E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndjekje spektakolare nëpër lagje, dy në pranga

Vlorë Të rinjtë me drogë e armë tentuan t’i iknin postbllokut

Policia e Vlorës ndalon dy të kërkuar nga drejtësia, ndërkohë që gjatë kontrollit në makinë atyre iu gjendën rreth një kg kanabis sativa, një automatik kallashnikov dhe 2 krehra me fishekë. Në momentin e ndalimit nga policia, Kasandër Tushaj dhe Ledio Hatellari nga Tirana kanë tentuar të largohen. Policia kishte ngritur postbllok në lagjen “Partizani” dhe u ka bërë shenjë të rinjve ta ndalojnë automjetin me të cilin udhëtonin, një “Benz Mercedes” me targa të Tiranës. Por ata kanë braktisur automjetin dhe kanë tentuar të largohen nëpër pallate. Uniformat blu janë vënë në ndjekje të tyre dhe kanë qëlluar në ajër për t’i trembur. Kasandër Tushajt i janë vënë prangat në moment, ndërsa Hatellari ka mundur të largohet për momentin, por është prangosur dy orë më pas. Ndërkaq, gjatë kontrollit në makinë të rinjve u janë gjetur një kg kanabis sativa, një kallashnikov dhe dy krehra me fishekë. Dyshohet se lënda narkotike ka ardhur nga fshatrat e lumit të Vlorës, ndërkohë që si destinacion mendohet se mund të kenë qenë përdoruesit vendas.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›