E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, për jetë a vdekje kundër Teutës

Nga LEONARD TREBICKA

Bregdetarët janë në krye të superligës, por ujqërit janë gati ta kafshojnë Teutën brenda në shtëpi, pasi nuk kanë rrugë tjetër

Nëse ka një ndeshje që mund të quhet për jetë a vdekje për Skënderbeun, pa dyshim që është kjo e nesërmja në Niko Dovana të Durrësit, ku kampionët e vendit me vetëm 6 pikë në renditje, do të përballen me kryesuesen e momentit për këtë superligë, Teutën, që ka deri tani dyfishin e pikëve të kampionëve.

Atmosfera në kampin korçar duket se është optimiste për ndeshjen e së dielës, ndërkohë që me një barazim dhe me një fitore në kupë, Stanislav Levi ka provën e tij në krye të pankinës korçare. Në Korçë besojnë shumë se Skënderbeu ka për tia dalë në këtë 90-minutësh, por kjo nuk është në dorë të tifozëve apo fanatikëve të futbollit në këtë qytet, pasi e kanë në dorë vetë lojtarët në fushën e lojës.

Futbollistët Dje, ka qenë dita e 11-të që të gjithë lojtarët e Skënderbeut nuk po prononcohen për mediat. Një urdhër i ardhur nga stafi i ri teknik nga Çekia, ka bërë që të gjithë lojtarët të mos flasin më, ndërkohë që flitet se kjo heshtje do të zgjasë deri në fundin e sezonit, një kohë shumë e gjatë, por që në ditët në vazhdim do të gjendet edhe një zgjidhje. Edhe vetë lojtarët i ka marrë malli të prononcohen nëpër media, ndërkohë që këtë heshtje askush nuk mund ta thyejë, pasi rregullorja e bën të qartë mirë, që kush flet, gjobitet dhe më pas pezullohet.

Kjo dorë e hekurt e Levit ka sjellë edhe reagime nga disa lojtarë të ndryshëm, të cilët në heshtje, por duke u lutur që emri i tyre të mos dalë, e kanë cilësuar një diktaturë të trajnerit dhe ata vetë besojnë se kjo nuk ka për të zgjatur shumë. Gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet telefonit, një prej futbollistëve korçarë, që pa dyshim që ka kërkuar të mos i bëhet publik emri, i pyetur në lidhje me ndeshjen e së dielës, për gazetën ka pohuar:

Heshtja e futbollistëve nuk vjen nga ne, por është një vendim i vetë stafit dhe ne do ta respektojmë këtë heshtje deri në fund. Gjithsesi, në këto ditë qëndrimi në Durrës kemi menduar vetëm për ndeshjen e së dielës me Teutën, një sfidë që vlen vërtet shumë dhe që ne na është kërkuar që ta fitojmë patjetër.

Transfertat Ndërkohë që të gjithë te Skënderbeu besojnë dhe shpresojnë që kanë për tia dalë në Durrës, ajo që duhet të themi për kampionët është fakti se në dy ndeshje të luajtura jashtë deri tani në 5 javët e kësaj superlige, Skënderbeu nuk ka arritur të shënojë asnjë fitore. Në javën e 2-të, në kryeqytet ndaj Dinamos, kampionët morën një barazim të bardhë 0-0, ndërkohë që në javën e 4-t, në Laç, Skënderbeu pësoi humbjen e parë të sezonit.

Pra, një barazim dhe një humbje, shumë pak për një skuadër kampione dhe me synime të mëdha, ndërkohë që kjo transfertë e kësaj të diele do të jetë e treta për Skënderbeun. Korçarët sezonin e kluar kanë humbur në një takim të luajtur në Durrës, ndërkohë që duhet thënë se sa herë që Skënderbeu lë Korçën për të luajtur jashtë shtëpisë së vet, nuk ka arritur të marrë dot rezultate pozitive. Historia është histori, por ujqërit këtë të diel janë gati ta kafshojnë Teutën e kreut të superligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›