E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tisa, Hungaria “braktis” 16 kosovarët e tragjedisë

 

Policia hungareze, pas dhjetë ditësh, ka ndërprerë kërkimet e trupave të 16 kosovarëve që dyshohen se janë mbytur në lumin Tisa.“Mundësitë që të gjenden trupa të tjerë në anën tonë, pas gjithë këtyre kërkimeve, janë tepër të vogla, për të mos thënë inekzistuese”, është shprehur zëdhënësi i policisë së Hungarisë, Szabolcs Szenti. Tre janë trupat që janë gjetur deri tani nga autoritet hungareze e serbe në dy anët e lumit Tisa. Tre njerëz të tjerë kanë mbijetuar, ndërsa 16 konsiderohen të zhdukur. Një ditë më parë mbi 20 persona u arrestuan nga policia e Kosovës, Serbisë dhe Hungarisë për përfshirje në trafikun e qenieve njerëzore. Kosovarët që humbën në Tisa po kalonin ilegalisht kufirin për të hyrë në një vend të BE-së. Me gjithë deklaratat e policisë hungareze, autoritetet në Kosovë nuk pranojnë përfundimin e hetimeve në këtë vend. Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, thotë se ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sabri Kiçmari, ka disa ditë që po qëndron në Hungari dhe nuk ka informacione, se autoritetet e këtij vendi i kanë ndërprerë kërkimet. “Ne nuk kemi marrë ndonjë deklarim të tillë nga ana e autoriteteve hungareze. Kemi ekipin tonë atje. Ne, si Ministri e Punëve të Jashtme, jemi të rezervuar nga deklarimet për të mos penguar hetimet, për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, tha ajo. Hetimet për rastin e mistershëm po udhëhiqen nga EULEX-i. Sipas autoriteteve të misionit evropian në Kosovë, një person është dorëzuar vullnetarisht në Policinë e Kosovës, duke pranuar përfshirjen e tij në rastin e lumit Tisa. Ai i ka thënë policisë së u ka marrë familjeve që donin të kalonin përtej kufijve nga 6 deri në 8 mijë euro. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë jashtë Kosovës, që kishin lidhje me këtë ngjarje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se hetimet po zhvillohen si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës. “Ne mund t’ju themi se tanimë dy zyrtarë policorë të shtyllës së hetimeve, së bashku me prokurorin e rastit, kanë udhëtuar për në Hungari, në mënyrë që të arrihet deri te zbardhja e këtij rasti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›