Presidenti i Bankës Botërore: Shkeljet me projektin për bregdetin, shokuese
“Që nga menaxhimi bazë i projektit deri te ndërveprimet me Bordin dhe Panelin e Inspektimit, të dhënat e Bankës për Projektin janë shokuese”.
Kështu është shprehur presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick, në lidhje me projektin e financuar nga kjo bankë për menaxhimin e bregdetit të Jugut.
Më datë 17 shkurt, Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore mori në shqyrtim Raportin e Ekipit të Menaxherëve dhe Planin e Veprimit në përgjigje të hetimit të pavarur të Panelit të Inspektimit për Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare.
Pas përfundimit të këtij takimi presidenti Zoellick është shprehur me tone të ashpra me abuzimet në këtë projekt.
Për banorët e zonës do të ketë kompensim, ndërsa do ketë sërish hetim të detajuar për këtë skandal.
Banka Botërore ka nxituar të konfirmojë se Paneli nuk ndërmerr hetime për korrupsion dhe askush nga qeveria ose nga anëtarët e Njësisë së Koordinimit të Projektit ose staf i Bankës nuk është nën hetim për këtë çështje. Kjo sigurisht, sepse nuk është detyra e tyre. Një gjë e tillë nuk i shpëton nga përgjegjësia përfaqësuesit shqiptarë në projekt dhe as qeverinë tonë.
“Mandati i Panelit të Inspektimit nuk përfshin hetimin e akuzave për korrupsion dhe nuk bën asnjë gjykim për këtë çështje. Paneli heton se si Banka zbaton politikat dhe procedurat e saj operacionale. Paneli nuk heton huamarrësin dhe nuk e ka bërë këtë gjë edhe në rastin në fjalë”, - tha drejtuesi i Panelit.
Distancimi i zyrtarëve të BB kërkon që të bëhet një hetim i rregullt dhe për abuzuesit në palën shqiptare. Janë pikërisht ata që janë në qendër të skandalit, që kanë nxitur prishjen e ndërtimeve dhe shkeljet e tjera. Por kjo ka bërë më krahë qeverinë që ka nxituar të deklarojë se brenda Bankës ka palë në konflikt.
Ndërsa opozita shqiptare ka kërkuar hetim për ngjarjen nga prokuroria.
Masat
Ky hetim u kërkua nga familjet e dëmtuara prej prishjeve të ndërtesave në prill 2007 në fshatin bregdetar Jalë në Shqipëri. “Raporti i Ekipit të Menaxherëve pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore dhe paraqet një Plan Veprimi për trajtimin e çështjeve të identifikuara nga Paneli”, - thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.
Sipas Planit të Veprimit, një sërë masash do të ndërmerren me mbështetjen e Bankës, përfshirë: një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimin e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve. Ekipi i Menaxherëve të Bankës do të mbikëqyrë edhe përfundimin e një vlerësimi social të asistencës që rrjedhin prej këtij vlerësimi për të varfrit dhe të prekurit nga prishjet. Ekipi i Menaxherëve do t’i raportojë Bordit për progresin mbas tre muajsh.
Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Robert B. Zoellick, i ka i kërkuar Këshilltarit të Përgjithshëm në detyrë të Bankës që të hetojë çështjen, i cili nga ana e tij ia ka referuar këtë çështje Departamentit të Integritetit Institucional në Bankë (DII). “Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet e ngritura nga Paneli i Inspektimit dhe po lëvizim shpejt për të forcuar mbikëqyrjen, për të përmirësuar procedurat dhe për të ndihmuar familjet, të cilave u janë prishur ndërtesat e tyre. Banka nuk mund ta lejojë këtë të ndodhë përsëri”, - tha ai.
Projekti
Në fillim të vitit 2004, qeveria e Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për krijimin e një kuadri që do t’i mundësonte vendit zhvillimin e bregdetit në mënyrë të qëndrueshme. Në përgjigje të saj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për të përgatitur një Projekt për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare (ICZMBP), i cili synon mbrojtjen e burimeve bregdetare dhe kulturore përmes promovimit të përdorimit të qëndrueshëm të tokës, pjesëmarrjes së komunitetit dhe përmirësimit të kushteve mjedisore. Projekti u miratua më 21 qershor 2005.
Në përgjigje të një kërkese nga familjet në Jalë në gusht 2007, Paneli i Inspektimit hetoi zbatimin nga ana e Bankës Botërore të politikave të saj operacionale për përgatitjen, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, si dhe hetoi dëmin apo dëmin potencial të njerëzve të prekur. Paneli i Inspektimit paraqiti raportin e tij më 1 dhjetor 2008. Projekti u pezullua nga Ekipi i Menaxherëve më 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar, derisa të merret një vendim ose për të ristrukturuar projektin pa aktivitetet e planifikimit të tokës ose për anulimin e plotë të tij.
Kryetari i Panelit të Inspektimit, Werner Kiene, pohoi se, “ndërsa moszbatueshmëria nga Banka e politikave të saj në rastin në fjalë është tmerrësisht shqetësuese, Paneli përshëndet lidershipin e presidentit dhe Ekipit të Menaxherëve të Lartë, i cili pranoi gabimet dhe filloi marrjen e masave korrigjuese mbasi Paneli paraqiti raportin e tij.”
Gabimet
Paneli konstatoi që projekti ishte i lidhur me prishjet që ndodhën në Jalë në prill 2007; projekti nuk ishte projektuar dhe mbikëqyrur siç duhet; komunikime të rëndësishme të Ekipit të Menaxherëve me Bordin ishin të gabuara, përpjekjet e Bankës për mbledhjen e fakteve lanë jashtë ngjarje dhe informacione kyçe. Ekipi i Menaxherëve pajtohet me gjetjet e Panelit në këto fusha.
Ekipi i Menaxherëve të Bankës Botërore shprehu keqardhje të thellë për këto ngjarje. Ekipi i Menaxherëve pranon një sërë gabimesh të bëra gjatë gjithë ciklit të projektit, përfshirë përgatitjen e projektit, paraqitjen e tij në Bord dhe mbikëqyrjen, si edhe përgatitjen e përgjigjes së parë të ekipit të menaxherëve në shtator 2007 dhe lëshimin e një korrektimi të dokumentit të vlerësimit të projektit në shtator 2008. Ekipi i Menaxherëve pranon se këto gabime janë të papranueshme dhe flasin për një thyerje serioze në dhënien e llogarisë, përgjegjshmërisë dhe mekanizmave të mbikëqyrjes për Projektin.
Gjithashtu, Paneli konstatoi se politika e Bankës për zhvendosjen e detyruar duhet të ishte zbatuar në përgatitjen e Planit të Zhvillimit të Bregdetit të Jugut (PZHBJ), si dhe në programin në vazhdim të prishjeve të qeverisë, në mënyrë që familjet në Jalë të mbuloheshin nga kjo politike. Në kohën që Projekti u paraqit në Bord, Drejtuesit gjykuan se kjo politikë nuk zbatohej në rastin e veprimtarive planifikuese për përdorimin e tokës si PZHBJ. Ekipi i Menaxherëve pranon se dispozitat përkatëse të politikës janë të dykuptimta dhe kanë nevojë të qartësohen. Drejtuesit do të rishikojnë zbatimin e politikave mbrojtëse në projekte që mbështesin planifikimin e përdorimit të tokës dhe do të nxjerrin udhëzime për të trajtuar çështje mjedisore dhe sociale.