Opozita do propozojë zgjedhjen e Presidentit nga populli
“Shqipëria ka nevojë për një President të fortë... Në tryezën e opozitës është hedhur ideja e kërkesës për zgjedhjen e Presidentit nga populli”. Kështu deklaroi dje në një debat televiziv aleati i Partisë Socialiste, Spartak Ngjela, duke zbardhur një detaj me shumë rëndësi rreth ideve që gjallojnë në tryezat e diskutimit politik opozitar. Duke iu referuar krizës politike dhe rolit të kreut të shtetit në të, ai ka vlerësuar se mungesa e një kontributi më të vendosur nga ana e Presidentit ka ardhur si pasojë e dobësimit të tij kushtetues. Për të eliminuar këtë mangësi në lojën politike ku institucionet sa vijnë e fitojnë rëndësi kryesore, Ngjela ka bërë të ditur se ideja e kalimit të një Presidenti të mandatuar nga vota plebishitare mbetet një ide që sipas gjasave do të ripropozohet nga opozita aktuale. Ky është një shans që zgjidh dilemën e çështjes së zgjedhjes së kreut të shtetit, e cila për opozitën përbën një mundësi për të marrë pjesë thelbësisht në vendimmarrjen politike të vendit. Këtu duhet kujtuar se një votë nga populli i jep kredite morale kreut të shtetit edhe si drejtues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që është ekzekutivi i pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Si ide në vetvete, ky propozim nuk është i ri, por riciklohet për herë të parë pas vitit 2006, kur ish-sekretari politik i PS-së, Ben Blushi, e artikuloi atë në funksion të zgjidhjes së problemit “Nano”, që shqetësonte asokohe selinë rozë lidhur me këtë çështje.
#