E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet Barak Obama: Si do ta drejtoj Amerikën

Pavarësisht se ju ndan edhe
një javë nga inaugurimi si
President i Shteteve të
Bashkuara, ju ndiheni tashmë
i tillë?
OBAMA: Jo.
Para intervistës me ju, kemi pyetur
teleshikuesit se çfarë do të
dëshironin të dëgjonin prej jush
dhe si përgjigje kemi marrë prej
tyre qindra faqe me pyetje nga më
të ndryshmet, thuajse të gjitha për
ekonominë. Kjo nuk ka nevojë për
koment, duke qenë se ajo është
çështja e ditës. Nëse do t‘i përmblidhnim
të gjitha pyetjet në një
të vetme, ajo do të ishte: A mund
ta shpëtoni ekonominë?
OBAMA: Po, mendoj se mund t‘ia dalim
mbanë. Por për këtë do të duhet ca kohë.
Nuk bëhet fjalë për një ndryshim brenda
natës. Ajo çka jemi munduar të bëjmë javën
e fundit, para së gjithash ka të bëjë me
shpjegimin dhe kuptimin e situatës. Java
që lamë na ofroi një shifër të tmerrshme
të papunësisë në vend, më të rëndën që
pas Luftës së Dytë Botërore. Pra kemi si
fillim një shkallë papunësie të jashtëzakonshme
dhe të gjithë treguesit e tjerë
ekonomikë flasin qartë dhe pa ekuivoke
për një ekonomi në recesion, madje në
recesionin më të thellë që pas periudhës
së Depresionit të Madh. Kjo situatë kërkon
kohë për t‘u zgjidhur dhe ne ndërkohë
jemi përpjekur të organizohemi e të planifikojmë
gjërat për të vepruar në spektër
të gjerë dhe sa më shpejt. Duam që jo
vetëm t‘i japim një nxitje të menjëhershme
ekonomisë dhe të shpëtojmë 3 milionë
vende pune që na kërcënohen, por edhe
të merremi me zgjidhjen e disa problemeve
strukturore të ekonomisë.
Propozimi juaj për paketën e
stimulit ekonomik është pritur
mirë në Kongres, por ndërkohë
keni marrë disa shenja mospranimi
nga Senati, veçanërisht për sa i
përket pjesës së reduktimit të taksave.
A mendoni se shkurtimi i taksave,
sidomos ndaj bizneseve, do
të funksionojë për sa i përket
krijimit të vendeve të reja të punës?
OBAMA: Le ta shohim paketën në
tërësi dhe si e tillë ajo është një paketë
shpenzimesh të drejtpërdrejta nga ana e
qeverisë. Me anë të kësaj pakete ne do të
bëjmë shumë gjëra dhe njëherazi do të
synojmë gjetjen dhe prodhimin e energjisë
përmes burimeve alternative për
të krijuar një sistem energjetik më efikas.
Kjo do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm
në të gjithë ekonominë, vit pas viti.
Mendoj se mund të krijojmë një ekonomi
të re "të gjelbër", çka sipas meje përbën
edhe një nga çështjet kyçe të shekullit
XXI. Kujdesi shëndetësor është një tjetër
pikë kyçe ku do të investojmë, e më pas do
të tregojmë një vëmendje shumë të madhe
edhe në teknologjinë e informacionit;
do të përditësojmë sistemin e punësimit;
do të reduktojmë gabimet në mjekësi,
duke synuar gjithmonë që t‘ua pakësojmë
njerëzve shpenzimet e kota. Për sa
i përket arsimit, duam të krijojmë klasa të
denja për shekullin tonë, ku çdo fëmijë
dhe çdo përfaqësues i komuniteteve të
ndryshme si në shkollat publike, ashtu
edhe në shkollat private, të ndihet se është
aty ku ka vendin. Për këtë do të bëjmë
investime që synojnë ardhmërinë; veç
kësaj do të ndërtojmë rrugë të reja e do të
ndreqim ato ekzistueset; do të ngremë ura
e të tjera e të tjera. Tani të vijmë te pyetja:
A ndihmon reduktimi i taksave në efikasitetin
e stimulit ekonomik? Unë mendoj
se një manovër e tillë nuk ndihmon në të
njëjtën masë sa ç‘mund të ndihmojnë projektet
e drejtpërdrejta, por edhe ato japin
ndihmën e tyre, veçanërisht nëse fokusohen
te njerëzit që kanë me të vërtetë
nevojë për një gjë të tillë. Numri i familjeve
amerikane që po vuajnë ekonomikisht
është shumë i madh dhe mendoj se
reduktimi i taksave do t‘ua lehtësonte
dhimbjen. Megjithatë, unë jam i hapur për
çdo lloj propozimi apo ndryshimi. Nëse
njerëzit do të kenë ide më të mira për
përmirësimin e situatës së përbashkët,
nëse mendojnë se ndërmarrja e një mase,
apo një tjetre është më efikase, ata janë
më se të mirëpritur. Kësisoj do të kemi një
proces bashkëpunues dhe konsultues në
Kongres, duke filluar që në ditët në vijim.
