E Diel, 1 Nëntor 2026

Flota e peshkimit lëshon sinjalin “SOS”

07/03/2005  Peshkatarët, të braktisurit e të harruarit

DURRËS - Ndërmarrja e peshkimit në Durrës, është në pritje të projekteve të reja, që do të nisin së zbatuari në këtë sektor. E vendosur në afërsi të hyrjes së sheshit të trageteve, doganës dhe kantierit detar, në pjesën veriore të portit, sektori i peshkimit do të bëhet objekt i strategjisë së re në kuadër të rritjes së efektivitetit, ndërkohë që aktualisht ka përfunduar përgatitja e dispozitave kryesore, që do i paraprijnë konkretizimit të projekteve. Në kuadër të plotësimit të standarteve për sigurinë portuale, edhe porti i peshkimit do të përfshihet në disa projekte zinxhirë, ndërsa më i rëndësishmi do të jetë ngritja e portit të ri me një infrastrukturë bashkëkohore.

Janë dhjetra familje në qytetin bregdetar, të cilët mbajnë ekonominë përmes gjuetisë së peshkut, si dhe qindra të tjerë si tregtarë të tij edhe pse ky sektor në vitet e fundit është përballur me shumë vështirësi. Aktualisht, peshkatarët përballen krahas vështirësive, që u afron moti edhe me mungesën e

subvencionit të karburantit, apo ngadalësinë e subvencionit për motopeshkatoret dhe anijet, gjendjen e amortizuar të mjeteve lundruese, pasigurinë ndaj zjarrit, mungesa e bazës materiale për riparim e tyre dhe shumë të tjera të këtij karakteri, por që kanë

ndikuar drejtëpërdrejtë në vënien në provë të mbijetesës, së këtij sektori.

Projekte për porte dhe tregje

Nënkryetari i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, Besim Troplini, bënë të ditur se në molin e vogël janë të ankoruara 100 motopeshkatore, shifër kjo sa dyfishi i anijeve, që gjuanin në fund të viteve ‘80. Kjo, e ka rritur konkurencën dhe ka zvogëluar hapësirën në dispozicion të anijeve në dy urat me gjatësi 75 metra.

Gjithësesi, sipas organizatës, vështirësitë e vërteta në sektorin e peshkimit nuk qëndrojne këtu. Në zyrën modeste te stabilimentit të tij frigoriferik, Troplini shpjegon se shteti ka ndihmuar ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës së territorit të

peshkimit, por tashmë ka ardhur koha për zgjidhje afatgjata në këtë sektor. Troplini thotë se vitin e kaluar, janë përgatitur projektet për ngritjen e një porti të ri, për peshkimin në anën perëndimore të portit detar me vlerë afro 9 milion USD, ku nuk do të mungojnë edhe hapësirat për merkaton e peshkut dhe stabilimentet e përpunimit. Por, zbatimi i këtij projekti kërkon kohë dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit, në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit kanë vendosur ngritjen e një merkato, për tregtimin me shumicë dhe pakicë të peshkut në zonën e Shkozetit.

Drejtuesit e organizatës së menaxhmit të peshkimit, kanë kërkuar që në studimet e ardhshme, për ngritjen e merkatos të ftohet dhe dëgjohet edhe mendimi i specialistëve të peshkimit.

Sipas Troplinit, ngritja e merkatos brenda në qytetin e Durrësit kishte lënë jashtë vëmendjes, pikërisht mendimin e kualifikuar duke bërë, që tregtimi i peshkut aty të realizohet jashtë çdo standarti.

Flota e plakur e peshkimit

Durrësi zë 42 për qind të numrit të anijeve dhe të zënies së peshkut në shkallë vendi. Këtë vit, vetëm 74 motopeshkatore kanë rinovuar licensën e gjuetisë dhe kjo për arsyen se mosha e anijeve të peshkimit i kalon të 25 vjetët. Kjo, detyrimisht ka shtruar nevojën e ndërhyrjes së shtetit, për të mbështetur me kredi e teknologji sektorin e peshkimit.

Në vitet 1970 - 1980 anijet e peshkimit prodhoheshin në kantierin detar, ndërsa pjesa më e madhe e flotës aktuale janë blerë pas viteve ’90, kryesisht në Itali dhe në Greqi në një gjendje jo të mirë teknike.

Aksidentet e fundit, që kanë pasuar me mbytjen e motopeshkatoreve dhe të peshkatarëve kanë si shkak edhe sigurinë teknike.

Nga ana tjetër, çmimet e larta të shërbimeve në kantierin detar të Durrësit, i detyrojnë shpesh herë pronarët t’i dërgojnë motopeshkatoret për riparime në Itali, por kostoja është e madhe. Për këtë sektor, krahas programeve kombëtare të peshkimit, funksionon vitet e fundit edhe bashkëpunimi evropian, në kuadrin e projekteve Adriamed dhe Medits, të cilat synojnë njohjen dhe shfrytëzimin e studiuar të kësaj pasurie natyrore.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar në të katër portet e peshkimit në vendin tonë janë zënë mbi 1700 ton peshk, me një rritje graduale nga viti në vit. Afro 1000 mijë ton peshk është magazinuar vetëm nga anijet e Durrësit.

Ajo që mbetet shqetësim i hapur për peshkatarët është konkurenca e pandershme e importit të peshkut, si dhe nevoja e çertifikimit të stabilimenteve përpunuese.

Vështirësitë

* Konkurenca e pandershme e importit të peshku

* Mungesa e subvencionit të karburantit

* Gjendja e amortizuar e mjeteve lundruese

* Pasigura ndaj zjarrit

* Mungesa e bazës materiale për riparim

Të dhënat

100 motopeshkatore

ankoruar në molin e vogël

74 motopeshkatore

kanë rinovuar licensën e gjuetisë

9 milionë dollarë

për ngritjen e portit të ri të peshkimit

42 për qind

numri i anijeve të peshkimit në Durrës

1700 tonë peshk

u zunë gjatë 2004 në shkallë vendi

1000 tonë peshk

u zunë gjatë 2004 në Durrrës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›