Vetëvritet 22-vjeçarja, lë një letër për familjen
Një vajzë e re, e sapomartuar, i ka dhënë fund jetës nga kushte të pashpjegueshme, duke lënë edhe një letër, ku tregon se nuk e përballon dot stresin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një fshat të Tiranës, ndërkohë që policia ka hetuar edhe për dhunë në familje, por nuk kanë rezultuar veprime të tilla. Lavdije Ahmetaj, e cila ka konsumuar helm, është ndarë nga jeta në spital, ku e kishin dërguar prindërit e saj. 22-vjeçarja ishte kthyer nga burri për të qëndruar pranë familjes, por aty ka shkruar një letër dhe i ka dhënë fund jetës. Po në periferi të Tiranës, dje ka vdekur edhe një person tjetër, i cili mendohet se ka pasur një atak në zemër nga nxehtësia.
E gjitha ka ndodhur në një banesë private në Babrru. Vajza e re kishte pak ditë që ishte kthyer nga shtëpia e burrit, që nuk është shumë larg prindërve të saj. Gjatë bisedave me të, ajo ishte e qetë dhe nuk shfaqte probleme depresioni, por çdo hamendësim ka ndryshuar ditën e djeshme. Sipas të dhënave policore, paradite janë njoftuar nga shërbimet e spitalit se një vajzë 22-vjeçare ishte ndarë nga jeta, pasi kishte konsumuar helm. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Tiranës, ku menjëherë janë paraqitur ekspertët e policisë, ndërkohë që në banesën e vajzës janë dërguar shërbimet e Komisariatit Nr. 5. Burimet policore bënë të ditur se vajza kishte lënë një letër me pak fjalë, për t’i dhënë kuptim vetëvrasjes. Duke u kërkuar falje prindërve për veprimin që kishte kryer, ajo ka treguar edhe motivet pse e bënte. “Nuk më jetohet më. Nuk e përballoj dot jetën dhe më mirë të shkoj në botën tjetër. Ju lutem mos u mërzisni për mua”, mësohet nga policia t’u ketë shkruar prindërve të saj. Më tej, policia ka marrë në pyetje prindërit, të cilët kanë treguar se ajo ka qenë e vetme në dhomë kur ka kryer këtë veprim dhe se ishte martuar prej disa kohësh, por ende nuk kishin fëmijë. Më tej, policia ka marrë në pyetje edhe bashkëshortin e saj, si dhe ka hetuar nëse vajza e re ishte dhunuar psikologjikisht, por ka rezultuar se asnjë nga këto nuk ishte e vërtetë. Në këto kushte, policia tha se ajo u vetëvra nga depresioni. Sipas të dhënave, ajo nuk punonte, por ishte shtëpiake. Ditën e djeshme, trupi i pajetë u është dhënë familjarëve për lamtumirën e fundit.
Ndërkaq, burimet policore, po nga Komisariati Nr. 5, bënë të ditur se një tjetër person ka vdekur dje.
Sipas të dhënave, bëhet fjalë për një 55-vjeçar, i cili sapo ishte kthyer nga një varrim dhe e ka lënë zemra. Musa I., 55 vjeç, i cili punonte si shofer furgonash në linjën Bathore – Zall-Herr, është ndarë nga jeta pasditen e djeshme. Grupi hetimor është njoftuar nga familjarët në Bathore dhe menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e hetimit të krimeve. Sipas të dhënave, Musai kishte qenë në një varrim. Sapo ai ishte kthyer, ishte ulur për të pirë një kafe, ndërkohë që ishte mbushur me djersë. Ka pirë kafen e më pas ka kërkuar të shtrihet, por në ato momente i ka ndodhur një bllokim dhe ka vdekur në vend. Policia tha se trupi i pajetë i tij u dërgua në morgun e Tiranës, nga ku rezultoi se ka pasur atak në zemër për shkak të nxehtësisë. Ai njihej nga banorët e zonës, pasi prej vitesh punonte me furgon.
#