E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza brenda krizës

Nga Ervin Qafmolla, Revista “MAPO”

“E shkuara është tani pjesë e së ardhmes; e tashmja është jashtë kontrollit tonë”. Një citat që i shkon për shtat situatës së krizës ekonomike tashmë e pranishme në Shqipëri. Nuk e ka shkruar ndonjë teoricien i shkencave ekonomike, por “Joy Division”, një grup britanik ‘punk’ i fundit të viteve ’70, në tekstin e një kënge që i referohet pikërisht krizave. Dhe siç dihet, krizat nuk ndodhin aty për aty. Ato gatuhen në kohë dhe i japin efektet vite pas ndërhyrjeve apo mosndërhyrjeve të gabuara, duke i dhënë efektet e së shkuarës në të ardhmen. Në këto kushte, masat që mund të merren në të tashmen janë shpesh të pafrytshme, sepse dëmi mund të jetë i tillë sa ndërhyrjet e panikosura “ad hoc” thjesht nuk japin efekt. Krizat, thuajse gjithmonë janë të lidhura me inercinë dhe siç dihet, inercia mund të jetë një forcë vrasëse. E si mund të përshkruhet një krizë? Në rastin e Shqipërisë, për shembull, cilët do të ishin elementët?

Deficiti më i lartë i llogarisë korente në histori. Leku në kuotën më të ulët që nga prilli i vitit 2004. Të ardhurat buxhetore janë në rënie dhe borxhi publik - i brendshëm dhe i jashtëm - është në rritje. Të gjithë janë të shqetësuar me përjashtim të qeverisë. Mbi 150 000 familje shqiptare ndjekin kursin dhe llogarisin se sa më shumë do të duhet të paguajnë për kreditë e tyre në euro. Ca mijëra të tjerë e kanë humbur sakaq shpresën për ta paguar këstin e kredisë. Vetëm për dhjetorin 2008, bankat klasifikuan 42 milionë euro kredi te zëri i “kredive të këqija”. Kjo qe shuma më e madhe mujore e regjistruar ndonjëherë. Plot 1.6% e totalit të portofolit të kredive. Qeveria ende nuk është shqetësuar.

Ndërkaq, pothuaj çdo ekspert që nuk është listëpagën e qeverisë, paralajmëron se edhe investimet e huaja do të shënojnë domosdoshmërisht rënie, çka në vetvete është një lajm shumë i keq për një vend në zhvillim si Shqipëria. Por, qeveria nuk shqetësohet.

“Jo çdo gjë ecën kundër qeverisë”, - tha pak ditë më parë ministri i Financave, Ridvan Bode, duke folur për shiun e bollshëm që ka rritur eksportet e energjisë elektrike. Pa llogaritur faktin se në parim përbën problem një ministër Financash që pret ç’do bjerë nga qielli, vetë qielli nuk është aq bujar sa duket.

Shpresa e qeverisë është që eksportet e energjisë të arrijnë në 70 000 megavat. Çdo megavat kushton 60 euro. Në total, në skenarin më optimist të mundshëm, janë diçka më pak se 5 milionë euro. Kjo shifër mbulon rreth 5% të parave të shpenzuara në importe të KESH gjatë vitit të kaluar. Kjo shifër mbulon gjithashtu, plot 0.25% të deficitit tregtar të Shqipërisë.

Qeveria, jo vetëm që nuk shqetësohet, por gjatë ditëve të fundit u angazhua të përgënjeshtrojë analizat e FMN dhe të një duzine institucionesh të tjera ndërkombëtare, të cilat nuk janë aq optimiste mbi idenë se “krizat e mëdha harrojnë t’i prekin vendet e vogla”. “Ditën që gjithë bota është në krizë, pa dyshim që çdo vend i planetit është në krizë”, - thotë prof. Sherif Bundo, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Prof. Bundo shton se sigurisht efektet në vend paraqiten më të vogla, për shkak të distancës që ndan Shqipërinë me tregjet financiare botërore, por ai shton se ndërkaq duhen marrë masa, sepse efektet e para të kësaj krize kanë mbërritur. “Sa më pranë tregjeve të mëdha financiare ndodhet një vend, aq më e thellë është kriza. Duke qenë se Shqipëria ka tregje financiare shumë pak të lidhura me tregjet financiare ndërkombëtare, kjo krizë do të ketë ndikim shumë të vogël në raport me krizën botërore”, - vëren ai. Megjithatë, jo çdo problem i ekonomisë shqiptare është efekt i krizës ndërkombëtare.

