Ju rrëfej për takimin me njeriun që ngriti flamurin mbi Rejshtag
Dita e madhe e fitores mbi nazizmin, 9 maji i triumfit të lirisë, ka hyrë në histori si një festë e mbarë popujve. Memoria kolektive rifreskon me këtë rast epopenë e lavdishme, që shfarosi një herë e mirë përbindëshin antinjerëzor. Nderimi i parë padyshim u adresohet protagonistëve të saj, ish-luftëtarëve, martirëve dhe të rënëve. Simbolika e ngjarjes me ushtarin që ngriti për herë të parë flamurtarin e çlirimtarëve mbi Rejshtang, merr çdo nëntë maj një vlerë të veçantë. Në rastin e shkrimtarit Ymer Minxhozi, i cili ka pasur privilegjin të njihet nga afër me të, kjo bëhet edhe më domethënëse. Në numrin e sotëm të “Panorama” po botojmë të plota mbesat e tij nga takimi me flamurmbajtësin e triumfit të madh.
Ymer Minxhozi
Sergej Pavllovi, një hero shumë i njohur i Luftës së Stalingradit u bë shkak i takimit tim me ushtarin, që hyri në të gjitha enciklopeditë e botës.
Një vit më parë kisha shkruar një ese për Pavllovin, me titull “Shtëpia midis dy botëve”. Prej atëherë ne mbetem të njohur. Kësaj radhe u takuam në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, gjatë ceremonisë së Festës së Fitores.
Pavllovi, ndërsa bisedojmë, më thotë:
- A dëshiron të të prezantoj me ushtarin që ngriti flamurin mbi Rajshtag?
Ky propozim më erdhi krejt papritur dhe aty për aty mu duk se zbulova të paimagjinueshmen.
- Eshtë këtu sonte? – e pyeta.
- Jo vetëm është në këtë sallë, po e kemi fare pranë nesh.
Pavllovi ktheu kokën pas dhe iu drejtua një burri me kostum civil, që po bisedonte me dy kolonelë, nja dy hapa më tej.
- Misha, afrohu këtu! Dua të të prezantoj me një shqiptar.
I panjohuri u kthye nga ne, u afrua, më vështroi drejt në sy dhe më shtrëngoi dorën fort. Ai u prezantua siç prezantohen ushtarakët:
- Mihail Aleksejeviç Jegorov. Për herë të parë më jepet rasti të njoh nga afër një shqiptar dhe kjo po më gëzon shumë.
Jegorovi mbante kostum të zi, në gjoks i shkëlqenin një numër dekoratash të ngjyrave e madhësive të ndryshme dhe, mbi të gjitha ato, ylli i artë i heroit. I shkurtër, më i shkurtër se një njeri me gjatësi mesatare, shpatullgjerë, sy të shkruar, flokët të drejtë e të derdhur si të fëmijës. Në ballë, në anën e majtë, binte në sy shenja që kish lënë një plagë e dikurshme. Ne biseduam një copë herë, sa për të njohur njeri-tjetrin dhe ramë dakord për t’u takuar pas dy ditësh, për një bisedë më të shtruar, meqë unë dëshiroja të shkruaj diçka për njeriun që hyri në histori. Atë natë ishte e pamundur të bisedoja gjatë më Jegorovin.
Në ceremoninë e asaj nate kishin ardhur të ftuar nga të katër anët e Bashkimit Sovjetik dhe shumë prej pjesëmarrësve ndofta e shihnin për të parën herë nga afër ushtarin që ngriti flamurin mbi Rajshtag, prandaj edhe dëshironin t’i jepnin dorën dhe të këmbenin dy fjalë me të.
Siç kishim rënë dakord, ne u takuam në auditorin e Shkollës së Lartë të Partisë, në sheshin “Miuskaja”. Ai e filloi tregimin e tij fare thjeshtë, por rrjedhshëm dhe nuk qe nevoja ta ngacmoja me shumë pyetje.
