Rama: Berisha duhet të heqë dorë nga presioni ndaj mediave
"Mero Baze nuk është miku im. Nuk është as i njohuri im". Kështu e filloi dje prononcimin e tij politik kreu i socialistëve, Edi Rama. Sipas tij, Mero Baze është një gazetar, që vijimësisht ka cenuar pa të drejtë, për shumë vite me radhë, plot njerëz, kundërshtarë të hapur, apo të hamendësuar të Sali Berishës në politikë, në media e në shoqërinë civile. "Ndër ta shpeshherë nuk ka kursyer as mua vetë dhe madje as familjen time. Mero Baze është botuesi i një gazete, që për një kohë të gjatë ka pasur një politikë editoriale në funksion të interesave politike e personale të Sali Berishës. Shumëkush beson se Sali Berisha nuk do të ishte ai që është pa Mero Bazen", theksoi Rama. Teksa argumentoi se ai është sot gjithashtu viktima shembullore e mbrapshtisë politike që ka frymëzuar, ushqyer e mbështetur edhe vetë për vite me radhë. Në këndvështrimin e kreut socialist, gazeta "Tema" është sot shënjestra e pushkës politike që Mero Baze ka mbushur për vite me radhë për të qëlluar mbi krijesa mediatike të shpallura armiqësore nga Sali Berisha. "Por liria dhe e drejta e Mero Bazes për ta thënë lirisht atë që mendon, janë liria dhe e drejta e gjithsecilit prej nesh, prandaj unë jam sot në krah të gazetarit dhe botuesit, që kurrë s‘ka qenë në krahun tim", nënvizoi Rama. Kjo gazetë, vijoi ai, është sot e dhunuar nga ushtrimi abuziv e i paligjshëm i forcës së shtetit prej një Kryeministri që detyron policinë të veprojë në kundërshtim me vendimin e gjykatës, prandaj ne jemi sot në krah të gazetës "Tema", që asnjëherë s‘ka qenë në krahun tonë. "Botuesi i gazetës ‘Tema‘ ka një kontratë të rregullt me shtetin për të ushtruar aktivitetin e tij në mjediset e një godine shtetërore, kurse Kryeministri Sali Berisha thotë pa pikë turpi se një media që kundërshton qeverinë duhet të dalë nga sqetulla e saj dhe pa pikë turpi e nxjerr atë jashtë me polici", u shpreh Rama. Duke harruar, së pari, shtoi ai, që pronat e shtetit nuk janë pronat e qeverisë, e as qeveria nuk është prona e Kryeministrit dhe, së dyti, një kontratë e shtetit me një privat nuk prishet me policë të kequrdhëruar, po me gjykatës të pavarur. Lideri i opozitës sqaroi se është në krah të botuesit të gazetës "Tema", sepse beson që pronat e shtetit janë të publikut jo të pushtetit, se qeveria është e qytetarëve, jo e pushtetarëve, se policia është e shtetit, jo e Kryeministrit. Rama gjeti rastin t‘i bëjë apel Kryeministrit Sali Berisha të tërhiqet nga rruga e dhunshme policore e prishjes së njëanshme të kontratës, që botuesi i gazetës ka me shtetin për të ushtruar aktivitetin e tij në mjediset e një godine shtetërore dhe të respektojë vendimin e gjykatës për të mos bërë asnjë veprim deri në gjykimin përfundimtar të çështjes. Sakaq, Rama i bëri thirrje drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të mos lejojë futjen e policisë në një konflikt të qartë politik, në kundërshtim të plotë me ligjin.