“Made in Albania”?

Shumë nga problemet e mprehta të ekonomisë vendase nuk kanë lidhje me krizën ndërkombëtare. Përkundrazi, ato janë produkt kombëtar. Pikiata e frikshme e sektorit të ndërtimit, për shembull, ka kohë që ka filluar. Puna ka mbërritur deri aty, sa Shoqata e Ndërtuesve të paralajmërojë zyrtarisht se disa kompani nuk do t’ia dalin të hapin parashutën. Kjo situatë ka të bëjë me mbingopjen e tregut. Sipas imobiliares “Colliers International”, segmenti i ndërtimit të qendrave të biznesit në Shqipëri pritet të përballet me ofertë të tepërt . Projektet në zbatim do ta rrisin ofertën në këtë treg sakaq të ngopur, me 75% brenda pak vitesh. Rezultati nuk ka nevojë për koment...

Nga ana tjetër, deficiti i llogarisë korente filloi të marrë tatëpjetën në vitin 2007, gjatë krizës energjitike. Problemet me kursin e këmbimit lidhen pikërisht me importet e shtrenjta të KESH, sipas shumë ekspertëve, në një kohë kur nuk kishte rezerva të mjaftueshme hidrike. Rreziku i rënies së lekut u paralajmërua nga Banka e Shqipërisë për herë të parë në fillim të vitit 2008 dhe rënia e sotme është përgjithësisht pasojë e dyfishimit të shpenzimeve buxhetore në nëntor-dhjetor. Edhe ky faktor nuk ka lidhje me krizën botërore.

Vetë gjendja mjerane, në të cilën ndodhet sektori bujqësor shqiptar, për shembull, përballë konkurrencës së ashpër nga vendet që e rrethojnë, nuk lidhet me krizën botërore, ndonëse mund të ndikohet prej saj. Ashtu si kreditë e këqija që janë pasojë e konkurrencës së ashpër mes bankave për të tërhequr sa më shumë klientë, në një kohë që të ardhurat e popullatës nuk paraqiten në gjendjen e tyre më të mirë. Sigurisht, efektet e importuara të krizës botërore kanë efektet e tyre në këtë pikë, por nuk janë vetë shkaku i situatës së krijuar.

Kjo është në fakt kriza e vërtetë, e cila lidhet në njëfarë mase me politikat financiare shtypëse të qeverisë ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm, ndonëse, siç dihet, “palca ekonomike e çdo vendi është biznesi i vogël dhe i mesëm”. Nga ana tjetër, mungesa e politikave dhe strategjive për të nxitur prodhimin, sidomos atë bujqësor dhe për të zhvilluar një plan alternativ në zëvendësim të të ardhurave nga emigracioni gjithnjë në ulje - sidomos tani gjatë krizës ndërkombëtare - kanë kontribuar në thellimin e krizës vendase. Dhe shfaqja sapo ka filluar.

Në pak fjalë, thelbi i krizës brenda dyerve, e cila është produkt “Made in Albania”, lidhet me keqmenaxhimin e qeverisë dhe shpërfilljen e rreziqeve që me kalimin e kohës janë mbrujtur duke krijuar sot një efekt ortek në ekonomi. Sigurisht, kriza botërore, veçse e përkeqëson gjendjen.

Brenda stuhisë

Shumëkush mund ta ketë kuptuar tashmë që jemi brenda një krize kombëtare të gërshetuar keqas me atë ndërkombëtare. Por, një krizë e dytë po zhvillohet në vend: kriza e paaftësisë për të pranuar se jemi në krizë dhe për të identifikuar masa lehtësuese. Dhe kjo krizë e vërtetë nuk ka lidhje me falimentin e “Lehman Brothers”, apo me gremisjen lokale të sektorit të ndërtimit. Ka të bëjë mbi të gjitha me mënyrën se si qeveria e sheh situatën e krijuar në vend dhe me masat që duhen marrë.

