mos ua vër një herë. Dhe ata emrat amerikanë zëvendësoji me emrat e zonës nga kanë ardhur dhe futi një New përpara që të duket si anglisht. P.sh., New Dibra, New Kukës, New Golloborda, New Mati e kështu me radhë sipas lagjeve. Kështu je në rregull dhe me atë amerikanin e Këshillit Bashkiak, dhe me komunitetin.
- Mirë shef Flamuri, - tha Xhelali, - por ka me qenë luftë e madhe.
- S’ka problem. Dhe ato rrugët për mua, Ridvanin dhe Jozefinën lëri pa emër, se s’i dihet.
- Jo, shef Flamuri, po ua vë nga një emër kot, se po i lashë rezervë për ju, hapet llafi që s’e keni të gjatë dhe po ruani rrugët për emra. Dhe kjo demoralizon njerëzit, nuk shkojnë të votojnë pastaj, se ata për ju shkojnë.