E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers e Bosch: Jeni vend anëtar i NATO-s, nuk do të tolerohen praktikat manipuluese

 

BLEDAR HOTI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë apel qeverisë dhe partive politike që të realizojnë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, për herë të parë ka folur haptazi dhe në mënyrë të qartë se në këto votime duhet të ndalohen fenomenet manipulative të vërejtura në proceset e kaluara zgjedhore. Gjatë prezantimit të projektit “Unë Votoj” të akreditimin të vëzhguesve të ECA-s dhe KRIIK, Uidhers ka bërë një apel që të gjithë shqiptarët që të shkojnë të votojnë më 28 qershor. “Më lejoni që t’ju them disa fjalë votuesve shqiptarë, që do të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit. Unë i kërkoj të gjithë votuesve që të ushtrojnë të drejtën më të çmuar civile, të drejtën për të votuar dhe ju them atyre: mos kini frikë të votoni! E thënë sinqerisht, të gjithë e dimë, që zgjedhjet në të kaluarën në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare. Si anëtare e re e NATO-s, Shqipëria në këto zgjedhje duhet t’i plotësojë këto standarde. Praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më”, deklaroi Uidhers. Ambasadori amerikan theksoi se “ju e kuptoni që zgjedhjet që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mund të pengojnë perspektivën Euro-Atlantike të Shqipërisë.
Praktikat manipuluese
Diplomati amerikan në fjalimin e tij ka bërë prezente edhe ato praktika manipulative që nuk duhet të përsëriten në votimet e 28 qershorit. “Nëse dikush ju kërkon që të blejë votën tuaj, nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar, nëse dikush përpiqet t’ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes tuaj, nëse dikush ju kërkon që ju të fotografoni fletën e votimit që ai ta dijë se si ju votuat, nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë, nëse policia apo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyrë, nëse dikush përpiqet që të verë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit, ju lutem dijeni që të gjitha këto veprime janë të paligjshme dhe raportojini ato te vëzhguesit”, deklaroi Uidhers. Këto janë gjërat që nuk duhen të përsëriten në votimet e së dielës, ku sytë e gjithë ndërkombëtare janë drejtuar se si do të shkojë procesi i votimit. “Ju kërkojmë që të dini gjithashtu se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe SHBA, do të jetë duke ju vëzhguar. Këto praktika që përshkrova më sipër janë praktika të së shkuarës. Ato nuk kanë vend në botën e sotme apo në Shqipërinë e sotme. Prandaj i them qytetarëve shqiptarë: vota është e drejta e shenjtë e demokracisë, është privilegji i lirisë. Mos ia lejoni kurrkujt që të marrë këtë të drejtë nga ju. Ndërsa futeni në qendrat e votimit më 28 qershor mos harroni: Amerika është në krahun tuaj, Amerika ju mbështet. Votoni në paqe, në liri dhe pa frikë”, thekson Uidhers.
Vlerësimi për KQZ dhe transparenca
Ambasadori amerikan, duke shpjeguar numërimin paralel të votave, ka dhënë vlerësime dhe për punën e KQZ-së për përgatitjen e procesit zgjedhor. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve meriton të përgëzohet për një inkurajim të një niveli të madh të transparencës në këto zgjedhje dhe për përpjekjet e mëdha që ka bërë për ta bërë vendin gati për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Nxis KQZ që të vazhdojë të përmbushë detyrat e tij në mënyrë profesionale e të paanshme”, deklaroi Uidhers. Ambasadori theksoi se shteti që ai përfaqëson vetëm sa e financon këtë projekt dhe se të dhënat zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve do t’i japë vetëm KQZ-ja. “Numërimi paralel mbështetet financiarisht nga USAID, por numërimi paralel nuk është një numërim amerikan. Ai është një llogaritje e pavarur dhe jo zyrtare e votave të hedhura nga qytetarët shqiptarë. Rezultatet nuk duhet të interpretohen si rezultate amerikane që paraqesin pikëpamjen amerikane, pasi një gjë e tillë nuk ekziston. Numërimi paralel është një nismë e shoqërisë civile, të cilën SHBA e mbështesin plotësisht”, tha Uidhers.