Por ajo çka është e rëndësishme është se
sa më shpejt të miratohet kjo paketë, aq
më mirë do të jetë për ekonominë. Nuk
mund t‘i lejojmë vetes humbje kohe, pasi
çdo vonesë do të përkthehet në humbje
të vendeve të reja të punës. Aktualisht po
humbasim gjysmë milioni vende pune në
muaj.
Një tjetër aspekt i paketës së
stimulit është shpëtimi i situatës
financiare. Cili mendoni se është
ndryshimi mes shpenzimit që i ka
bërë Bush 350 miliardëshit të parë
të paketës prej 700 miliardësh dhe
atij që do t‘i bëni ju?
OBAMA: Ajo që duhej bërë fillimisht,
kur nisi kriza, ishte mbajtja e sistemit financiar
të stabilizuar e më pas duhej rregulluar
edhe kredidhënia për familjarët
dhe bizneset. Paketa e shpëtimit ishte në
parim e domosdoshme, por siç kemi konstatuar,
jemi të zhgënjyer me vazhdimësinë
e procesit. Sipas një raporti të javës së
kaluar, nuk është shumë e qartë se ku ka
shkuar një pjesë e mirë e parave. Nëse do
t‘i hidhnim një sy mënyrës se si e kemi
menaxhuar krizën financiare, se sa paratë
që kemi dhënë kanë ndihmuar familjet në
nevojë për përballimin e situatës, do të
thosha se nuk kemi bërë aq sa duhet. Unë
i kam kërkuar stafit tim, që në radhë të parë
të gjejë një strategji të përshtatshme për
të qenë sa më transparentë në lidhje me
përdorimin e parave në të gjitha drejtimet.
Destinacioni i 350 miliardëshit të dytë duhet
të përcaktohet hollësisht deri në detaje
dhe ne duhet të fitojmë besimin e
popullit dhe të Kongresit se paratë nuk
ishin vetëm për të shpëtuar bankat nga
rrënimi financiar pa asnjë lloj mbikëqyrjeje,
por se këto para janë në radhë të parë
për të rivënë ekonominë në punë, pra për
të ndihmuar bizneset dhe familjet në
nevojë.
Kur konsideroni të gjitha premtimet
që keni bërë si President dhe
njëherazi përballeni me tërë këto
probleme komplekse, me shumë
zhvillime të papritura, a e keni
menduar se ka objektiva prej të
cilave duhet të hiqni dorë?
OBAMA: Në shkurt do të prezantojmë
një buxhet dhe siç kemi mësuar këtë javë,
do të trashëgojmë një deficit buxhetor prej
një trilion dollarësh. Një shifër e padëgjuar
më parë në histori. Pra, një nga gjërat
që kam thënë e përsëritur është se do të
na duhet të bëjmë disa zgjedhje të ashpra
e të marrim vendime të menjëhershme e
ndoshta të dhunshme. Kjo për t‘u siguruar
që në perspektivën afatmesme dhe atë
afatgjatë kurba e ekonomisë do të shkojë
në rritje dhe deficiti do të vendoset nën
kontroll. Muajin e ardhshëm do të kem të
gjitha shifrat dhe raportet e duhura. Mendoj
se në këto momente një nga gjërat më
të vështira është shpenzimi i parave në
mënyrë të mençur e efikase. Së pari i kam
bërë të ditur ekipit tim që të eliminojë të
gjitha programet që nuk funksionojnë.
