Meidani: Propozimet e mia për tryezën
Ish-presidenti kërkon që kreu i shtetit të mund të zgjidhet nga votimi popullor
Gjykatësit e Kushtetueses të zgjidhen me më shumë se 84 vota
Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, ka propozuar publikisht dje që tryeza politike mes Berishës dhe Ramës e organizuar nga Topi të zgjerohet edhe në amendimin e Kushtetutës në një synim: zvogëlimin e pushtetit të ekzekutivit dhe rritjen e forcës së institucioneve të pavarura. Duke folur në aktivitetin e organizuar nga fondacioni “Moisiu” në lidhje me emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, ish-presidenti i Republikës ka propozuar dy pika interesante që mund të ndryshonin ligjin themeltar të shtetit. I pari ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të shtetit. Pas amendamenteve të 21 prillit 2009, Presidenti i Republikës mund të zgjidhet në raundin e tretë edhe me 71 vota, por sipas Meidanit, nëse në dy raunde nuk arrihet sukses, atëherë duhet të përcaktohet që kreu i ri i shtetit të zgjidhet nga populli. Ndërsa propozimi i dytë kishte të bënte pikërisht me objektin e takimit të zhvilluar dje në lidhje me forcimin e pushtetit të institucioneve të pavarura, ku hyn edhe Gjykata Kushtetuese. Ish-presidenti Meidani ka theksuar se rëndësia e këtij institucioni paraqet një përgjegjësi të madhe në zgjedhje, ndaj Parlamenti duhet të zgjedhë anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese me një shumicë më të madhe se tre të pestat e Kuvendit, pra më shumë se 85 vota. Meidani e ka mbështetur propozimin e tij në disa modele të njohura europiane që i kanë dhënë një fuqi institucioneve të pavarura. Thelbi i konceptit të qëndrimit të ish-presidentit ishte që të ulet fuqia e ekzekutivit dhe të forcohet roli i institucioneve kushtetuese. Sipas Meidanit, roli i Presidentit të Republikës është shumë i rëndësishëm në zgjidhjen e krizës. Ndërkaq, duke u fokusuar në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Meidani ka bërë thirrje për një proces transparent nga ana e kreut të shtetit. Ai bëri thirrje që të caktohet një grup ekspertësh shumë të njohur, të cilët duhet të vlerësojnë kurrikulat e kandidatëve që e kandidojnë veten për pjesëtarë të institucionit që interpreton ligjin themeltar të shtetit. Ish-presidenti i Republikës theksoi se grupi i ekspertëve do të duhet të bëjë shoshitjen dhe përzgjedhjen e kandidaturave në një proces totalisht transparent me pjesëmarrjen e medias në të gjithë procesin. Ndërkaq, edhe konstitucionalisti i njohur, Luan Omari, ka mbështetur zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me 84 vota nga Parlamenti. Ndërkohë, sipas ligjit themeltar të shtetit, Presidenti i Republikës emëron anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndërsa Kuvendi jep pëlqimin për to. Procedura e dhënies së pëlqimit bëhet me votim të fshehtë, por kërkon shumicë të thjeshtë votash. Përpara se deputetët të vendosin për fatin e gjykatësve, kandidatët për këto poste do të zhvillojnë seanca dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
#