“Kadare ndryshe” sipas gazetares së “DW”
Librat për Kadarenë shtohen me një titull të ri. Është gazetarja e radios gjermane "Deutsche Welle", Mimoza Çika-Kelmendi, që del përpara publikut me librin kushtuar shkrimtarit më të njohur shqiptar në nivel botëror. "Kadare ndryshe" është libri që e sjell shkrimtarin përmes angazhimit publik dhe jetës private. Kadare ka qenë shumë i kursyer në dhënien e intervistave për jetën e tij si individ, si njeri që jeton si gjithë të tjerët... Shumë herë janë bërë përpjekje për të ndërhyrë në këto të fshehta. Por, pa ndonjë sukses. Në këtë libër të ri të gazetares Mimoza Kelmendi, shkrimtari Kadare hap një dritare të vockël për të parë diçka jo në studion e tij (këtë na e ka dhuruar bujarisht në "Ftesë në studio"), por në brendësinë e jetës së tij. Gazetarja shqiptare e Radios Deutsche-Welle, Mimoza Çika-Kelmendi, e ka ruajtur fjalën e Kadaresë bisedë pas bisede dhe tani na ofron një libër që mund të quhej "Shqipëria në 20 vjet në vështrimin e I. Kadaresë". Libri është ndryshe prej bashkëbisedimeve akademike me Alain Bosquet ("Dialog me Alain Bosquet"), Denis Fernandez Rècatala ("Kohë barbare: nga Shqipëria në Kosovë"), me Ukshin Hotin ("Bisedë përmes hekurash") apo me Stephane Courtois (La vérité des souterrains"). Është ndryshe sepse thjesht është shqiptuar, nuk ka dalë nga ndonjë laborator. Është ndryshe sepse "scripta manent, verba volant". "Verba volant"? "Libri "Kadare ndryshe" na provon se fjalët fluturojnë kur s'kanë ç'thonë. Ndryshe ato mbeten dhe bëhen libra, dhe kështu plotësojnë jo vetëm qëllimet profesionale të një gazetari, por edhe profilin e shkrimtarit. Ky është një Kadare sa ndryshe, po aq dhe ai vetë", shkruan në parathënie të librit recensenti dhe studiuesi i njohur i veprës së Kadaresë, Prof. Dr. Shaban Sinani.