E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjanica përmbyt tregun industrial të qytetit

07/03/2005  Gjatë ditës së djeshme ka rënë niveli i ujit, nga 1 metër në 20 cm

FIER - Edhe pse shpesh herë është folur nga pushtetarë lokalë, për normalizimin e shtratit të lumit të Gjanicës, për shkak të prurjeve të shumta gjatë stinës së dimrit, edhe këtë vit nuk është mundur dot t’i bëhet ballë vërshimit të saj. Ka qënë ora 19:00 e së shtunës, kur Gjanica ka dalë nga shtrati duke përmbytur tregun industrial të qytetit, ku punojnë rreth 200 tregëtarë të vegjël industrial. Vërshimi i lumit ka përmbytur tokat përreth shtratit të tij, ku për fat të mirë nuk ka asnjë banesë rrotull, veç tendave të tregëtarëve, të cilët dje nuk kanë mundur dot të punojnë, por kanë dalë së bashku me veglat e punës për të hequr llumrat dhe baltën e madhe mbetur nga ky vërshim. Në orët e para të ditës së djeshme, situata po shkon drejt normalizimit dhe niveli i ujrave ka qënë në rënie, rreth 10-20 cm nga 70-100 cm, që ka qënë qysh në mbrëmjen e së shtunës. Territori i tregut është krejt i përmbytur dhe sipas tregëtarëve duhet të kalojnë shumë ditë me diell, në mënyrë që të normalizohet gjendja. Sipas tregëtareve është bërë e mundur, që të hiqen të gjitha mallrat në mënyrë që të mos ketë më dëme të mëdha në njerëz dhe në vlerë monetare. Po ashtu, dëme materiale nuk ka pasur për fat të mirë edhe në ato pak familje, që kanë ngritur banesat e tyre buzë lumit Gjanica, kjo falë rënies së nivelit të ujërave. Gjatë ditës së dielë, tregëtarët janë kthyer vendeve të tyre të punës, të cilat janë pushtuar nga ujërat dhe llumrat e shumta të ujërave, që kishin zënë këto sipërfaqe. Duke vlerësuar problematikën e krijuar nga vërshimi i ujërave për tregëtarët, nga ana e Bashkisë është menduar që t’u vijnë në ndihmë, duke sjellë në treg mjete zjarrfikëse, në mënyrë që të pastrohet sa më shpejt këto hapësira, që janë duke u përdorur nga tregëtarët. Rastet e përsëritura të daljes së lumit Gjanica, e kanë sjellë si domosdoshmëri urgjente, jo vetëm ndërhyrjen në shtratin e këtij lumi dhe rregullimet e duhura, por edhe zhvendosjen e tregut industrial në një vend më të posaçëm me qëllim, që edhe vetë tregëtarët të mos rrinë me gjak të ngrirë në rast të rënies së vrullshme të shirave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›