Ndërsa bota vuan zinxhirin “rritje papunësie - rënie konsumi”, masa antikrizë e qeverisë u iniciua së fundi nga ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana. Sipas Bankës së Shqipërisë, papunësia rezulton të jetë ulur për shkak të ri-klasifikimit të disa mijëra fshatarëve si të vetëpunësuar. Një marifet ky i shpikur dhe i zbatuar me sukses relativ nga qeveria Nano dhe që vazhdon të ndiqet në mënyrë të përshkallëzuar nga qeveria Berisha. Sipas këtij vlerësimi, çdo fshatar i aftë për punë konsiderohet i vetëpunësuar në bujqësi, ndonëse ende sot nuk kemi një raport të besueshëm që ta vërtetojë këtë skenar.

Ky rregullim në vetvete nuk thotë ndonjë gjë të madhe, përveçse gënjeshtrat importohen të paktën, po aq kollaj sa krizat. Por, nga ana tjetër, ato nuk japin zgjidhje për krizat. Punësimi i rregulluar në statistika nuk ndikon në rritjen e vërtetë të punësimit dhe për rrjedhojë nuk ka efekte në ekonominë reale për sa i përket masave antikrizë.

Ndërkaq, ministri i Financave ka deklaruar se duhet nxitur konsumi, çka bie ndesh me këshillën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ruajtur stabilitetin ekonomik. Në këtë pikë, ekonomistët ndahen mbi rreziqet dhe përfitimet e secilës masë. Por diçka dihet me siguri. Një rritje konsumi do të rezultonte në zhvlerësim të mëtejshëm të lekut. Dhe, nëse monedha vendase sakaq konsiderohet e zhvlerësuar kundrejt monedhave të tjera, niveli aktual mund të jetë vetëm fillimi.

Nga ana tjetër, një rrezik real në kushtet e krizës janë zgjedhjet dhe buxheti aktual, i cili në traditën e çdo buxheti parazgjedhor të çdo qeverie shqiptare, nuk parashikohet të përdoret për qëllime të virtytshme. Ndërkaq, është detyrë e kësaj qeverie të ndërmarrë masa, para se të jetë shumë vonë dhe të mbërrijë ai çast, kur ndërhyrjet e emergjencës të jenë me karakter reanimacioni.

Shfajësimi perfekt & alternativa opozitare

Në këto kushte, në vend që të përgënjeshtrojë një krizë reale dhe të dukshme, qeveria shqiptare ka shansin historik që keqmenaxhimin e saj politik dhe ekonomik t’ia veshë krizës ndërkombëtare. Mjafton ta thotë dhe pasojat elektorale ka gjasa të mos jenë aq të mëdha sa çdo të ishin në rastin e kundërt. Gjithashtu, mund të përgatisë një paketë ndihme enkas për bankat në mënyrë që të mos cenohet kreditimi nga mëdyshja e konsumatorëve. Një paketë shpëtimi për sektorin e ndërtimit mund të jetë një tjetër zgjidhje. Qeveria mund të blejë apartamente nga ndërtuesit me çmim kostoje dhe një pjesë t’ua japë të pastrehëve me qira ose jo, ndërsa pjesën tjetër ta ruajë si një lloj fondi të veçantë. Sipas zërave mes ndërtuesve, të cilët e kanë kërkuar sakaq një ndërhyrje të qeverisë, diçka të tillë, e gjithë kostoja e paketës nuk do t’i kalonte 40 milionë eurot. Ndërtuesit mbartin tashmë barrën e mëkatit - pasojë e injorancës apo vetëbesimit të tepruar - duke qenë se nuk e panë kurrë këtë çast të vinte, derisa ai erdhi. Një mësim i hidhur se nuk mjafton “ta hudhësh lekun” që investimi të rezultojë i suksesshëm, sikundër nuk mjafton të bësh banjë që të quhesh i qytetëruar. Ajo çka ndërtuesit nuk thonë është se kjo masë mund të shërbejë si një aset i hatashëm elektoral në dorë të çdo qeverie, qoftë për ndihmën që i ofrohet sektorit, apo për lëmoshën që u jepet të pastrehëve.

Opozita nga ana tjetër duhet “të hedhë gurin e parë” dhe të pranojë krizën, duke akuzuar qeverinë se nuk po merr masa. Në këmbim mund të ofrojë një paketë reale antikrizë dhe t’ia paraqesë opinionit publik dhe institucioneve ndërkombëtare. Një opozitë aktive në planin e ekonomisë që jo thjesht evidenton problemet, por jep alternativa për zgjidhjen e tyre, ka gjasa të shihet me sy të mirë nga elektorati. Të paktën kështu thotë historia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›