E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat përmbysin Myzeqenë

07/03/2005  Bllokohen kolektorët në Rroskovec e në Seman

FIER - Kolektori i grumbullimit të ujrave Rroskovec-Hoxharë, ka shënuar prurjet e tij më të larta gjatë viteve të fundit. Përshpejtimin e kësaj situate problematike, e kanë ndihmuar edhe rreshjet e mëdha të shiut, që kanë rënë gjatë ditëve të fundit. Situata është paraqitur mjaft kritike, në zonën e Hoxharës dhe në Seman, ku hidrovori nr. 2 ka pasur probleme.

Shtabi i emergjencës në Prefekturë, i cili është mbledhur gjatë natës së të shtunës ka bërë të mundur dje, vënien në punë të hidrovorit të Semanit. Në Hoxharë e Seman, prurjet e ujrave kanë sjellë shqetësime serioze në zonat fushore. Sipas burimeve zyrtare të shtabit të emergjencës, nuk kanë munguar përmbytjet e sipërfaqeve të tokës në zona të ndryshme të qarkut dhe një nga problemet kryesore mbeten rrëshqitjet e tokës në zonat kodrinore të Mallakastrës.

Përmbytjet në zonën e Myzeqesë, tashmë, janë bërë një problem mjaft shqetësues sa herë ka rreshje të rrëmbyeshme. Por, problemi më urgjent që po ngre krye vazhdimisht, është problemi i kullimit, i cili është mjaft larg asaj që kërkohet për të shpëtuar nga përmbytja mijëra hektarë tokë. Nëse në shumë raste flitej se hidrovorëve u mungon energjia elektrike, apo gjendja e tyre e gatishmërisë, ajo që po ngre krye është se situata për kullimin e tokave të përmbytura është shumë larg asaj që kërkohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›