E Hënë, 2 Nëntor 2026

Marilda Furxhi Lamë pasionin, përt’u shërbyer vjehrrave



Përpara se të takosh një aktore teatri, sepse të duket sikur do lexosh në të, tipare të mbivendosura të roleve që ka luajtur në vite. Apo në mos, pas një kohe kaq të gjatë kushtuar fëmijëve, do duken elementë nga ta. Ishte ky vetëm një parafytyrim i largët për aktorët e Teatrit të Kukullave, që në fakt rezultoi të ishte i pasaktë. Më shumë se sa për fëmijët, e gjithë trupa ishte e përqendruar në fatin e atij institucioni. Marilda Furxhi, e shoqja e aktorit Vangjush Furxhi, nuk arrinte të fliste për tjetër gjë veç se për shqetësimet që i krijonte vijimësia e teatrit, vendit ku punon si aktore kukullash prej më shumë se 30 vitesh. Skena për fëmijët, nuk është që ka qenë zgjedhja e saj kur përfundoi Akademinë e Arteve, po sigurisht që nuk i shpëtoi më pas përfshirjes emocionale me të gjitha rolet. Emërimeve të kohës nuk i shpëtonte kush, por në rastin e saj, edhe sikur t’i bëheshin të gjitha favoret, për të luajtur në skenën e Teatrit apo filmave, nuk do të mundeshe. Qysh në bankat e akademisë, kohë kur u njoh me atë, që shpejt do të bëhej bashkëshorti i saj i ardhshëm, sikur iu parashkrua fati. Pedagogu i saj, Vangjushi, e kishte krijuar emrin aq sa për të mos u diskutuar që prej të dyve, do të ishte ai që do vijonte karrierën. E vendosën heshturazi këtë, qëkurse vendosën të krijonin familjen së bashku. Ndryshe nuk mund të funksiononte. Pra skema ishte gati, fundja ajo e të gjithëve, burri do ngjiste shkallët e suksesit, gruaja do investonte, sa mundej, brenda orarit zyrtar, e mandej do priste të shoqin në shtëpi, (nëse vinte sigurisht) e do kujdesej për fëmijët. Ky ishte rasti i tyre. Ka të ngjarë të ketë qenë i ngjashëm me të shumtë të tjerë asokohe. Megjithatë, me dëshirë ose jo, sot, Marilda Furxhi, i harxhon të gjitha fuqitë që skena e saj e vogël e teatrit, të mbetet ajo që ka qenë, të paktën si dy vite më parë.
Meqenëse ju lexohet ende pa folur shqetësimi, ku konsiston, çfarë është duke ndodhur me Teatrin e Kukullave?
Së pari institucioni për të cilin më pyesni rrezikon ta humbasë këtë emërtim, nga Teatri Kombëtar i Kukullave kërkojnë ta kthejnë në Teatrin e Fëmijëve, çka është e papranueshme. Përveç kësaj, më shqetëson konceptimi strukturor i këtij institucioni. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me simotrat e këtij institucioni ndjej të lënë pas dore raportin mes konceptit të personelit artistik dhe atë të prapavijës. Nuk kam asnjë kundërshtim sa i përket rifreskimit të trupës me aktorë, por nuk mund të pajtohem me mendësitë që me këtë ngarkesë premierash, mund t’i përgjigjen vetëm një punëtor skene dhe një piktor ekzekutues, që përveç se pak, janë edhe me shkollë të mesme. është alogjizëm profesional.
Kur janë bërë këto ndryshime?
Përpara dy vitesh. Shpresojmë që sivjet, me rastin e 60-vjetorit të Teatrit të mund të rigëzojmë emrin e tij ashtu siç ka qenë. Unë jam një ndër të para artiste që kam luftuar për ligjin mbi artin gjithnjë, dhe ato që janë bërë ndër vite po ndihen tani.
Në ç’sens?
