E Hënë, 2 Nëntor 2026

I gënjeu deputeti, protestë para prefekturës

07/03/2005  Flet kreu i komunës: Durim Hushi seleksionim politik për strehimin e familjeve të Godoleshit

ELBASAN - Më shumë se 100 banorë, kryefamiljarë nga fshati Godolesh i rrethit të Elbasanit kanë zbritur para prefekturës për të protestuar, pas lajmit të strehimit të 20 familjeve në ndërtesat e ish repartit ushtarak në NSHU dhe Mengël të qytetit të Elbasanit. Sipas banorëve familjet e strehuara nuk janë ato, që duhet të përfshiheshin në listat e emergjencës, pasi banesat e tyre, ose nuk janë dëmtuar, ose një pjesë e tyre jeton në qytet pa patur nevojë për një ndihmë nga shteti.

Dje në mëngjes, banorët kanë udhëtuar nga Godoleshi për të mbërritur përpara derës së prefekturës së Elbasanit, ku edhe protestuan.

“Deputeti strehoi sipas dëshirës së tij”, shprehen ata mjaft të shqetësuar duke kërkuar, që të bëhen publike listat e të strehuarve.

Situata ka shkuar deri atje, sa banorët janë grindur me njëri-tjetrin duke krijuar kështu një situatë shqetësuese pas hapit të deklaruar një ditë më parë.

Nga banorët akuzohet kryeplaku i fshatit, Adem Muça dhe deputeti, Durim Hushi, për ndarje të padrejtë të objektit të strehimit. Të njëjtën gjë bën edhe kryetari i komunës Labinot – Fushë, Sali Cani në një intervistë të tij për gazetën “Metropol”.

Ju, si kryetar komune, keni marrë pjesë në strehimin e 20 familjeve të para?

Në realitet jam takuar rastësisht, në ministrinë e Mbrojtjes me deputetin Durim Hushi dhe me deputetin e zonës ku ndodhet komuna Labinot - Fushë, Agron Tato, për problemin e strehimit provizor të familjeve më të dëmtuara. Tre ditë më parë kemi kontaktuar me drejtues të objekteve duke marrë konfirmimin, se do të bëhet diçka për të siguruar objektet ushtarake në shërbim të strehimit. Ndërkohë marr vesh vetëm nëpërmjet mediave se në repartet ushtrake ishin strehuar 20 familje. Nuk jemi njoftuar as si komunë për të paraqitur listat e pregatitura të familjeve më të dëmtura. Përzgjedhja e familjeve ishte bërë vetëm nga deputeti dhe nga kryeplaku i fshatit, pa marrë mendimin e komisionit të emergjencave në qark apo në prefekturë.

Pas kësaj, ju bashkoheni me protestën e banorëve?

E mbështes protestën e banorëve të Godoleshit, pasi ajo është e drejtë. Mënyra e ndarjes së këtyre objekteve ka lënë hije dyshimi te të gjithë banorët. Janë gjithsej 72 familje, të cilat jetojnë në kushte mjaft të vështira dhe që të gjithë duhen shpërngulur, por fillimisht prioritet duhet të jenë ato, që aktualisht nuk kanë shtëpi. Kur është vërejtur padrejtësi, reagimi i banorëve mbështetet edhe nga komuna. Nuk jam kundër strehimit të banorëve, por kërkoj që të ndiqen rrugët ligjore dhe jo preferencat elektorale të deputetëve. Fillimisht, duhet të strehohen emrat e parë në listë të cilët kanë humbur banesën dhe më pas të tjerët. Kjo ka udhëhequr protestën, të cilën unë e mbështes dhe do të jem me banorët deri në zgjidhjen e këtij konflikti.

Cilat do të jenë hapat, që do të ndërmerrni si pushtet lokal, pas kësaj?

Gjatë ditës së hënë do të kontaktoj me komisionin e emergjencës pranë prefekturë së Elbasanit, si dhe me komisionin e krijuar në këshillin e qarkut, mendimi i të cilëve nuk është marrë gjatë strehimit të 20 familjeve të para. Hartimi i një liste e cila duhet të jetë e pakontestueshme nga banorët, duke strehuar fillimisht ato, që janë pa shtëpi do të sheshonte konfliktin e lindur duke qetësuar kështu edhe fshatarët protestues, të cilët duket se kanë vendosur të zbresin sërisht në prefekturë për të pritur një përgjigje konkrete nga prefekti dhe komisionet e emergjencës.

Historia

Një javë më parë filloi shkarja e Godoleshit

Historia ka nisur një javë më parë, kur kryetari i komunës Labinot - Fushë, Sali Cani dhe grupi i emergjencave pranë prefekturës së Elbasanit, kanë deklaruar gjatë një inspektimi se 30 familje nuk mund të qëndrojnë më në shtëpitë e tyre, pasi këto të fundit janë dëmtuar plotësisht. Kryekomunari Cani, ka kërkuar që një grup gjeologësh të studiojnë tokën dhe dëmtimet në banesa, ndërsa prefektura ka nisur një relacion të detajuar për situatën e krijuar në këtë fshat,, i cili rrezikon të zhduket. Pas mbërritjes së grupit të gjeologëve nga institituti gjeologjik në Tiranë është përhapur edhe më tepër paniku, për rreth 1600 banorë të fshatit Godolesh. Në bazë të informacioneve të marra, gjeologët e përcaktuan zonën e Godoleshit si të rrezikshme, duke deklaruar se banorët duhet të shpërngulen nga aty, pasi nga momenti në moment mund të regjistrohen rrëshqitje të tjera.

Një ditë më pas, 20 familjet e para strehohen në objektet e repartit ushtarak në NSHU dhe në Mengël, ku ishte i pranishëm edhe deputetit Durim Hushi, i cili ka deklaruar edhe lajmin për shpërnguljen totale të familjeve nga fshati, pasi ai është përcaktuar si i pabanueshëm nga gjeologët.

Dy ditë më parë

U shpëngulën 20, në pritje edhe 260 familje

ELBASAN – Dy ditë më parë filloi shpërngulja e fshatit Godolesh në rrethin e Elbasanit. Sipas premtimeve, mësohet se rreth 280 familje të këtij fshati do të shpërngulen të gjitha, ndërsa ka filluar shpërngulja e familjeve e banorëve të parë.

Ish-godinat e repartit ushtarak, në afërsi të lagjes “Dyli Haxhire Myzyri” e njohur si NSHU, është kthyer në banesa provizore për mëse 100 banorë, të cilët kishin më shumë se një javë, që jetonin te fqinjët e tyre. Shtëpitë e këtyre familjeve janë konsideruar të pabanueshme dhe rrezik për jetën e pjesëtarëve, të cilët dje janë vendosur në këto godina të braktisura.

Deputeti Durim Hushi, ka deklaruar se në ditët në vazhdim, familje të tjera do të sistemohen në repartin në afërsi të Kishës së Shën Thanasit, ndërsa po kërkohen ambiente të tjera për të shpërngulur të gjithë fshatin nga kjo zonë.

280 familje

të kërcënuara nga rrëshqitjet

1600 banorë

të kërcënuar nga rrëshqitjet

20 familje

shpërngulen nga fshati

100 banorë

shpërngulen nga fshati

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›