E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Bosch për tryezën

OSBE

Dje e ka pasur radhën kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, që të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Bosch, i cili ka qenë një nga faktorët aktivë në negociatat e nëndheshme për të arritur të ulë në tryezë Berishën dhe Ramën, është edhe hartuesi i draftit që do të diskutohet në këto negociata. Siç njofton zyra për shtyp e Presidentit, kreu i shtetit shqiptar “vlerësoi si shumë të frytshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si edhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Në këtë takim u diskutua për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010. Nga ana e tij, ambasadori Bosch shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi, duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›