Flet pas masakres babai i tre vëllezërve: Policia s’na mbrojti
Nga i dërguari ynë në DevollBabai i tre djemve të vrarë, Xhevahir Mulliri nuk mund të mbajë lotët për tragjedinë që i ndodhi familjes së tij. Dhimbja iu shtua akoma më shumë kur një telefonatë e papritur e njoftoi atë për vdekjen e djalit të vogël të tij, Edlevanin. Pas një ndërhyrjeje të gjatë kirurgjikale në Tiranë, 18-vjeçari nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të shumta që kishte marrë nga breshëria e Besim Karajt. Ai do të varroset sot, afër dy vëllezërve të tij të cilët u përcollën vetëm një ditë më parë. Sipas Mullirit, një ngjarje e tillë ishte e pritshme, pasi vrasësi i kishte kërcënuar ata disa herë se do t’i shfaroste të gjithë. Agresiviteti i tij ishte bërë mjaft i frikshëm që pasi ai kapi në flagrancë gruan e tij me njërin nga vëllezërit e vrarë, pikërisht Taulantin. Flirti ndërmjet të riut dhe gruas së Besim Karaj dihej nga i gjithë fshati. Këtë fakt e pohoi dje edhe babai i viktimës, i cili tha se kishte qenë në dijeni të lidhjes së fshehtë të djalit të tij me gruan 33-vjeçare, nënë e 3 fëmijëve. Pas kërcënimeve që 45- vjeçari i kishte bërë familjes Mulliri, babai i djemve i kishte kërkuar Karajt t’i linte të qetë. “Nëse do të ishte për vrasje, atëherë ti duhej ta kishe vrarë tim bir bashkë me gruan tënde në momentin që i kape në flagrancë”. Kështu i është drejtuar Xhevahir Mulliri, Besim Karajt menjëherë pasi në fshat plasi “skandali”. Tashmë babai i djemve të vrarë akuzon policinë e cila nuk ka marrë masat e duhura për të evituar një tragjedi të pritshme. Ministria e Brendshme reagoi dje se hetimet mbi akuzat e babait të djemve do të verifikohen pas zbardhjes së krimit të së premtes. Mulliri u shpreh se Karaj ishte larguar nga Thumana pikërisht për shkak të hasmërive që kishte krijuar në këtë zonë pasi ai ishte një person mjaft problematik.Z. Mulliri, vrasja e dy djemve tuaj ka qenë e momentit apo për hakmarrje?Ka qenë një vrasje e paramenduar. Prej gati dy muajsh ne jemi ndier të kërcënuar nga Besim Karaj. Ai na ka ardhur disa herë në banesë për të na kërcënuar. Të gjitha herët ishte i armatosur. Madje edhe natën dilte me armë automatike në fshat dhe kërcënonte se do të vriste djalin tim, Taulantin. Thoshte se do të na vriste dhe do të na zhdukte të gjithëve. Keni denoncuar në polici për këto kërcënime?Jemi ndier vërtet të kërcënuar nga Besimi dhe u detyruam të ankohemi në komisariatin e Devollit. Por policia nuk mori asnjëherë masa që të parandalonte këtë që ndodhi. E parandieja si një njeri të rrezikshëm këtë person të ardhur nga Thumana, edhe për faktin se ai njihej si një njeri që kishte ikur që andej për shkak të hasmërive që kishte krijuar atje. A mund të na thoni nëse ka pasur në të vërtetë lidhje mes djalit tuaj dhe bashkëshortes së vrasësit?Ne kemi qenë vazhdimisht të kërcënuar që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, kohë kjo kur Besimi kapi në flagrancë gruan e tij me djalin tim. Këtë e di i gjithë fshati. Po më pas çfarë ndodhi?Që nga ajo kohë ne jemi kërcënuar, por nuk e pandehnim se mund të arrinte hakmarrja deri këtu. I kam dërguar fjalë Besimit dhe i kam thënë se ai duhej t’i kishte vrarë që kur i kapi në flagrancë në shtëpinë e tij si gruan e tij, ashtu edhe djalin tim. Tashmë ndodhi gjithë kjo tragjedi në familjen time.Drejt fshatit është nisur edhe bashkëshortja juaj për të marrë pjesë në varrim, ju do ta pranoni atë në shtëpi?Ajo është nëna e fëmijëve të mi dhe ka të drejtën që t’u japë atyre lamtumirën e fundit. Nuk ka lidhje ajo që ka kryer ish- gruaja ime dhe qëndrimi që ajo ka mbajtur më parë, me këtë që ndodhi tani. Siç e shikoni, varrimi që është lënë të zhvillohet për në orën 12.00, po shtyhet pasi ne po presim që të mbërrijë nëna e tyre. Edhe unë po pres që ajo të jetë e pranishme në varrim.“Gruaja abortoi fëmijën me Taulantin”Avni Mici, rreth 60 vjeç, është një banor i fshatit Vidohovë që dëshmon për ngjarjen e rëndë dhe si është njohur autori i vrasjes së tre vëllezërve Mulliri në këtë fshat. Ai pohon se të gjithë fshatarët e dinin lidhjen jashtëmartesore të 23-vjeçarit me gruan e autorit të krimit.Si ka ardhur në fshatin tuaj Besim Karaj?Fshati ynë ka një histori të çuditshme me martesat në zonën e veriut. Që nga vitet 1970, me sa mbaj mend, kanë filluar lidhjet e para të krushqisë me zonën e Thumanës apo Lezhës. Këtu kanë qenë ushtarë që shërbenin në kufi, të cilët janë lidhur me vajzat tona. Motra e Besimit është martuar në fshatin tonë dhe tashmë ndodhet në Greqi. Një mbesë e tyre po ashtu. Vetë Besimi ka ardhur këtu rreth viteve 1995-1996 dhe u martua me Tinën. Eshtë i vetmi burrë nga zona e veriut që ka hyrë dhëndër në fshatin tonë, ndërsa kemi 26 gra nga zona e Mamurrasit apo Lezhës që janë martuar tek ne.Besimi me se merrej në fshat?Si të gjithë ne banorët e fshatrave kufitarë në Devollin e sipërm, edhe ai ka nxjerrë bukën e gojës me refugjatët. Nxirrte shpesh klandestinë në Greqi nga kufiri tokësor. Me sa dimë, për këtë edhe ishte shoqëruar në polici.Ka qenë problematik në fshat?Ishte si tip sherrxhiu, por nuk para i binte njeriu në qafë. Reagonte dhe sillej keq vetëm kur e ndiente veten të fyer dhe të ofenduar.Dihej në fshat se gruaja e tij kishte marrëdhënie jashtëmartesore me Taulant Mullirin?Kjo dihej nga të gjithë. Sidomos pasi Besimi kapi në shtëpinë ku jetonte gruan dhe Taulant Mullirin. Ka qenë afërsisht muaji nëntor i vitit të kaluar. Pas kësaj ai u nda nga e shoqja, por nuk e dimë se përse u bashkua sërish me të.Thuhet se Tina, gruaja e Besimit ka qenë shtatzënë me Taulantin. është e vërtetë?Ne kemi dëgjuar se ajo ka dështuar një barrë të paligjshme. Flitet se këtë fëmijë e kishte me Taulantin, por për shkak të opinionit e dështoi fëmijën. Me sa dimë, Tina tani nuk është shtatzënë. Ajo ka tre fëmijë me burrin e saj, dy vajza dhe një djalë të moshës 3 deri në 12 vjeç.Po Taulanti vinte shpesh në lagjen tuaj?Jo, jo, nuk e kemi parë këtej, sidomos pasi u kap në flagrancë nga Besimi së bashku me të shoqen e tij. Vdes në spital i treti i masakrësNga i dërguari ynë ne DEVOLL/ GEZIM ASHIMIMasakra e Devollit shënon viktimën e tretë. Plumbat e marrë nga automatiku i Besim Karajt i kanë marrë jetën Edlevan Mullirit, vëllait të vogël të dy viktimave të së premtes. Për 45-vjeçarin Karaj tashmë rëndon akuza e vrasjes së trefishtë. Një grup hetimor po punon për vrasjen e tre vëllezërve, duke u munduar të zbardhë dhe momentet e fundit para se breshëria e kallashnikovit të merrte jetët e Xhiljanit 28-vjeçar, Taulantit, 23 vjeç dhe pak orë më vonë, 18-vjeçarit. Ky i fundit ndërroi jetë ditën e djeshme në spitalin ushtarak. Hetimet mbi vrasjenDëshmitë e marra në qendër të fshatit Vidohovë, ku ndodhi vrasja, tregojnë se në orët e para të ditës 45-vjeçari Besim Karaj dukej i qetë. Asnjë shenjë të krimit që do të ndodhte më vonë nuk ishte shfaqur tek ai. Ndonëse, në mendje këtë plan ai mund ta kishte thurur prej kohësh. Grupi hetimor i ngritur menjëherë pas vrasjes trefishe ka mësuar nga banorët se autori është përballur me tre viktimat pak kohë pasi ka dalë nga lokali ku kishte pirë kafen e mëngjesit. Mes tyre gjendja ka qenë e nderë, që nga nëntori, kur Besim Karaj e kishte gjetur të shoqen në praninë e 23-vjeçarit. Banorët e zonës