Në konceptin strukturor që i është bërë. Të eliminosh një histori 60-vjeçare që ka ky teatër, duke e kthyer atë thjesht dhe vetëm në teatër fëmijësh, që nuk ka asnjë lidhje konceptuale me atë që kanë bërë, kemi bërë, e vazhdojmë të bëjmë të gjithë ne. Me këtë rast i bëj thirrje ministrit që është treguar dashamirës për vënien në vend të disa pikave që kemi parashtruar dhe Kryeministrit, i cili pikërisht këto ditë, ka në tavolinën e punës, momentin për t’i riparuar çrregullimet e mëparshme. Besoj dhe shpresoj në dashamirësinë e tyre për t’i rikthyer identitetin e humbur teatrit.
është shqetësim kolektiv?
Sigurisht, por duke qenë që unë jam dhe kryetare e sindikatës më është dhënë mundësia që të ngre zërin, gjë që e kam bërë. Nuk ka se si ta kaloj lehtë shqetësimin për një punë, së cilës i kam kushtuar jetën. Askush nga ne nuk po kërkon as t’i rritet rroga e as të bëhemi shefa, luftojmë vetëm që ta ruajmë si zhanër.
Sa shpesh ka shfaqe teatri?
Ka gjithnjë të shtunë e të diel, ndërsa gjatë javës bëhen organizime me kopshte ose shkolla. Edhe në këtë rast duken mangësitë në mungesën e një menaxheri, i cili duhet të jetë pjesë e strukturës së institucionit. Nuk flitet vetëm për një organizator shfaqesh, por për një menaxher me koncepte bashkëkohore.
Më thoni disa role që keni luajtur në teatër?
Nga fillimet nuk i mbaj mend të gjitha rolet me mace e me minj, por disa nga më të vonët janë ‘hirushja’, ‘bishtalecat’, ‘peshku’, ‘delfini’, ‘lepurushi’ e shumë të tjerë. Arti ynë është kolektiv, sukseset dhe disfatat i kemi të përbashkëta, ashtu si dhe shqetësimet.
Ka qenë zgjedhje apo nënshtrim ndaj emërimit?
Këtu më emëruan edhe pse nuk e kisha menduar më parë që do bëhesha aktore për fëmijët.
Do të kishit preferuar filmin a skenën e teatrit me njerëz?
Po natyrisht sepse kënaqësitë e asaj skene apo të filmave nuk t’i japin kukullat.
Nuk keni luajtur asnjëherë në një film?
Kam luajtur tani së fundmi në disa filma me metrazh të shkurtër, por edhe më parë në filmin ‘Lugina pushkatarëve’.
Përjetimi i lojës me kamerën është një specifik më vete edhe pse unë në fillim e kisha pak të vështirë. Por në fund merr kënaqësi jo të vogël dhe kujton më pas përvoja pozitive.
Nga ç’duket dhe nga ç’thoni do kishit dashur ta bëni me kohë këtë punë...
Kush nxënës aktrimi që del nga akademia nuk do të donte. Por ja që gjërat atëherë ishin të vendosura. Përveç se do shkoje ku të çonin, ishin edhe arsyet familjare që të pengonin të bëje gjërat që doje. Ngarkesat e fëmijëve e në rastin tim edhe të prindërve të Vangjushit, nuk ishin të pakta, nuk mundeshe kurrsesi t’i bëje dot të dyja.
Pra ju u mënjanuat për t’i lënë hapësirë të lirë bashkëshorit?
Njëri duhej doemos të tërhiqej dhe padyshim që asokohe do ishte gruaja. Për më tepër që unë kisha parë ngarkesën artistike dhe pedagogjike të Vangjushit, talentin gjithashtu, për gjithçka ishte më i favorizuar ai për të vijuar.
Ju sapo dilnit nga shkolla, kështu që as nuk e provuat talentin tuaj...
