E Diel, 1 Nëntor 2026

“Flotës tonë sot i kanë lënë detyrat e shërbëtorëve”

Autori i Lajmit: Denisa KONAvijon
-Si vepronit kur shihnit anije të huaja në ujërat tona?
Kur na caktonin detyra që të verifikonim anijet që hynin në ujërat tona, i ndalonim, u merrnim të dhënat. Mbaj mend peshkatarë të huaj, që vinin peshkonin në ujërat tona.
-Pra, bëhet fjalë për mjete lundrimi jo-ushtarake…
Patjetër. