E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, arrestohet si tutor një qytetar i pafajshëm

Policia kishte emrin e Alket Bytyçit në listat e të kërkuarve, por më pas u verifikua se të dhënat ishin të pasakta

Arrestohet gabimisht një i pafajshëm, lirohet pas disa orësh. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në Fier dhe policia e ka justifikuar arrestimin me faktin se nuk kishte marrë informacionin e nevojshëm nga Policia dhe Gjykata e Bulqizës. Pasditen e së mërkurës, zëdhënësja e policisë, Valbona Meço, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se uniformat blu të seksionit të personave të shpallur në kërkim kishin vënë në pranga një të kërkuar prej tetë vjetësh. Sipas zëdhënëses, 37-vjeçari Alket Bytyçi, banor i lagjes “29 Nëntori” të Fierit, u arrestua rreth orës 15.00, pasi ishte person i shpallur në kërkim prej tetë vjetësh. Zëdhënësja e policisë sqaroi se në vitin 2002, personi në fjalë ishte dënuar nga Gjykata e Bulqizës me tetë vjet burg. Konferenca për shtyp e zëdhënëses së policisë u krye afro 1 orë pas arrestimit dhe u quajt arritje e policisë lokale.
Por, që në momentin e prangosjes Alket Bytyçi ka kërkuar lirimin e tij. Në mënyrë të vazhdueshme ai u ka thënë uniformave blu se po e arrestonin pa të drejtë. Mësohet se ai ka kërkuar avokat mbrojtës dhe nga ky i fundit është verifikuar skandali i policisë. Në mbrëmje, rreth orës 19.00, Alket Bytyçi lë mjediset e policisë dhe pas lirisë përballet me informacionin e arrestimit që kishte pushtuar të gjitha mediat.
Ai është rikthyer në polici për të kërkuar sqarim. Ndryshe nga arrestimi që e shoqëroi me konferencë për shtyp, lirimin e tij policia nuk e shoqëroi me një publikim të tillë. Gjatë paradites së djeshme, Bytyçi ka marrë kontakt me të gjitha mediat që kanë publikuar arrestimin dhe ka bërë të ditur se do të kërkojë drejtësi në rrugë ligjore. Gjithashtu mësohet se ai do t’u drejtohet organeve të drejtësisë edhe për lirinë e privuar, e cila zgjati pak orë. Zëdhënësja Meço është shprehur një ditë pas skandalit, se edhe pse ishte i pafajshëm, Alket Bytyçi rezultonte në listat e të kërkuarve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›