Tirana fiton sërish dhe i afrohet titullit

Olgert Serani (Panorama Sport)- Derbi finalist i kryeqytetit Partizan-Tirana i është rikthyer parketit të "Asllan Rusit" për herë të dytë për titullin kampion brenda katër ditëve. Bardheblutë e tekniku Avrami përsëritën suksesin e datës 28 prill, por këtë herë me rezultatin 63-79. Me këtë fitore të arritur dje tashmë Tirana shkon edhe më e motivuar në derbin tjetër të 6 majit, ku një fitore e tretë do ta shpallte matematikisht kampione të Shqipërisë, trofe i cili u mungon prej sezonit sportiv 2001-2002. Ndryshe nga finalja e parë të veshur me të bardha, dje basketbollistët e Tiranës kishin zgjedhur fanelat me ngjyrë blu. Edhe Partizani u ngjit në parket me një tjetër "look", këtë herë jo me të kuqe, por me të bardha. Ndërsa në përballjen e parë pati shumë emocion, histori dhe lojë sportive, kjo shumë pak u vur re dje nga të dyja kampet. Nga të paktit që nuk zhgënjeu në parket ishte Shima, i cili edhe ditën e djeshme u rendit në krye të pikëshënuesve, plot 25 të realizuara sikurse të njëjtën gjë e bëri edhe të hënën. Të kuqtë e nisin mbarë periodën e parë. Në fund të këtyre dhjetë minutave, të besuarit e Fagut ndodhen në avantazh të 3 pikëve, 17-14. Dhe gjithcka u mendua se kjo do të ishte kthesa e "demave të kuq" për këtë finale. Por vetëm kaq pasi në periodën e dytë, basketbollistët e Tiranës nuk humbasin kohë dhe i marrin ata frenat e lojës duke dominuar dhe thelluar rezultatin në +13 pikë ndaj Partizanit "vendas". E njëjta panoramë u pa edhe në periodën e tretë, e cila fillon me një tentativë të kapitenit Karaj, por që mbyllet pas sukses nga ana e tij. Numri 10 i Tiranës shkakton faull dhe topi kalon për Partizanin. Këta të fundit preferojnë më shumë të qarkullojnë topin se sa të sulmojnë kundështarin. Tirana tregon superioritet jo vetëm në lojë dhe në pikë, por edhe në ekzekutimin për 3 pikë. Goditja e saktë e Gerti Shimës dhe pas tij ajo e Erkand Karaj do t'ia bënte edhe më të vështirë ndeshjen të kuqve pasi, që tashmë ishin 20 pikë diferencë. Pak minuta edhe për shtatlartin bardheblu Hasani, që zë vendin e Sukajt me numër 8-të. Megjithëse tabela elektronike shënonte 56-73, Partizani gjen forcën të bëjë edhe pak "shoë" në parket me anë të Ismetit. Por nuk kishte më kohë për ndonjë cudi.
Partizani-Tirana 63-79
(17-14, 13-29, 15-26, 18-10)
Partizani: Isaku, Kuqo, Canaj, Topi, Kozeli, Skanja, Ivezaj, Biberaj, Talelli, Hysenagolli, Ismeti
Trajner: A. Fagu
Tirana: Jani, Caci, Dami, Paloka, Sukaj, Garo, Karaj, Ago, Mema, Hasani, Lame, Shima
Trajnerë: R. Avrami, A. Selmani
Gjyqtarë: E. Koci, G. Cici, A. Shundi
MESHKUJ/Finale
Ndeshja I,
Tirana – Partizani 77-69
Ndeshja II,
Partizani – Tirana 63-79
Ndeshja III, 6 maj
Tirana – Partizani
Ndeshja IV, 9 maj*
Partizani – Tirana
Ndeshja V, 13 maj
Tirana – Partizani*
* nëse do të jenë të nevojshme