Majkëll Xhekson në Tiranë me filmin “This is it”
Një dhuratë për të gjithë fansat e popstarit. Një udhëtim i jashtëzakonshëm, në botën e këngëtarit që bëri epokë. “This is it” është filmi kushtuar yllit të muzikës pop, Majkëll Xhekson, i cili në të njëjtën kohë me të gjitha kinematë në botë, do të ketë premierën edhe në Tiranë. Sipas zyrës së shtypit pranë kinema “Millenium”, ku ky film do të ketë premierën në datën 28 tetor, interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe janë shitur të gjitha biletat për nesër mbrëma. Ndërkohë, kinema “Millennium” duke iu përgjigjur interesimit të publikut ka lënë të hapura edhe prenotimet apo shitjet për datën 29 tetor e në vijim, kur dokumentari do të shfaqet në të gjitha seancat. Por “Millennium” ka menduar të sjellë ofertën e saj të radhës për këtë premierë. Dhe oferta i drejtohet pikërisht fansave të këngëtarit. Secili prej tyre që ka dëshirë të performojë si Majkëll Xhekson para premierës, më 28 tetor, do t’i dhurohet bileta e premierës, (duke iu rimbursuar bileta e blerë më parë). Premiera e “This is it” është krejt ndryshe nga premierat e realizuara deri më sot nga kinema “Millennium”. Ndryshimi i saj qëndron në nivelin botëror të projeksionit të parë, ku përfshihet edhe kryeqyteti shqiptar. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me konceptimin e saj, pasi këtë herë premiera është e hapur për të gjithë ata që e dëshirojnë, ashtu sikundër edhe muzika e Majkëll Xhekson ishte e të gjithë publikut në mbarë botën. Nga ana e saj kinema “Millennium” mirëpret të gjitha format e homazheve që fansat do të dëshirojnë të bëjnë para premierës.