Fletët, çështje e gjykatave
Zbardhja e së vërtetës së 28 qershorit duhet të respektojë gjykatat shqiptare. Aleati i Sali Berishës në qeveri, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka ritheksuar edhe njëherë dje rrugën e vetme për kompromis, e cila merr parasysh një konservim të fletëve të votimit. Duke folur nga selia e Ministrisë së Jashtme, numri dy i qeverisë ka bërë të qartë se deri ku mund të lëshojë shumica në procesin aktual të negociatave. “Ne duhet t`i respektojmë gjykatat, edhe kur na pëlqejnë, por edhe kur nuk na pëlqejnë vendimet e tyre. Kjo është demokracia”, tha ai, duke iu referuar çështjes së fletëve të votimit. Për sa u përket problemeve të tjera, Meta ka ripërsëritur vullnetin e shumicës për të negociuar zgjidhje që respektojnë maksimalisht opozitën, nga e cila sipas tij pritet vullnet real për transparencë. “Shpresojmë që kjo situatë e pakuptimtë të kalohet sa më shpejt dhe të ecet përpara... Nga ana e mazhorancës vullneti ka ekzistuar që në shtator, për ta krijuar këtë komision, për t`i dhënë Partisë Socialiste shumicën dhe kryetarin e tij, dhe për të ofruar çdo gjë që është në dorë të mazhorancës”, theksoi Ilir Meta.
#