- Kam lindur në 5 maj te vitit 1923, në fshatin Ermoshenski, në krahinën e Smolenskut. Edhe gjyshi, edhe dy prindërit e mi ishin fshatarë. Kur na sulmoi Gjermania naziste isha 18 vjeç, kisha mbaruar shkollën tetëvjeçare dhe punoja në kolkoz. Krahina jonë u pushtua shpejt. Në vitin 1942 u futa në një repart partizan, në prapavijën e armikut dhe më ngarkuan me detyrën e zbuluesit. Në dhjetor te vitit 1944 njësiti ynë partizan e ndiqte armikun edhe në territorin polak. Aty u bashkuam me ushtrinë e rregullt. Gjatë luftës për çlirimin e Varshavës më dekoruan me një medalje. Prej aty, bashkë me armatën e parë të frontit bjellorus shkela në tokën gjermane. Kur u afruam nja tridhjetë kilometra pranë Berlinit, luftimet u dendësuan aq shumë saqë e ndjeje edhe tronditjen e tokës nën këmbë. Në rrethimin e Berlinit, në çdo katër metro katrorë, kishte një armë artilerie. Gjatë gjithë natës, madje edhe ditën, qiellin e përshkonin vetëtimat. Këto ishin katjushat. Ajri ishte tepër i rënduar. Era e barutit të zinte frymën. Dita dhe nata sikur ishin bërë një. Ishte tepër tronditëse kur shikoje ujërat e lumit Shpre, që sillnin jo vetëm automjete të shkatërruara por edhe kufoma. Ato kufoma ishin të të dyja palëve.
Jegorovi heshti dhe tani po priste pyetjet e mia.
- Diçka për finalen, - i thashë- Ju, kur mbërritët në Berlin?
Më datën 29 prill reparti, ku bëja pjesë unë arriti në zemër të Berlinit. U strehuam në llogoret e braktisura nga ushtria gjermane, fare pranë Rajshtagut. Transhetë vinin radhë njëra pas tjetrës, me lidhje të brendshme. Mbi transhe dhe në hyrjet e tyre binin aq shumë predha sa mund të vriteshe njëqind herë në minutë. Reparti ynë ishte tashmë nja njëqind metro afër Rajshtagut dhe togës tonë të zbulimit i ishte caktuar detyra të futej e para në ndërtesën e Parlamentit Gjerman. Blindazhi ynë ishte ballë për ballë me njërën nga hyrjet në Rajshtag. Për të vajtur deri atje duhet të kaloje përmes ferrit. Hapësira prej rreth pesëdhjetë metrash ishte krejt e ekspozuar para zjarrit të armikut. Predhat vinin nga të gjitha anët. Të mbështetur nga zjarri i trupave tona, ushtarët kalonin dy e nga dy nëpër atë copë hapësirë, duke u zvarritur me flamur në dorë. Urdhri ishte të vendosej flamuri mbi kupolën e Rajshtagut, që nxinte midis tymit dhe flakëve. Dyshet e para u vranë në sytë tanë, vetëm pas disa metrave zvarritje. Kështu ndodhi edhe me të tjerët. Ne kishim bërë mijëra kilometra për të ardhur deri këtu, kishim lënë pas mijëra fshatra dhe qytete të atdheut të bëra shkrumb e hi, shumë nga ne kishim humbur të afërmit, shtëpitë, shokët dhe ja tani, na vriteshin edhe bashkëluftëtarët te këmbët tona. Fare pranë meje kisha shokun e ngushtë Meliton Kantarja, nga Abkhazia e Gjeorgjisë. Ai ishte nja dy vjet më i madh se unë, ne kishim kaluar së bashku pothuaj të gjithë rrugën e luftës. Ndërsa shokët vriteshin me flamur në duar mu para syve tanë dhe ne po prisnim radhën, Melitoni u kthye nga unë e më thotë:
- Ja, sapo të futemi në këtë ndërtesë të mallkuar dhe me majën e bajonetës do të shkruaj mu në hyrje: “Meliton Kantaraja nga Gjeorgjia, erdhi këtu në Rajshtag, bashkë me Misha Jegorovin, më datë.....”
- Mos u nxito me datën – i thashë unë – Datën kemi kohë ta shënojmë, ti e shikon se ç’bëhet....
Njerëzit po vriteshin njëri pas tjetrit. Në atë hapësirë të ngushtë që na ndante nga Rajshtagu, të vrarët dhe të plagosurit shtriheshin mbi njëri-tjetrin. Dikush prej tyre kishte rënë mbi flamurin.
- E realizoi Kantarja dëshirën e tij? – e pyeta unë.
