Leskaj: Berisha e ka harruar Shqipërinë, sepse familja e tij është e pasur
Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist, Valentina Leskaj është ndalur dje në qytetin e Gramshit, në kuadrin e prezantimit të Programit të Ri Qeverisës. Gjatë takimit me qytetarët, Leskaj ka folur rreth problematikave kryesore që shqetësojnë të gjithë shqiptarët, siç janë shëndetësia dhe arsimi.
Sipas Leskaj, qeveria, e cila po mbyll mandatin 4-vjeçar, nuk i kushtoi rëndësi spitaleve, personave me aftësi të kufizuar, apo edhe shkollave, pasi më shumë mendoi për tu pasuruar vetë. Pas 28 qershorit, me ardhjen në pushtet të Koalicionit Bashkimi për Ndryshim, të kryesuar nga Partia Socialiste, jeta e njerëzve kudo që ndodhen, në çdo cep të Shqipërisë, do të ndryshojë për mirë, falë Programit të Ri Qeverisës, theksoi Valentina Leskaj, sipas së cilës, Kryeministri e ka harruar se çfarë është Shqipëria, sepse familja e tij biologjike dhe politike, janë sot njerëzit më të pasur të Shqipërisë, janë njerëzit që kanë okupuar të gjitha pronat dhe pasuritë e këtij vendit. Ka 4 vjet, që Sali Berisha dhe qeveria e tij, thotë e flet për liberalizimin e vizave. Nuk ka një burrë e një grua në këtë sallë, që të më thotë, ka lehtësi për vizat, përkundrazi, janë edhe më të vështira sot, përfundoi Leskaj.