Jap si shembull kujdesin shëndetësor. Aktualisht
jemi duke shpenzuar shumë para
për të financuar kompanitë e sigurimit në
lidhje me atë që e konsiderojmë Avantazhi
i Kujdesit Shëndetësor. Nëse do të eliminonim
këtë dhe programe të tjera, mund
të arrijmë të shpëtojmë 200 milionë dollarë
dhe t‘i përdorim për të përmirësuar
realisht shëndetin e njerëzve dhe jo në
mënyrë virtuale e të paefektshme, siç ka
ndodhur deri më tani. Pra, sfida jonë do të
jetë që të identifikojmë se çfarë funksionon
dhe çfarë jo dhe të eliminojmë atë që
nuk funksionon. Për të qenë realist dhe
për t‘iu përgjigjur pyetjes suaj, sigurisht
jo gjithçka, për të cilën kemi folur gjatë
fushatës, do të kryhet në kohën që kishim
shpresuar.
A do të kërkojë kjo periudhë
sakrifica nga të gjithë?
OBAMA: Sigurisht që të gjithëve na
duhet të japim, pasi bëhet fjalë për një situatë
që na takon të gjithëve.
Le të kalojmë tani te çështjet e
sigurisë kombëtare dhe ato të politikës
së jashtme. Sot ndodhemi në
javën e dytë të konfliktit mes Izraelit
dhe palestinezëve, për të cilin
ju nuk keni preferuar të ruani pozicion
neutral deri më tani. Megjithatë,
gjatë vizitës suaj në Izrael, në
korrik, keni deklaruar se jeni pro
izraelitëve. Konkretisht ju keni
thënë: "Nuk mendoj se është e
pranueshme për një vend që të
durojë goditje të herëpashershme
me raketa ndaj qytetarëve të tij.
Nëse dikush do të hidhte raketa në
vendin ku flenë vajzat e mia, unë
do të bëja gjithçka brenda fuqisë
sime për ta ndaluar". A u përmbaheni
sërish atyre fjalëve?
OBAMA: Mendoj se çdo vend ka të
drejtë që të mbrojë qytetarët e tij. Këtë
kam pasur parasysh kur bëra atë deklaratë.
Ajo çka jam duke bërë aktualisht
është organizimi i një ekipi që pas 20 janarit
do të nisë menjëherë përpjekjet për
riaktivizimin e procesit të paqes në Lindjen
e Mesme. Ky ekip do të kontaktojë me
të gjithë aktorët në këtë rajon dhe do të
punojë për krijimin e një kornize
strategjike për të mundësuar që si izraelitët,
ashtu edhe palestinezët, të arrijnë
qëllimet dhe objektivat e tyre.
Por në botën arabe heshtja juaj
e deritanishme është interpretuar
ndryshe. Një nga shikuesit tanë ju
bën këtë pyetje: "Përse vazhdon të
qëndrojë i heshtur Obama në
lidhje me krizën e Gazës, ndërkohë
që vriten kaq shumë njerëz të
pafajshëm"?
OBAMA: Unë e kam thënë, se të shohësh
civilë të vrarë, qofshin këta palestinezë,
apo hebrenj, ndihesh njëherazi
zemërthyer. Dhe sigurisht dhe kjo të nxit
më shumë që të ndryshosh atë statusquo
të krijuar në atë rajon që prej dekadash.
Më konkretisht, politika juaj në
Lindjen e Mesme do të jetë vazhduese
e politikës së Bushit, apo do
të shkëputeni prej saj?
OBAMA: Mendoj se lojtarët në rajon
janë të qartë dhe e kuptojnë se çfarë kompromisesh
duhen bërë. Unë mendoj se
Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen
menjëherë në zgjidhjen e situatës dhe jo
të presin pafundësisht.
Sipas disa analistëve, ju do të
përballeni që në ditët e para të administratës
suaj me një konflikt
me Iranin. Jeni dakord me një
parashikim të tillë?
OBAMA: Sigurisht që Irani do të jetë një
nga sfidat tona të mëdha dhe siç e kam
thënë edhe gjatë fushatës zgjedhore, ne
jemi në një situatë ku Irani po eksporton
terrorizëm përmes Hamas-it, përmes
Hezbollah-ut dhe se po vazhdojnë përpjekjen
për të bërë armën bërthamore që
mund të shkaktonte nisjen e një gare armatimi
në Lindjen e Mesme. Ne do të na
duhet një strategji e re ndaj Iranit dhe kjo
do të nisë që në fillim të presidencës. Duhet
filluar me dërgimin e sinjaleve që ne e
respektojmë popullin iranian, por që nga
ana tjetër nuk jemi dakord me disa aspekte
të politikës së vendit. Veprimet tona do
t‘i bazojmë te respekti dhe te dialogu, por
njëherazi edhe te qartësia e linjave të
kufijve që qëndrojnë mes nesh. Veprimet
tona ndaj Iranit do të jenë shumë të shpejta.