- Ne me të vërtetë u futëm në ndërtesë, po për të shkruar në mure, nuk kishte kohe. Puna nuk priste. Ndërsa vazhdonin përpjekjet për kapërcimin e sheshit që na ndante nga Rajshtagu, koloneli Zincenko i dha urdhër komandantit të njësitit tonë, Kondrashovit, të niste zbuluesit që do të paraprinin sulmin vendimtar. Grupi i parë i zbulimit u përbë prej pesë vetave: Kantarja, Kubcikovi, Palcikovi, Mjahcenko dhe unë. Tre rusë, një ukrainas dhe një gjeorgjian. Duke u zvarritur pranë transheve, të mbrojtur edhe nga errësira, neutralizuam disa çerdhe zjarri dhe, kryesorja, raportuam të dhënat mbi gjendjen për rreth. Menjëherë pas kësaj, tanët filluan sulmin, frontalisht. E para ra në duart tona shtëpia e Hitlerit që ndodhej fare pranë. Tani duhej sulmuar direkt Rajshtagu ku do ngrihej flamuri. Këtë detyrë e kishte regjimenti ynë i pushkatarëve nr. 756. Kujt do t’i binte shorti të realizonte ëndrrën e ngjitjes në Kupolë? Siç e thashë, pesë grupet e para nuk ia arritën kësaj. Të gjithë ranë në fushën e betejës. Çdo pëllëmbë tokë punohej nga breshëritë e plumbave. Në Rajshtag e rreth tij vepronin trupat më të zgjedhura SS.
- Ju përmendët “shortin” ?
- Fjala “short” ka thjesht kuptimin figurativ. Dyshet që merrnin flamurin dhe dilnin në fushën e betejës caktoheshin nga komandanti. Po të ishte puna për vullnetarizëm, të gjithë do të dilnin njëherësh. Për secilin prej nesh nuk ekzistonte më as instinkti i vetëmbrojtjes. E kishim kaluar barrierën e frikës. Të gjithë ishim të gatshëm të hidheshim në zjarr, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Komandanti i njësitit m`u drejtua mua dhe Kantares.
-Kaloni ju të parët. Merrni flamurin nga fusha e betejës dhe ngrijeni mbi çerdhen e nazizmit. Përqafojuni me shokët. Keni ndonjë porosi?
Ne u përqafuam kalimthi me të gjithë pjesëtarët e togës, që qëndronin të ngjeshur në vijën e parë të blindazhit. Vura re se Kantarja nxori nga një xhep i brendshëm një shami të vogël, të lidhur nyje dhe ia dha njërit prej shokëve të tij. Çfarë ishte ajo? Nuk kishte kohë për pyetje dhe dolëm menjëherë nga blindazhi. Rreth tridhjetë metra na ndanin nga flamuri. Shokët që na mbështesnin me zjarr qëllonin pa pushim. Ne morëm flamurin nga duart e shokëve të vrarë dhe u zvarritëm përmes kufomave e gropave të hapura nga predhat. Të vrarët dhe të plagosurit ishin “stivosur” si në varret e përbashkëta. Vetëm disa minuta më parë ata jetonin bashkë me ne. Disa prej tyre i njihja me emër dhe kishim qeshur së bashku. Kishim marshuar së bashku mijëra kilometra, shpeshherë duke u zvarritur. Dhe ja tani, nuk iu mjaftuan këto pesëdhjetë metra të mallkuara... Nuk më kujtohet shumë qartë, sa kohë na u desh për të kaluar ato dhjetëra metro që na ndanin nga godina gjigante e Rajshtagut dhe as momenti i vrapimit të fundit për të hyrë në godinë. Kishte rënë errësira dhe flakët e grykave të zjarrit dhe fashat e kryqëzuara të dritave të projektorëve na verbonin. Kur kaluam nëpër një portë të madhe, pamë se në korridoret e gjëra të katit të parë akoma kishte ushtarë gjermanë që qëllonin pa adresë. Ishte errësirë si në pus dhe me siguri ata vrisnin edhe njëri-tjetrin. Pas nesh, ushtarë të tjerë sovjetikë i afrohen portës së madhe. Lufta tani bëhej nëpër sallat e korridoret. Rrokullisen statuja e rafte me letra. Zhurma e armëve nuk na lejonte të dëgjonim njëri-tjetrin. Koloneli Samsonov u jep urdhër njësive që vinin pas nesh të sulmojnë bodrumet me granata. Kati i parë u pushtua. Duke u mbështetur në shokët tanë që qëllonin pa pushim, bashkë me Kantaren, me flamur në duar, ngjitemi në katin e dytë. E shpalosëm flamurin në parvazin e njërës nga dritaret dhe thirrëm me sa fuqi kishim: “Urra”. Kjo thirrje u pasua edhe nga të tjerë që na panë nga jashtë. Ndërkohë, armiku po tërhiqej në panik dhe ne e morëm flamurin dhe u ngjitëm në katin e tretë. Mirëpo pika më e lartë ishte kupola prej xhami e Rajshtagut dhe atje duhej vënë flamuri, që të dukej më mirë. Kubeja ishte goditur nga predhat e kish mbetur si skelet. Ajo lëkundej sa andej këndej, gati për të rënë. Kur u ngjitëm atje, pamë se ishim në buzë të humnerës. Mjaftonte një rrëshqitje e vogël dhe... çdo gjë merrte fund. Prej aty dukej i gjithë qyteti që po digjej. Zjarre, krisma, ajri ishte ngopur me tym baruti, me plumba, me aromë benzine. Ne vazhdonim të mbaheshim fort në pikën më të lartë të Rajshtagut. Tashmë s’na bënte përshtypje se çfarë ndodh në katet e poshtme dhe kush qëllon. Puna ishte ku ta vendosnim flamurin. Aty pranë, në rrethin e jashtëm të Kubesë pamë statujën e një kalorësi të zi prej bronzi. Statuja ishte goditur nga një predhë dhe ishte çarë. Aty, në atë të çarë, futa shtizën e flamurit të bërë shoshe nga plumbat.
