Fletëvotimet, KQZ refuzon Veliajn
Kërkesa
Përgjigjja e Ristanit është qesharake, burracake dhe juridikisht inkompetente
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzon kërkesën e G99-s, që ky institucion t’i vërë në dispozicion materialin zgjedhor apo fletët e votimit të kutive të dyshuara. KQZ-ja ka shfrytëzuar vetëm dy javë nga koha që i duhej për të kthyer përgjigje, duke dhënë edhe argumentet e saj ligjore përse nuk mund të plotësojë kërkesën e G99-s. Menjëherë pas përgjigjes zyrtare, kreu i G99-s, Erion Veliaj, tha se përgjigjja e Ristanit është qesharake, burracake dhe juridikisht inkompetente. Veliaj tha se kërkesa e G99-s është e bazuar te neni 178, pika 5, por sipas përgjigjes së KQZ-së kjo tregon se Ristani nuk ka njohuri për këtë nen. “Kërkesës sonë për t’u pajisur me një kopje të fletëve të votimit për zonat zgjedhore në Qarkun e Beratit dhe atë të Tiranës, KQZ-ja i është përgjigjur negativisht, duke iu referuar ligjit ‘Për arkivat’ dhe nxjerrë justifikimin qesharak se ‘fletët e votimit së bashku me kundërfletët digjen, pra asgjësohen’ dhe se fleta e votimit ‘në momentin aktual nuk është një dokument që ekziston juridikisht’, pasi teorikisht duhet të ishin djegur vjet, edhe pse praktikisht ruhen nga KQZ-ja fizikisht”, theksoi Veliaj. Ai i bëri me dije kreut të KQZ-së, se G99-a nuk kërkon një kopje ‘juridike’ të fletëve të votimit, por një kopje ‘fizike’ të tyre. “Nëse fletët e votimit duheshin djegur, pse nuk i ka djegur KQZ-ja ato? Nëse fletët do të ishin djegur, sigurisht që ne nuk do t’i kishim kërkuar. Sa kohë që nuk janë djegur, ne e dimë shumë mirë se nuk po kërkojmë një objekt që s’ekziston, por një bazë materiale fizikisht në dorë të KQZ-së”, arsyetoi Veliaj. Ndërkohë që kreu i G99-s vuri në dukje se “përgjigjja e KQZ-së vjen si shuplakë për negociatat mes shumicës dhe opozitës, që pritet të zhvillohen pas vetëm dy ditësh, sepse në thelb po bëhet një takim i rëndësishëm për diçka që nuk ekziston. Tryeza pa kutitë është praktikisht si sofra pa bukë”.
#