Konfindustria, thirrje pakicës për votimin e Gjykatave Administrative
Konfindustria, duke shfrytëzuar shtyrjen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë deri në datën 28 maj 2009, i bën thirrje partive politike dhe gjithë deputetëve dhe veçanërisht përfaqësuesve të pakicës për të treguar pjekuri dhe përgjegjshmëri shtetformues për të miratuar projektligjin e Gjykatave Administrative në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe biznesit shqiptar.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Konfindustria kërkon mospërdorimin politik në shërbim të zgjedhjeve të afërta të përgjithshme të miratimit të projektligjit të Gjykatave Administrative. Sipas tyre, mënyra më e mirë për të ndalur çdo spekulim zgjedhor dhe me natyrë politike është miratimi i njëzëshëm nga deputetët e të gjitha ngjyrave i projektligjit të Gjykatave Administrative. Domosdoshmëria e 84 votave për të miratuar projektligjin në fjalë e bën, pa përjashtim të gjithë vendimmarrjen politike bashkëpjesëmarrëse në sukses dhe mënjanon çdo përpjekje për përfitime zgjedhore nga cilado parti e veçantë, thuhet ndër të tjera në deklaratën e tyre. Ndër të tjera theksohet se kërkesa e vendosur dhe e qartë e gjithë biznesit shqiptar për ndërtimin sa më të shpejtë të Gjykatave Administrative si pjesë e munguar e domosdoshme e sistemit të drejtësisë si dhe fushata zgjedhore në zhvillim e sipër, japin rastin më të mirë për partitë politike për të treguar se pushtetin nuk e kanë qëllim në vetvete, por e kërkojnë për ndërtimin e shtetit demokratik në shërbim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve shqiptar.