E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari nuk gabon edhe në kryeqytet

Ndeshja e dytë e finaleve të play off-it për femra pati sërish si protagonist ekipin e Flamurtarit. Vlonjatet e drejtuara nga trajneri Toska fituan me rezultatin e thellë 72-101 ndaj DHL-së në transfertën e luajtur ditën e djeshme në pallatin e sportit "Asllan Rusi". Kështu bregdetaret e shohin veten në avantazh të dy takimeve dhe një fitore e tretë në Vlorë do t'i shpallte ato kampione të Shqipërisë. Fakti që kishin kaluar një provë, të besuarat e Toskës vinin më të karikuara në kryeqytet. Kjo u duk në përfundim të katër periodave ku e përfundojnë garën në kuotën e tre shifrave, ku për basketbollistet e Flamurtarit nuk ishte ndonjë gjë e re pasi e kishin arritur edhe në sezon jo pak herë ndaj rivaleve të tyre. ‘Armata' vendase e drejtuar me meritë nga kapitenia e saj, Përmeti mundi t'i rivalizojë mikeshat vetëm në periodën e parë. Madje në fillim të këtyre dhjetë minutave e panë veten edhe në avantazh 11-9, 16-12. Më keq nuk kishte ku të shkonte për ekipin e Grevës pasi vetëm dy minuta nga fundi i periodës së parë dëmtohet Lamce. Avantazhi i DHL-së nuk zgjat shumë pasi ekuilibri në pikë do të vendosej nga Artemida Myrto me gjuajtjet e lira. Por Përmeti finalizon saktë dhe 18-16 për DHL-në. Në këtë cast janë lojtaret nga Vlora që me pesë pikët e radhës do ta conte rezultatin në 18-21 dhe duke e mbyllur këtë periodë 19-21. Perioda e dytë starton me dy trepikësha, fillimisht Përmeti e DHL-së dhe pas saj, po Përmeti por e Flamurtarit. Nga ky moment fillon furia e Flamurtarit e cila tashmë shkëputet 25-37, 28-42. Në fund të periodës së tretë Ina Përmeti ekzekuton saktë edhe një tre pikësh tjetër. Lojë të mirë për DHL-në bënë kapitenia Përmeti, Hoxha, Cani ndërsa për Flamurtarin mirë u paraqitën Hasanaj, Përmeti dhe Plasa. Duel i fortë u duk mes Hoxhës së DHL-së dhe Hasanaj. Edhe në periodën e tretë dhe të katërt nuk ndyshon ndonjë gjë në lojë përvec se epërsisë së vlonjateve me 30 pikë. Për pak minuta Toska i beson edhe Cakicit dhe Demirajt. Flamurtari udhëheq 2-0 dhe tani presin triumfin e radhës.

DHL-Flamurtari 72-101
(19-21, 13-28, 17-23, 23-29)

DHL: F. Përmeti, E. Mehmeti, M. Sinani, D. Mema, S. Toce, N. Gerbi, D. Mehmeti, A. Cani, R. Hoxha, E. Lamce. K. Galica
Trajner: A. Greva
Flamurtari: E. Hasanaj, E. Deneko, V. Sako, M. Plasa, B. Cakici, A. Myrto, A. Demiraj, M. Baxhaj, A. Gjoka, O. Rrapaj, I. Përmeti
Trajner: V. Toska
Gjyqtarë: Sh. Bekteshi, G. Shaqiri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›