kanë pohuar se Taulanti, pas kësaj ngjarjeje qarkullonte i armatosur me thikë, ndonëse ditën e krimit nuk është gjetur një armë e tillë. Megjithëse përplasja e së premtes cilësohet si e rastësishme në pamje të parë, fakti që autori mbante një armë automatike të gatshme për të qëlluar tregon të kundërtën. Rreth mesditës së të premtes, Karaj ka parë se nga lagjja e përtejme e fshatit po vinin tre vëllezërit, të cilët janë sjellë rrotull lokalit ku 45-vjeçari kishte pirë kafen. Burime të rezervuara të policisë, thanë se vrasja mund të jetë provokuar nga qenia së bashku e tre vëllezërve Mulliri, të cilën Besim Karaj e ka marrë si një sfidë. Në këtë moment, sipas hetuesve, Karaj ka shkuar në shtëpi, duke marrë armën kallashnikov. Me të në dorë ka dalë sërish në sheshin e lagjes së tij dhe i është drejtuar tre vëllezërve Mulliri, pak metra nga hyrja e lokalit ku të rinj të tjerë po luanin me letra. Fillimisht ka qëlluar Taulant Mullirin. Ndërsa ky i fundit ka dashur t'i shpëtojë plumbave, duke hyrë në loka, autori e ka qëlluar sërish, derisa ka kuptuar se ai kishte vdekur. Kur vëllai tjetër më i vogël filloi të lutej që të mos i vriste, Besim Karaj ka shtënë edhe mbi atë. Ai ka parë se Xhiljan Mulliri po tentonte të largohej. Sipas dëshmive, Karaj ka zbrazur plumba të tjerë drejt 28-vjeçarit, rreth 20 m më larg. Kërkimet e policisëQë nga pasditja e së premtes kur zbarkuan në fshatin Vidohovë forca të shumta policore, nuk kanë reshtur kontrollet e policisë në zonë për gjetjen e tij. Policia tha se forcat RENEA, të mbështetura nga efektivë të komisariatit të Korçës dhe Devollit kanë kryer kërkime të gjera pranë fshatit dhe në kufi me Greqinë, i cili nuk është më shumë se 500 metra larg këtij fshati. Helikopteri që pruri në fshatin Vidohovë forcat RENEA mësohet se do të kryente kërkime edhe nga ajri për kapjen e autorit të krimit të trefishtë, por për shkak të mjegullës nuk ka kryer fluturime në zonë. Ishte ora 11:30 e së shtunës, një ditë pas kësaj vrasjeje tronditëse, kur që nga vendi i krimit ku ishin dislokuar forcat e shumta të policisë, u nis një tjetër ekip i specialëve për të gjetur autorin e vrasjes. Të armatosur më së miri, me kallashnikovë dhe snajpera, të paktën 10 efektivë të forcave special morën rrugën mbi fshatin Vidohovë, ndërsa ishin të shoqëruar edhe nga një koleg i tyre i pajisur me altoparlant, por pa sukses. Rreth orës 13:00, grupi i specialëve, këtë herë dhe me një polic që mbante qenin me erë, zbritën pa ndonjë rezultat atje ku qëndronin të grumbulluar forcat e rendit. Në zonën rreth fshati Vidohovë, vazhdonte të zotëronte një mjegull që i bënte të vështira kërkimet. Në këto kërkime policia është mbështetur edhe nga 5 ushtarakë grekë, pasi dyshohet se autori fshihet në kufirin me shtetin fqinj, por deri në mbrëmje nuk gjendeshin gjurmë të tij. Pronarja e lokalit: Besimi i qetë kur piu kafenNezaqete Qazolli, pronarja e lokalit para të cilit ndodhi vrasja e trefishtë, është e tronditur dhe pas 24 orësh. Ndërsa tregon pamjet e kësaj skene, ajo thotë se nga tronditja nuk ka ngrënë asgjë, pasi i vijnë në kujtesë çastet e përgjakshme. çfarë mbani mend nga dita e premte? Rreth orës 09:00 të mëngjesit Besim Karaj erdhi dhe piu kafe tek lokali im. Nuk dukej i tronditur apo i shqetësuar. Piu kafen dhe iku.Po më pas?Rreth orës 12:30 unë po shërbeja në lokal, ku luanin me letra katër djem të fshatit. Dera e lokalit ishte e mbyllur. Nuk kisha këtu as burrin tim dhe as djalin që zakonisht u shërbejnë klientëve. Dëgjova një breshëri plumbash nga jashtë, shumë pranë lokalit, ndërsa isha duke larë disa gota. Pastaj, pashë Taulantin që u përpoq