E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenar Ahmetaj përplaset me eskortën e Berishës

Krenar Ahmeti duket se ka
marrë goditjen përfundimtare
dje, kur është
pezulluar nga detyra për
shkelje të rëndë disiplinore. Nuk
bëhet më fjalë për veprime arbitrare,
por për një aksident që ai ka
kryer katër ditë më parë. Ditën e
shtunë, me mjetin e punës, ai ka
përplasur eskortën e Kryeministrit
dhe është larguar nga vendi i ngjarjes,
duke i hequr vetes të
drejtën për të qenë ende në krye
të Qarkullimit. Incidenti i rëndë ka
ndodhur në orët e vona të
mbrëmjes, ndërkohë që ka sjellë
diskutimin e dy ditëve me radhë
për të vendosur se çfarë do të
bëhet me të. Por, pavarësisht meritave
të punës së tij, që vetë drejtuesit
e Ministrisë së Brendshme i
kanë vënë në dukje, ky veprim i
është shtuar ankesave të shumta
të qytetarëve për të dhe ka sjellë
pezullimin nga detyra që mbante.
Burimet policore të Tiranës
bënë të ditur se vendimi është
marrë nga drejtori i Policisë së Tiranës,
Tonin Vocaj, i cili sapo është
emëruar në këtë detyrë. Megjithatë,
incidenti i shënuar është
vlerësuar, jo vetëm prej tij, por nga
një grup i Drejtorisë së Përgjithshme
të Policisë së Shtetit, i miratuar
edhe nga ministri i Brendshëm.
Sipas të dhënave hetimore, zanafilla
e kësaj ngjarjeje ka qenë natën
e së shtunës, kur Krenar Ahmeti
mendohet se është kthyer nga
një festë në Dajt. Gjatë lëvizjes së
tij, me mjetin "Skoda" të policisë,
në rrugën "Bardhyl", është përballur
me eskortën mbështetëse
të Kryeministrit Berisha. Gjatë
parakalimit, ai ka përplasur një
makinë të eskortës në pjesën e
parakolpit dhe është larguar me
nxitim nga vendi i ngjarjes. Ky incident
ka lënë të habitur truprojat,
të cilët kanë vënë re makinën
e policisë dhe largimin e saj. Ata
kanë njoftuar menjëherë përforcime,
duke mbajtur shënim
edhe targën. Por, sapo shërbimet
e tjera kanë ardhur në vendin e
ngjarjes, është konfirmuar se
mjeti i përkiste Krenar Ahmetit,
shef i Policisë së Qarkullimit
Rrugor në Tiranë. Për këtë ngjarje
të pazakontë, është njoftuar
deri te Kryeministri, ndërkohë që
drejtori i përgjithshëm i Policisë së
Shtetit ka mbledhur një grup
pune që të dielën në mëngjes.
Për dy ditë, deri dje pasdite,
është vlerësuar kjo ngjarje, qoftë
me dijeninë e ministrit të
Brendshëm, Bujar Nishani, por
edhe me pjesëmarrjen e Drejtorisë
së Shërbimit të Kontrollit të
Brendshëm. Dje pasdite, grupi i
punës ka vendosur pezullimin e
tij nga detyra për shkelje të rëndë
të disiplinës, ndërkohë që odiseja
e tij nuk pritet të mbarojë me
kaq. Sipas specialistëve të policisë,
njëkohësisht është përpiluar
edhe dosja për hetim nën
akuzat e shkeljes së rregullave të
qarkullimit rrugor dhe largimit
nga vendi i ngjarjes. Pas punës
dyditore, kreu i policisë
kryeqytetase, Tonin Vocaj, me urdhrin
e tij, siç e parashikon edhe
ligji, ka firmosur pezullimin e Ahmetit.
Njëkohësisht, Vocaj ka komanduar
në këtë post oficerin e
policisë, Nazmi Shuli, i cili aktualisht
mbante vendin e shefit të
Rendit në Drejtorinë e Policisë së
Tiranës. Ndërkaq, Ahmeti është
kontaktuar mbrëmë nga "Shqip",
por nuk ka dashur të komentojë
vendimin e marrë ndaj tij. "Nuk
dua të komentoj këtë vendim,
megjithatë, shumë shpejt do të
zbardhet e vërteta dhe Prokuroria
do të vërtetojë se nuk jam fajtor",
është shprehur oficeri i pezulluar.

"Bëmat" e shefit të Rrugores dhe atentati ndaj makinës së tij

Krenar Ahmeti ka qenë një ndër emrat më të lakuar
të policisë gjatë kohëve të fundit, për vetë objektin
e punës që kishte marrë përsipër. Ai ka qenë
objekt ankimesh nga shumë qytetarë, ku është listuar
edhe një prokurore e Tiranës. Por, mënjanë nuk kishte
mbetur edhe atentati që iu bë makinës së tij, rreth një
muaj më parë. Ky atentat ndodhi afër shkollës "Labinoti".
Me t‘u njoftuar, në vendngjarje shkuan shërbimet e
Komisariatit nr. 1, të cilat saktësuan se ngjarja ndodhi në
rrugën "Ali Visha", në oborrin e pallatit pranë shkollës "Osman
Myderizi". Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë
tentuar të shuajnë flakët, megjithatë, është djegur
pjesërisht në pjesën fundore prapakolpi i mjetit me targa
TR 7401 R, e Policisë Rrugore, në përdorim nga shefi i Sektorit
të Policisë së Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Krenar
Ahmeti. Sipas të dhënave hetimore, Ahmeti nuk ka ditur
se kujt t‘i vendosë gishtin mbi autorësinë e kësaj ngjarjeje
të paprecedentë, duke shpjeguar se kjo mund të ketë
ndodhur vetëm për shkak të detyrës së tij. Madje kjo është
pista kryesore ku është fokusuar grupi i hetimit, duke
ditur edhe ankesat e shumta që kanë qenë kohët e fundit
për qarkullimin rrugor, për shkak të bllokimit të shumë
mjeteve, apo dokumenteve të tyre, për shkak të parregullsive.
Shumë persona janë ankuar ndaj shefit të
Qarkullimit Rrugor për vënie gjobash apo bllokim të automjeteve,
në mënyrë të padrejtë. Madje ndaj Ahmetit,
janë bërë disa ankesa edhe për fyerje apo ushtrim dhune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›