As unë nuk e pata menduar atëherë. U bë pakti i heshtur, siç ndodhte me shumicën e grave. Duhet të mbaja unë peshën familjare që im shoq të ishte i lirë. Po as unë nuk jam treguar shumë karrieriste, sa për të kaluar këtë dëshirë mbi atë të familjes.
Vlerësova aftësitë e tim shoqi dhe gjykova që duhet të ishte, ai e jo, unë të bënte përpara.
Domosdo që një studente aftësitë e pedagogut të vet do justifikojë përpara të vetave por më vonë, i justifikonit mungesat e gjata?
Ngarkesat e tensionet shtohen, kështu që në ato kohë pesha që më kishte rënë nuk më lejonte të justifikoja kënd. Unë nuk e mbaj mend Vangjushin në shtëpi asnjë pasdite, sepse duhet të ishte në shkollë. Ditën e diel që e kishte pushim isha unë në punë, kështu që...
Fëmijët kanë marrë gjë prej profesionit të dy prindërve?
Jo asnjëri. Qoftë vajzën, qoftë djalin nuk kemi pasur dëshirë t’i ushqenim me frymën për të vijuar rrugën e artit. Duke qenë që të dy ne kemi qenë sa të kënaqur, aq edhe të zhgënjyer, kemi menduar që do t’ia vlente.
Pse të zhgënjyer?
Po të dy ne kemi qenë kritizerë në punën tonë, por edhe në vlerat e artit në përgjithësi. Vangjushi është njohur gjithnjë si kritik dhe si njeri qëndrimmbajtës ndaj mediokritetit. Në këtë drejtim ka qenë më luftarak se unë. Përveç se edhe sfera e punës së tij ka qenë më e vlerësuar se ajo e imja. Në sferën time e tillë kam qenë edhe unë dhe siç ju thashë, përveç kënaqësive të shfaqjeve, të tjerat janë shqetësime, sepse nuk është e lehtë të luftosh me konceptet e vjetra drejtuese.
Po edhe ju nga ai brez vini...
Po, por nuk më mungon interesi ndaj të rejave të kolegëve tanë kudo në botë. Janë hedhur mendësitë e vjetra. Por sado të ngresh zërin, nuk e ke të lehtë të përplasesh me drejtorë e ministra, qoftë duke i përballur, qoftë mediatikisht. Nga ana tjetër është kënaqësi të ngresh zërin për të mirën edhe pse nga ana ime nuk ka asnjë interes. E quaj mangësi intelektuale heshtjen, nuk do pranoja të strukesha në një cep e të pranoja të keqen.
Nga të gjitha këto duket sikur jeni bërë pishman?
Në kohët e sotshme po, sepse kjo punë që kam bërë asnjë vlerë materiale nuk të sjell. Përveç se dëshirat e mija përherë janë shtypur. Kam qenë studentja e Vangjushit në kohën kur u njohëm dhe ngela gjithë jetën studentja e tij. Të gjitha investimet tona kanë qenë shpirtërore, pa pasur në kthim asgjë. Të mendosh që e kemi shpenzuar jetën në shërbim të vjehrrave.
Duket sikur keni një lloj dufi?
Po është normale, sepse gjërat ecin përpara, t’i mbetesh mbrapa. Sado që të ngushëllosh veten nuk e rikthen dot kohën pas. Kërkesat e kohës sot ecin me hapa galopantë. Megjithatë me këtë frymë u rritëm ne aso kohe. Edhe tani që nuk e kam më tim shoq, unë po investoj për mbesën që t’i lë hapësirë vajzës. Sado që e gjykoj të gabuar, me këto ide jemi brumosur ne.
Vangjushi është dukur natyrë e rëndë...
Ashtu ka qenë, ka qenë autoritar dhe ka pasur jo pak nuanca patriarkale, të cilat i ka pranuar edhe vetë dhe unë ja kam pas thënë vite më vonë. Por sidoqoftë, figura e tij ngelet nga të gjithë e vlerësuar në çdo kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›