Praktikat manipuluese sipas Uidhers

Nëse dikush ju kërkon që të blejë votën tuaj Nëse dikush ju bën presion që të votoni në një mënyrë të caktuar Nëse dikush përpiqet t’ju frikësojë duke ju kërcënuar me vendin e punës apo mirëqenien e familjes tuaj, Nëse dikush ju kërkon që ju të fotografoni fletën e votimit që ai ta dijë se si ju votuat Nëse dikush përpiqet që të ndryshojë një pasaportë apo të shpërndajë karta të falsifikuara që të votojë shumë herë Nëse policia apo zyrtar tjetër shfaq anshmëri në çfarëdolloj mënyrë Nëse dikush përpiqet që të verë dorë mbi kutitë e votimit apo të prekë procesin e numërimit

Celibashi
“Projekti, në dobi të zgjedhjeve”

Kreu i ECA-s, Ilirjan Celibashi, duke bërë publike projektin me KRIIK për shpalljen e rezultateve direkte në pas mbylljes së procesit të votimit. ”Synojmë që ne të verifikojmë standardin e këtij procesi, veçanërisht me atë që ka të bëjë me aspektin e numërimit të nxjerrjes së rezultatit. Projekti mbështet nga USAID dhe ka si qëllim rritjen e transparencës në procesin e numërimit të votave, informimin e vazhdueshëm të publikut dhe garantimin e besimit më të madh të tij në proces zgjedhor.”, tha Celibashi.

OSBE kërkon që KQZ-ja të marrë vendime konsensuale
Bosch: Votimet familjare dhe me celularë, rreptësisht të ndaluara

Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, e fokusoi fjalimin e tij në kujdesin që duhet të ketë KQZ-ja, partitë politike dhe policia e shtetit gjatë procesit të votimit. “Përgëzoj kryetarin Ristani, si Kryetar i KQZ-së, për punën dhe mundin e tij në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, si dhe për përpjekjet për ta orientuar procesin në ujëra të qetë. Ne i vlerësojmë përpjekjet tuaja për ndërtimin e një konsensusi në vendimet tuaja dhe mezi presim të shohim që ta arrini këtë, sidomos në lidhje me qendrat e votimit dhe të numërimit, ku rregullat e Kodit Zgjedhor do të duhet të respektohen në mënyrë të rreptë, teksa i afrohemi gjithmonë e më shumë 28 qershorit dhe periudhës pas tij”, tha Bosch. Ambasadori bëri thirrje në të njëjtën kohë që policia në votime të vazhdojë të luajë rolin e saj, duke mos u bërë palë me asnjërën. “Për sa i përket Policisë së Shtetit, mezi presim t’i shohim sërish që ajo të luajë të njëjtin rol të paanshëm dhe profesional në Ditën e Zgjedhjeve, që e luajti kaq mirë në zgjedhjet për Pushtetin Vendor të 2007-ës. Puna e tyre deri të dielën dhe në vetë ditën e zgjedhjeve do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për ndërtimin dhe ruajtjen e besimit të publikut në procesin e zgjedhjeve. Për ‘shërbimin policor’ që ajo ofron, Policia do të shihet nga njerëzit e këtij vendi si aktori që do të ndihmojë për krijimin e një klime të qetë dhe pa probleme”, theksoi Bosch. OSBE-ja nuk ka lënë jashtë rolin e partive politike në këtë proces kaq të rëndësishëm, ku vetë subjekt kanë përfaqësuesit e tyre në komisionet e niveleve të dyta dhe të treta. Sipas tij, ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për faktin se ato kanë një rol kyç për të luajtur, për të garantuar që e diela të jetë një sukses i jashtëzakonshëm dhe që shqiptarët të mund të marrin pjesë më në fund në zgjedhje që ata i meritojnë, zgjedhje që plotësojnë standardet ndërkombëtare. “Cilido qoftë, burrë apo grua, fshatar apo qytetar, plak apo i ri, punonjës i sektorit privat apo atij shtetëror, çdo votues duhet të lejohet të ushtrojë të drejtën e tij apo të saj kushtetuese në përputhje me ndërgjegjen e vet, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë presion të jashtëm. Le të mos kemi më histori votimesh familjare apo episode, ku votuesit ‘instruktohen’ që të përdorin kamera celularësh për të regjistruar votën e tyre, pasi kjo është rreptësisht e ndaluar”, tha Bosch.

Kreu i KQZ
Ristani:Transparenca, synimi ynë

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i pranishëm në këtë takim ka bërë të ditur se “e ka mbështetur projektin e paraqitur duke u shprehur se është në kuadër të transparencës së KQZ-së”. “Ne e kemi mësuar si një element shumë i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve, është mesazhi i besimit në procesin zgjedhor për të qenë proces i besueshëm, rolin kryesor e ka transparenca te procesi. KQZ-ja ka punuar për të pasur një proces sa më transparent”, tha Ristani. Kryekomisioneri bëri të ditur se edhe vetë KQZ-ja ka ndërmarrë një proces që do të shpallë rezultatin paraprak të votimit, me pamje live nga të gjitha Vendet e Numërimit të Votave. “Urojmë që KRIIK dhe ECA të jenë para nesh në dhënien e rezultateve, por përgjegjësia jonë është më e madhe në shpalljen e rezultatit. Në logjikë të çon që procesi bëhet më i besueshëm dhe do të arrijmë të plotësojmë standardet. Falenderoj USAID-in dhe Ambasadorin SHBA dhe OSBE që kanë mbështetur gjatë gjithë procesit”, tha Ristani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›