Le të flasim për sigurinë e Shteteve
të Bashkuara. Ju nuk jeni
prononcuar shumë në lidhje me të.
Javës që shkoi, një këshilltar i
Bushit, në lidhje me sulmet në
Mumbai, tha: "Një situatë e tillë
mund të ndodhë edhe në qytete
amerikane dhe drithërohesh kur
imagjinon një gjë të tillë". Ju që
merrni përditë informacionet e
shërbimeve të fshehta në lidhje me
sulme të mundshme ndaj vendit,
a jeni dakord me një thënie të tillë?
OBAMA: Siguria kombëtare do të jetë
vazhdimisht një prioritet i yni. Sigurisht,
kur kujton atë që ndodhi në Mumbai,
duhet të tregohesh i vëmendshëm. Mendoj
se ka gjithmonë rreziqe dhe se duhet
të mësojmë prej ngjarjeve të tjera. Ndaj
duhet të jemi vigjilentë dhe të vazhdojmë
përqendrimin ndaj Al Kaedës, shkatërrimi
i së cilës është objektivi ynë kryesor.
Siguria kombëtare është parësore dhe do
të mbetet e tillë.
Edhe njëherë po ua bëj pyetjen:
Nga sa keni lexuar në burimet e
shërbimeve të fshehta, a ndodhet
vendi ynë i ekspozuar ndaj rrezikut
si në periudhën gjatë fushatës
zgjedhore?
OBAMA: Nuk mund të flas me detaje,
por ka përparime në disa fusha dhe sigurisht
ka zona që janë ende të rrezikshme.
Rreziqet nuk mund të eliminohen menjëherë.
Zëvendëspresidenti Çeni po jep
intervista të shumta. Në njërën prej
tyre ai deklaroi se politikat antiterorizëm
të Bushit i kanë bërë Shtetet
e Bashkuara më të sigurta.
Dhe madje ai e tha këtë edhe në
formë këshille për ju. E pranoni një
këshillë të tillë prej tij?
OBAMA: Mendoj se ishte një këshillë
shumë e mirë ajo, që para se të bëjmë
gjykime e të japim vlerësime, duhet të njohim
mirë gjërat dhe të kemi informacion
të plotë për to. Kjo pjesë e fjalës së Çenit
është me shumë vlerë. Mendoj se nëse
Çeni do të ishte këtu përballë meje, ne të
dy do të kishim disa mosmarrëveshje prin
cipale në lidhje me disa gjëra të cilat të dy
e dimë se kanë ndodhur.
Si për shembull?
OBAMA: Për shembull, unë mendoj
se Çeni vazhdon të mbrojë ato që ai i quan
masa të jashtëzakonshme, apo procedura
të përdorura në hetimet e terroristëve.
Këtu futet "zhytja në ujë" e përdorur në
hetime, që për mua është një torturë. Unë
kam deklaruar se në administratën time
nuk do të ketë tortura.
Kjo do të thotë se nuk do të ketë
më programe speciale të CIA-s?
OBAMA: Nuk mund të jem specifik
këtu. Ajo që mund të them është se gjatë
fushatës, edhe pse unë dhe MekKein
kishim shumë diferenca në lidhje me
shumë çështje, për sa i përket përdorimit
të torturave ishim në një mendje.
Ju keni qenë në një mendje edhe
për sa i përket mbylljes së Guantanamos
dhe ju vazhdoni të jeni i
këtij mendimi. Por po del të jetë
më e vështirë nga sa e prisnit. A
vazhdoni të mendoni ende se do
ta realizoni objektivin tuaj brenda
100 ditëve të para në pushtet?
OBAMA: Sigurisht që është e vështirë
dhe shumëkush e kupton se është
pjesë e sfidës për ndryshim. Është një situatë
komplekse.
