E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trieste, 170 shqiptarë 72 orë peng

 

Trazhgim Sokolaj

Një grup studentësh shqiptarë po mbahet i bllokuar prej tri ditësh në portin e Triestes në Itali. Rreth 170 të rinj nuk janë lejuar të zbresin nga trageti, pasi nuk kishin dokumente që u jepnin të drejtë të shkelin në tokën italiane. Shkak janë bërë dyshimet se agjencia “Mar-West”, që organizoi udhëtimin nën petkun e një aktiviteti turistik, ka siguruar viza për persona të shpallur në kërkim në Tiranë. Burime zyrtare nga Sektori i Antitrafiqeve në policinë shqiptare thanë se kanë filluar hetimet për këtë çështje. Sipas të dhënave të para rezulton se një grup prej 170 personash të organizuar nga agjencia turistike në Tiranë me adresë, rruga “Mine Peza”, kanë arritur të marrin viza 7-ditore në Ambasadën hungareze në Shqipëri. Mes dokumenteve që agjencia kishte paraqitur në ambasadë për të kërkuar vizat e udhëtimit, ka qenë edhe prenotimi në një hotel në Slloveni, ku do të qëndronin studentët. Procedura ka ecur normalisht dhe ambasada hungareze u ka dhënë viza turistike 7-ditore të gjithë aplikantëve. Por pasi ka siguruar vizat e udhëtarëve, agjencia turistike ka anuluar prenotimin, që kishte bërë tek hoteli në Slloveni. Duket se prenotimi ishte bërë formalisht vetëm sa për të paraqitur dokumentin në Ambasadën ku janë kërkuar vizat. Një nga kushtet për dhënie vize të përkohshme është dhe sigurimi i vendqëndrimit të personit që bën aplikimin. Menjëherë pas anulimit të prenotimit nga agjencia turistike me qendër në Tiranë, vetë hoteli në Slloveni ka lajmëruar ambasadën tonë atje. Kjo e fundit ia kaloi të dhënat policisë për analizë të mëtejshme. Pas një verifikimi paraprak, hetuesit e konsideruan ngjarjen të dyshimtë dhe menjëherë hynë në kontakt me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë. Verifikimi i listës së personave që kishin marrë vizë, të cilët ishin nisur me traget nga Durrësi dy ditë më parë, zbuloi se disa anëtarë të grupit ishin persona në kërkim nga drejtësia shqiptare. Maringlen Merkoçi, i datëlindjes 22 mars 1983, i cili ndodhej mes udhëtarëve, u arrestua pasi kërkohej nga Krimet e Rënda. Ambasada hungareze në Tiranë anuloi menjëherë vizat e dhëna, pasi mori dijeni për abuzimet. Gjatë kësaj kohe policia shqiptare kërkoi ndihmën e homologëve italianë për bllokimin e grupit të udhëtarëve, që ndodheshin në tragetin e nisur nga Durrësi. Ata ndodheshin ende në det duke lëvizur me tragetin “Venezia”, që ishte nisur nga porti i Durrësit në drejtim të portit të Triestes, kur vizat e tyre u anuluan. Konfirmimi për anulimin e vizave i është dërguar edhe autoriteteve italiane. Bazuar në këtë kërkesë, policia italiane ka ndaluar të gjithë grupin e udhëtarëve sapo ata kanë mbërritur në portin e Triestes. Deri dje në mbrëmje konfirmohej se mes udhëtarëve, që ishin pajisur me vizë ndodhej edhe një person i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare mësohet se policia italiane ka gjetur parregullsi në dokumentet e disa prej udhëtarëve të ndaluar. Ata mësohet se kanë kaluar një natë të mbyllur në traget, ndërsa autoritetet italiane konfirmojnë se të gjithë udhëtarët mund të riatdhesohen, duke u kthyer në Durrës ditën e sotme.

“Na ndihmoni kemi 2 ditë pa ushqime”
TIRANE – Disa nga personat që bëjnë pjesë në grupin e udhëtarëve të bllokuar nga policia italiane në Trieste, e kanë bërë publike ngjarjen duke kërkuar ndihmë. Përmes telefonatave në adresë të mediave në Tiranë, anëtarët e grupit që ishte nisur për udhëtim turistik në disa vende, duke filluar nga Sllovenia, janë shprehur se kanë dy ditë të bllokuar në bordin e tragetit “Venezia”. Sipas udhëtarëve me vendim të policisë italiane ata po mbahen të bllokuar prej dy ditësh pa mundësi ushqimi dhe kujdesi për higjienën personale. Edhe vetë udhëtarët kanë konfirmuar se policia italiane i ndaloi, duke u thënë se kishte marrë njoftim nga ambasada hungareze në Tiranë për anulimin e vizave, të dhëna ditë më parë. Anulimi i vizave mësohet se ka ndodhur pasi udhëtarët ishin nisur nga Durrësi të mërkurën, ndërsa po vazhdonin lundrimin me traget në drejtim të portit të Triestes. Nga udhëtarët që ndodhen të bllokuar në Trieste të Italisë mësohet se disa prej tyre janë duke kërkuar ndihmë nga Ambasada e Shqipërisë në Romë për zhbllokimin e situatës. Nga burime të policisë, e cila ka sekuestruar listën e udhëtarëve mësohet se vetëm disa prej tyre janë studentë të universiteteve private të Tiranës, ndërsa mes tyre konfirmohet se ka edhe persona që kanë probleme me drejtësinë.          tr.so

“Disa nga udhëtarët destinacione jashtë programit”
Ministria e Jashtme: Agjencia hoqi rezervimet, por kthehen të shtunën

TIRANE – Udhëtarët shqiptarë që janë bllokuar në portin e Triestes duket se e kanë rënduar akoma më shumë situatën, kur janë pyetur nga policia kufitare italiane. Gjatë deklarimeve për policinë disa prej personave kanë thënë se do shkonin në Francë, Belgjikë dhe Spanjë. Këto shtete kanë qenë jashtë itinerarit të programuar dhe kjo është bërë shkak për acarimin e qëndrimit të policisë italiane. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Jashtme në Tiranë, e cila tha se u lajmërua të enjten se një grup studentësh, që do merrnin pjesë në një udhëtim shtatë ditor në Slloveni dhe Itali janë bllokuar në portin e Triestes pasi vizat Shengen të marra në ambasadën e Hungarisë në Tiranë janë anuluar. “Sipas informacioneve të marra rezulton se: Udhëtimi i studentëve është ndërmjetësuar dhe organizuar nga një agjenci private e udhëtimit. Vizat janë marrë në ambasadën e Hungarisë në Tiranë, ku agjencia ka paraqitur programin e udhëtimit dhe rezervimet e hoteleve në Slloveni dhe Itali. Ambasada e Hungarisë, pasi ka dhënë vizat, ka marrë njoftim nga hotelet se janë kontaktuar nga agjencia, por rezervimi ose nuk është bërë efektiv (sepse nuk është kryer pagesa), ose më vonë është anuluar. Për pasojë ambasada e Hungarisë ka anuluar vizat dhe ka njoftuar kufirin, që të mos lejojë hyrjen në territorin italian”, tha Ministria e Jashtme në Tiranë. Sipas saj, kthimi i tragetit ku ndodhen udhëtarët do të realizohet në ora 13:00 të ditës së sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›