Fletët shtesë të votimit, debate në KQZ
bledar hoti
Ngritja e dy qendrave të reja të votimit në burgun e Kosovës së komunës Fierzë-Elbasan dhe të Fushë-Krujës shkakton përplasje mes anëtarëve të pozitës dhe opo-zitës në KQZ. Në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë do të prodhohen fletë votimi për 402 zgjedhës, ndërsa në atë të Kosovës do të ketë 282 votues.
Paraqitja e materialit nga ana e KQZ-së për ngritjen e dy qendrave dhe shtypjen e 700 fletëve të votimit nga ana e KQZ-së në Slloveni, nga firma fituese u kontestua ashpër nga ana e Partisë Socialiste, e cila theksoi se kjo mund të rrezikonte standardet e procesit të 28 qershorit. “Unë një gjë aludoj se si ka mundësi që firma sllovene realizon fletë votimi tre ditë para votimit, në një kohë që ne na është thënë ndryshe nga ana e KQZ-së. Si mund të bëhet kjo, ju zoti kryetar mund të realizohen, siç keni bërë jashtë vendimmarrjes. Unë mund të them se mund të keni porositur edhe 60 mijë fletë”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj. Ai shtoi se “nuk ka arsye të merret një vendimmarrje antiligjore veç arsyet mes manipulimit”. “Zoti Kryetar unë mendoj se ju po kontribuoni për prishjen e procesit. Kjo është e pakuptimtë, nuk arrij që ta kuptoj se si në 2009 mund të arrihet një çështje e tillë. Mund ta shoh si një çështje paniku e qeverisë apo forcës politike që është në qeveri, por nuk e kuptoj se pse ju, cili është roli i KQZ-së, thjesht për të firmosur një akt të paligjshëm. Prandaj kjo keqpërdorje e KQZ-së, për interesa nuk mund të vazhdojë. Refuzojeni se është totalisht kundër Kodit Zgjedhor”, tha Gjonçaj. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti theksoi se nuk mund të fajësohet KQZ-ja për një çështje të tillë, por pushteti vendor që nuk e ka realizuar detyrën e tij si duhet. “Ata njerëz janë të privuar në jetën e tyre, por nuk mund të thotë se duhet t’i privojmë nga e drejta e votimit”, theksoi Kosovrasti. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Ilirjan Muho kërkoi mos votimin e aktit, pasi “qeveria la pa karta 260 mijë votues, duke bërë shkelje kushtetuese, pra ka shkelje shumë herë më të rëndë se sa kjo që po ndërmerrni ju sot”. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se “të premten firma sllovene do të sjellë me avion fletët e prodhuara dhe do të shpërndahen”. “Ne do të prodhojmë 700 fletë votimi me një kosto prej 2500 eurosh. Kam negociuar me firmën dhe kemi rënë dakord paraprakisht”, theksoi Ristani. Ndërsa nënkryetarja Dëshira Subashi ka kontestuar këtë procedurë duke e cilësuar si antiligjore. “Nuk duhet të mbajmë ne përgjegjësi, por duhet të shkojë tek ato që kanë shkelur ligjin jo te ne. Për gjashtë vjet që unë kam qenë në KQZ nuk ka ndodhur asnjëherë një procedurë e tillë, të votojmë një gjë që është mbyllur me procedurë. Po hapim një precedent të rrezikshëm për zgjedhjet që pasojnë. Nuk mund të përdoret KQZ-ja me vendime antiligjore”, tha Subashi. Por pavarësisht në qëndrime të ndryshme të të shtatëve anëtarëve, KQZ-ja votoi e ndarë. Katër anëtarët Ristani, Zguri, Osmanaj dhe Shtjefni votuan pro, ndërsa Subashi, Varfi dhe Lazaj votuan kundër aktit.