i gjakosur të hynte në lokal. Nuk arriti të bënte as një metër brenda lokalit sepse u qëllua përsëri dhe ra përtokë.Po Besimi si reagoi?Qemë me fat që nuk e kreu vrasjen në lokal. Këtu ishin katër djem të rinj që po luanin me letra dhe unë në banak. Po të kishte dashur të vriste Taulantin brenda në lokal, nuk e di do të kishim shpëtuar ne të gjallë apo jo në ato moment. Nuk mbaj mend më shumë pasi pashë të shtrirë në dysheme Taulantin. M’u prenë gjunjët dhe nuk e di se si shkova më pas deri në shtëpi. Vuaj edhe nga zemra dhe kjo ngjarje më tronditi pa masë. Që nga dita e djeshme nuk kam vënë gjë në gojë, duke kujtuar atë pamje të tmerruar që pashë me sy. Dy vëllezërit u qëlluan para derës së lokalit tim, dhe vetëm Taulanti arriti të shtynte me gjoks derën, për të hyrë brenda ku ra përtokë i mbytur në gjak.“Liljana u trondit nga vrasja e djemve”Fatos mahmutajTIRANE - Liljana Mulliri, nëna e burgosur e tre djemve të ekzekutuar në fshatin Vidohovë të Devollit është përcjellë e shoqëruar dje në banesën e saj në fshat, nga e cila u largua e prangosur katër vjet më parë. Burime zyrtare nga burgu 325 në kryeqytet treguan dje se pasi Mulliri kishte kaluar momente të vështira, kishin ndërhyrë autoritetet e këtij institucioni për ta dërguar në shtëpi për pak orë, në mënyrë që t’iu jepte “lamtumirën” djemve të vrarë. Për më tepër, kur u bë i njohur edhe fakti i vdekjes së djalit të tretë të Mullirit, autoritetet e burgut vendosën t’ia shtynin lejen gruas 45-vjeçare. Pasditen e djeshme drejtoresha e burgut 325, Irena çela dha një prononcim të shkurtër për gazetën për këtë ngjarje dhe momentet e reagimit të institucionit përballë tragjedisë në familjen e të dënuarës. Drejtoreshë, si e mësoi e dënuara Liljana Mulliri lajmin e vrasjes së djemve të saj në fshat dhe cila ka qenë gjendja shëndetësore gjatë të premtes?Lajmin e kobshëm ajo e mësoi nga televizori ndërsa ndodhej në qeli. E përjetoi shumë keq duke pasur një ngarkesë të menjëhershme psikologjike. Veç stafit psiko-social të burgut u desh edhe ndihma e stafit mjekësor të institucionit, të cilët i injektuan medikamente qetësuese. Gjatë gjithë kohës ajo ka qenë në gjendje të rëndë. Veç ngarkesës psikologjike iu shtuan edhe probleme të shumta fizike, për të cilat gjithashtu mori ndihmë mjekësore, deri në mëngjes kur vendosëm ta dërgonim në shtëpi. Gjatë të premtes dhe natës duke u gdhirë e shtuna, Mulliri ka qenë në gjendje të psikologjike. Ajo ka pasur shqetësime të shumta, ndërsa stafi psiko-social, ai mjekësor dhe administrata e burgut i kanë qëndruar pranë, duke i lehtësuar sadopak dhimbjen.Kush ia dha lejen Mullirit dhe për sa kohë? Me kërkesën e burgut 325, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve vendosi t’i jepte të dënuarës Mulliri leje 12 orëshe me shoqërim. Pra, do të thotë, se ajo do të shoqërohet nga forca të policisë së burgjeve gjatë gjithë kohës. Leja nisi sot (dje) në mëngjes dhe ishte përcaktuar për të vazhduar deri në mbrëmje. Por ndërsa Mulliri ndodhej në rrugë, duke shkuar drejt fshatit të saj, vdiq në spital edhe djali i tretë, kështu që vendosëm t’ia shtynim lejen me disa orë të tjera duke i dhënë mundësinë që të përcillte në varreza edhe djalin e tretë. Në orët e vona të mbrëmjes së sotme (dje) ajo u rikthye sërish në qeli.Sa është e dënuar?Liljana Mulliri është dënuar me 25 vjet burg. Ajo deri tani ka vuajtur 5.5 vjet dhe i kanë mbetur për të vuajtur edhe 19.5 vjet burg. Gjatë kohës që ajo ndodhet në burgun 325 ka pasur sjellje të mirë. Ajo ka pasur kontakte me djemtë, të cilët i vinin për takime. Takimin e fundit me njërin prej tyre e ka pasur në muajin korrik.