Nano: Kriza është artificiale. LMN, grup me vlera
Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste rrëfen për vitet e burgut dhe situatën
Në pjesën e dytë të intervistës, në emisionin “Opinion” ish-kryeministri dhe ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, analizoi situatën më të fundit politike në vend, duke konstatuar se kemi të bëjmë me një krizë të krijuar artificialisht, por që ka zgjidhje. “Natyrisht që ka zgjidhje, e cila nuk kalon vetëm nga dialogu midis palëve, por kërkon edhe një reformë që rivendos standardet dhe institucionet e funksionimit të demokracisë brenda partive dhe palëve, që kanë hyrë sërish në konflikt. Unë e shikoj me shumë shqetësim gjendjen në Partinë Socialiste dhe si nevojë shumë emergjente ndryshimin e saj”, tha Nano. Sipas tij, PS-ja me këtë personalizim të pushtetit dhe të veprimit politik që ka krijuar konfliktin e sotëm, nuk mund të ketë frymëmarrje dhe perspektivë për t’u rikthyer në një forcë kontribuuese të zhvillimit demokratik dhe qeverisjes të vendit. Nano u ndal edhe te Lëvizja për Mendimin Ndryshe, duke vlerësuar se janë një grup mbartësish vlerash. “Nuk e shoh këtë grup si një çiban. Përkundrazi, ky është një grup bartësish të vlerave dhe eksperiencave më të vyera të PS-së dhe unë jam i sigurt që ata nuk janë të izoluar. Ndaj, do të vazhdoj t’i mbështes, si dhe të nxis zgjerimin e hapësirës, të cilin shumica e socialistëve do të veprojnë si në traditën e tyre, duke konkurruar në institucione dhe duke i mposhtur kundërshtarët me mjete demokratike”, tha ai.Nga ana tjetër, Nano i dha një përgjigje edhe pyetjes nëse ai do të vijojë të jetë i angazhuar në politikë. “Publiku i gjerë duhet të jetë i sigurt se do të takohemi shumë shpejt, edhe nëpërmjet studios suaj. Unë aty jam dhe natyrisht prisni të papriturën e radhës”, nënvizoi Nano. Ndër të tjera, ish-kryeministri foli për vitet në burg, si e priti arrestimin, marrëdhëniet e tij me Berishën, si doli nga burgu, kontaktet e tij me drejtuesit e partisë, ndërkohë që ishte në qeli etj. Në rrëfimin e tij, Nano ndalet te qeverisja socialiste, por edhe te takimet që ai ka pasur me Millosheviçin dhe Hollbrukun. Njëkohësisht Nano foli edhe për jetën e tij private, për ndarjen me bashkëshorten, si edhe për situatat që e kanë shoqëruar gjatë aktivitetit të tij si politikan lidhur me këtë çështje. “Rrethanat e jetës çuan në ndërprerjen e një marrëdhënie martesore dhe familjare, që solli në jetë dy fëmijët e mi të mrekullueshëm, apo të një familje që arriti të mbajë edhe barrën e rëndë të burgut të babait. Ndoshta një nga traumat që la burgosja në jetën time personale ishte pikërisht kjo gjë”, tha Nano.
#