E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Thesari" i panjohur i Heminguejit

Pasaporta, e lëshuar nga konsullata amerikane në Paris, që Heminguej përdori gjatë luftës civile spanjolle; ditari i kuq me autografe i Pilarit; jahti i vogël që përdorte së bashku me mikun e tij besnik, Gregorin, për të peshkuar në ujërat e gjirit; kodet për të deshifruar mesazhet që u dërgonte shërbimeve amerikane kur kërkonte nëndetëset gjermane në ujërat e Kubës gjatë Luftës së Dytë Botërore; një skenar të shkruar me shkrim dore për filmin "Plaku dhe deti" dhe shumë ftesa, letra personale, mesazhe nga admiruesit e thjeshtë. Më në fund, pas pothuajse 50 vjetësh - Ernest Heminguej vrau veten në korrik të 1961-shit - thesari kuban i shkrimtarit më të pëlqyer dhe të dashur të shekullit të kaluar, doli në dritë dhe u bë konsultim publik.

Janë pothuajse 5 mijë faqe dhe 3 mijë fotografi që dokumentojnë 20 vitet që Heminguej i kaloi në strehën në Finca Vigía, shtëpia mbi një kodër të vogël përballë oqeanit, pak kilometra larg nga qyteza San Francisko de Paula në Kubë. Gjatë viteve në vazhdim, kur qëndroi në hotelin "Ambos mundos" në Havanë, shkrimtari përfundoi së shkruari librin "Për kë bie kambana", më pas duke u frymëzuar nga jeta e tij në ishull shkroi kryeveprën "Plaku dhe deti", së bashku me shumë artikuj dhe tregime të tjera. Sot, falë një marrëveshjeje mes përgjegjësve kubanë të Muzeut të Finca Vigía dhe Bibliotekës Kenedi të Bostonit, të gjitha dokumentet që gruaja e katërt dhe e fundit e shkrimtarit, Meri Uelsh, ia dhuroi qeverisë revolucionare pas vdekjes së saj, janë dixhitalizuar dhe mund të shikohen.

Deri tani, për të gjithë materialin që ruhej në shtëpinë e tij mund të krijohej një ide vetëm falë librit "Heminguej në Kubë", i shkrimtarit kuban, Norberto Fuentes, që falë lejes së Fidel Kastros dhe një dispense të tijën kaloi disa muaj me radhë mes atyre letrave. Para tri ditësh, këto fotografi ka arritur t‘i shohë edhe korrespondenti në Havanë i së përditshmes spanjolle "El Pais". Së shpejti do të publikohen edhe në Shtetet e Bashkuara për të gjithë studiuesit dhe fansat e shkrimtarit. Një dritare më shumë mbi jetën e tij më intime, që sipas "El Pais" tregon një burrë të përkryer, shumë bujar, por edhe shumë popullor për shijet e tij. Ishte pikërisht Gabriel Garsia Markez në prologun që shkroi për librin e Fuentes, ai që kujtoi arsyen për të cilën Heminguej u transferua në 1940-ën në atë kodër të mënjanuar. "Dikush jeton në atë kodër, sepse për të shkuar në qytet nuk duhet të bësh gjë tjetër përveçse të veshësh këpucët, ose sepse mjafton të vësh një gazetë mbi telefonin për të mos e dëgjuar kur bie, dhe sepse në freskinë e mëngjesit punohet më mirë dhe më rehat sesa në çdo vend tjetër. Gjithsesi ky është një sekret profesional", shkruante Heminguej. "Nuk ishte nevoja të na e thoshte, sepse e dimë se vendi në të cilin arrin të shkruash është një prej mistereve të pashpjegueshme të krijimit letrar", bën të ditur Gabo.

Finca Vigía ishte vendi magjik i Heminguejit për të shkruar, por edhe për të peshkuar, një tjetër pasion i jetës së tij. Pas vdekjes, shtëpia e tij u shndërrua në muze (që në fakt mund të vizitohet vetëm duke marrë leje). Aty janë ruajtur më shumë se nëntë mijë libra dhe revista, mijëra sende personale, mes të cilave një makinë shkrimi "Uderwood", trofetë e gjuetisë dhe disku i Glen Miller, që e la në gramafon para se të largohej nga shtëpia, në 1961-shin.

