Flamuri shqiptar ngrihet në Norfolk, Virxhia
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Departamenti i Mbrojtjes do të mbështesin e ndihmojnë Shqipërinë në procesin e asgjësimit të municioneve të tepërta dhe në vijimin e reformave. Këtë garanci e mori Ministri Shqiptar i Mbrojtjes Oketa në Pentagon gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes z. Robert Gates.
Në vizitën e tij dyditore në SHBA, Oketa pati një takim pune me kreun amerikan të mbrojtjes, i cili e siguroi se do ti japë ndihmesën e tij dhe të institucionit që ai drejton në fushën e mbrojtjes. Ministri Oketa falenderoi në mënyrë të veçantë Qeverinë amerikane për mbështetjen dhe ndihmën e madhe që kanë dhënë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Gjatë këtij takimi u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, kontributet në operacionet paqeruajtëse dhe ecurinë e procesit të reformave në vend dhe në Forcat e Armatosura të Shqipërisë.