- Valon, Valon! - thirrëm të dy njëherësh dhe me sa fuqi kishim. Tani mund ta shënonim edhe datën e orën e saktë:
Dy maj 1945. Ora njëzet e një dhe tridhjetë minuta.
U përqafuam me njëri-tjetrin dhe zbritëm me të shpejtë tek shokët, në katin e dytë. Projektorët e njësive tona lëshonin rreze të fuqishme dritë mbi Kupolën ku valëvitej flamuri. Por në gjithë atë zhurmë dallojmë zërin e dikujt nga tanët që thërriste që nga poshtë:
- Ç’keni bërë kështu, more djema! E keni vëne flamurin e fitores në duart e një kalorësi të zi gjerman!
U ngjitëm edhe njëherë, duke na u marrë fryma. E hoqëm flamurin prej aty dhe e vendosëm në një të çarë bordure nga ku dukej akoma më mirë.
Tre ditë pas ngritjes së Flamurit të Fitores mbi Rajshtagun nazist, që shënonte praktikisht edhe fundin e luftës më të madhe botërore, që ka njohur njerëzimi, heroi i këtij përshkrimi kishte ditëlindjen. Ai mbushte 22-vjeç. Nuk besoj të gjendet në planet një njeriu tjetër që të ketë koinciduar ditëlindjen e vet me një triumf kaq spektakolar, sa ushtari i thjeshtë rus nga fshati Ermoshenki, Mihail Aleksejeviç Jegorov.
Në fund të bisedës sonë, e pyeta Jegorovin:
- Ju më thatë se Melitoni, para se të dilte nga transheja për t’u hedhur në betejë, i dha një shokut të tij një shami të vogël të lidhur nyje dhe e porositi për diçka. E keni pyetur ndonjëherë lidhur me këtë porosi?
- Po, e kam pyetur. Eshtë një histori e dhimbshme. Melitoni ishte dy vjet më i madh se unë. Ai kishte edhe një të fejuar, Ludmillën, studente e Pedagogjikut. Ajo i kishte dhënë me vete një shami të vogël, ku kishte qëndisur emrin e saj dhe në një qoshe të shamisë kishte lidhur nyje një tufë flokësh të prera nga gërsheti i saj. Këtë kujtim Melitoni e mbante në gji. Atë natë, para se të niseshin në betejën e Rajshtagut, edhe ai kishte prerë një tufë nga cullufet e veta dhe i kishte bashkuar me ato të Ludmillës. Porosia ishte që, sido që të ndodhte, shamia t’i dorëzohej Ludmillës.
- Dhe ashtu u bë?
- Jo, porosia nuk qe e mundur të plotësohej. Shoku i Melitonit u vra po atë natë dhe shamia humbi. Kur u kthye Melitoni në shtëpi, edhe Ludmilla nuk jetonte më. Ajo kishte hyrë në njësitë e snajperëve dhe qe vrarë në brigjet e Dnjeperit. Edhe Melitoni, ashtu si edhe unë, punojmë tashmë në vendlindje. I shkruajmë njëri-tjetrit rregullisht.
* * *
Në vitin 1975, kronikat televizive ndërkombëtare njoftuan se heroi i Rajshtagut, Mihail Jegorov, vdiq në një aksident automobilistik në vendlindje, në moshën 52-vjeçare. Disa rrugë e sheshe tashmë mbajnë emrin e tij.