Por deri para dy ditësh, mijëra dokumente personale mbetën të fshehura në bodrumin e kësaj vile të izoluar 15 kilometra larg Havanës. "Disa prej kujtimeve janë publikuar në librin e Fuentes, por pjesa më e madhe ishin ende të panjohura dhe të pakataloguara", është shprehur për "El Pais" drejtoresha kubane e muzeut. Bëhet fjalë për letra, kartolina, telegrame, fotografi dhe dorëshkrime të Heminguejt. Sërish sipas "El Pais", korrespondenca që merrte ishte e shumtë dhe kurioze. Mes tyre është një letër e Bashkimit të Shkrimtarëve Sovjetikë, që i kërkon kopje të fjalimeve të tij antifashiste, për t‘i përdorur në luftën kundër "vandalëve nazistë"; letra e një miku nga Meksika, i cili i kërkoi ta ndihmonte për të hyrë në Shtetet e Bashkuara; letra e një veterani të luftës civile spanjolle, që kërkon para sepse ndodhet në një situatë të vështirë personale; apo një tjetër letër ku dikush i shkuan se nuk ka mundur ta lexojë librin e tij për luftën civile spanjolle, sepse është censuruar në Spanjën e Frankos.

Më pas janë letrat e dashurisë, me konteshën e re italiane, Adriana Ivanchic, që i dërgonte "një përqafim të madh sa deti", i tregonte ëndrrat e saj, e falënderonte për dhuratat dhe i shkruante duke pritur një takim që shpresonte "se jeta mund të transformohet një herë në ëndërr". Për ekspertët e Heminguejt, ky arkiv është një thesar i vërtetë. Po kështu thotë edhe drejtoresha e muzeut: "Dokumentet që tani mund të shihen, mund të hedhin dritë mbi gjërat që mendoheshin në një botë dhe gjendeshin në një tjetër, dhe mund të jenë të dobishme për të kuptuar më mirë testamentin jetësor të Heminguejt". Gjithashtu rilindja e arkivit ka ende një domethënie politike. Në fund të fundit, Hemingueji ka qenë një urë lidhëse mes Kubës dhe SHBA-së edhe gjatë momenteve më të vështira të marrëdhënieve mes dy shteteve. Edhe Bushi nuk e ka refuzuar projektin e dixhitalizimit të arkivit që është financuar plotësisht me fondet amerikane, pavarësisht embargos. Por, ndoshta edhe më e rëndësishme duhet të jetë përmbajta e asaj që do të shfaqet nga dokumentet e shkrimtarit që, sipas ekspertëve, mund të zbulojnë shumë karakteristika mbi personalitetin e Heminguejit. Është vetë shkrimtari që rilind përmes letrave. Hemingueji vuante nga tensioni dhe gjatë ditës maste shpesh rrahjet e pulsit dhe i shkruante ato në një fletore ose mbi kartonin e ndonjë libri. Ai mbante shënim gjithçka: orën, kohën dhe vendndodhjen e tij. Për karakterin e Heminguejit flet Fuentues në librin e tij, ku tregon çështjen e Aleksis Eisner, një rus i brigadës ndërkombëtare, që shkrimtari e njohu në Spanjë. Kur u përshëndetën, shkrimtari i dhuroi një çek me shifër të papërcaktuar dhe të firmosur prej tij, që mund ta përdorte në rast vështirësie. Eisner u kthye në Moskë me çekun e Heminguejit, por ndoshta do të kishte qenë më e udhës të mos kthehej më kurrë. Gjatë viteve të përndjekjes, agjentët e Berias dhe Stalinit gjetën në shtëpinë e tij çekun e firmosur nga një i huaj. E torturuan dhe e burgosën në Siberi. U lirua vetëm në 1956-ën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›