Një nga pyetjet më të shpeshta
që ju është bërë edhe në uebsajtin
tuaj është: "A do të emëroni një
prokuror të posaçëm, ndoshta
Patrick Fitzgerald, për të hetuar në
lidhje me krimet më të mëdha të
kryera nga administrata e Bushit,
përfshi torturën dhe përgjimet e
paligjshme"?
OBAMA: Jemi ende duke vlerësuar se
në ç‘mënyrë do të përballim gjithë çështjet
e hetimeve, burgosjeve e kështu me
radhë dhe sigurisht që do të marrim në
konsideratë të gjitha praktikat e kaluara
dhe nuk mendoj se në këtë rast askush
nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Nga ana
tjetër, unë kam gjithashtu një bindje që
ne duhet të shohim përpara dhe pjesë e
punës sime do të jetë që të siguroj të gjithë
njerëzit, përfshi edhe punonjësit e talentuar
të CIA-s, që ata nuk do të ketë nevojë
të shohin gjithë kohës pas.
Po në lidhje me komisionin e
ngjarjeve të 11 shtatorit, çdo të
bëni?
OBAMA: Ende nuk kemi marrë një
vendim përfundimtar, por instinkti më
thotë që të përqendrohemi në mënyrën
më të mirë për të ecur përpara dhe për të
bërë gjënë e duhur. Kjo nuk do të thotë që
nëse dikush e ka shkelur ligjin në mënyrë
flagrante, do të qëndrojë mbi ligjin, por orientimi
im është që të shkojmë përpara.
Më lejoni të këmbëngul edhe
njëherë. Ju nuk përjashtoni ndërmarrjen
e hetimeve për rastet e
paligjshme?
OBAMA: Mendoj se kur vjen puna te
Prokurori i Përgjithshëm, ai për mua është
Avokati i Popullit. Detyra e tij është
mbrojtja e Kushtetutës dhe ndjekja e interesave
të popullit amerikan. Unë mendoj
edhe në këtë rast se ajo çka duhet të
bëjmë është që të shohim drejt të
ardhmes dhe jo të mbetemi në defektet e
së shkuarës.
Më lejoni tani t‘ju pyes në lidhje
me ditën e betimit. Kam marrë
vesh se po punoni për fjalimin solemn.
Thuhet se po shfletoni shumë
nga fjalimet e Linkolnit. A ka ndonjë
gjë tjetër që ju ka frymëzuar
gjatë punës për fjalimin?
OBAMA: Po është e vërtetë që kam
lexuar shumë nga Linkolni. Nuk jam i sigurt
nëse ka qenë një zgjidhje e mençur
sepse çdo herë që e lexoj, sidomos fjalimin
e betimit për mandatin e dytë, vihem në
dilemë, sepse ai është shumë i shkurtër,
por në të thuhet gjithçka. Pastaj është
edhe fjalimi i Kenedit në të njëjtin rast.
Presidenti, së bashku me stafin e tij, bënë
një punë të mrekullueshme. Ka të tjera
fjalime që nuk janë frymëzuese. Kështu
që mendoj se detyra kryesore për mua në
fjalimin e inaugurimit është njëherazi
edhe për Presidencën time që të
përpiqem të kap e shfrytëzoj sa më mirë
që të mundem momentin në të cilin ndodhemi.
Dua të them se kur ke një fjalim të
suksesshëm inaugurues, kjo ndodh sepse
Presidenti identifikon dhe vendos gishtin
në çështjet e duhura dhe kjo është një
nisje shumë e mbarë. Ne jemi në
udhëkryq dhe vetëm me qartësi dhe besim
do të realizojmë objektivat dhe do të
arrijmë që të bëhemi sërish vendi që kemi
qenë për vete dhe botën. Unë do të
përpiqem që të shkruaj diçka të thjeshtë,
pa fraza të fryra, por që njëherazi njerëzit
ta kuptojnë se kam ndërmend të punoj
ngushtësisht me popullin amerikan për të
arritur objektivat e për të dalë me sukses
në sfidat e mia.
Tani, një pyetje personale. Vajzat
tuaja filluan shkollën në Uashington.
Si ndihen?
OBAMA: Duken të kënaqura. Po
përpiqem që të kuptoj se si ka mundësi
që nuk janë ankuar për asgjë deri më tani,
edhe pse jeta e tyre ka ndryshuar. Njerëzit
mendojnë se jam gjakftohtë, por do të
thosha se ato janë shumë më gjakftohta
se unë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›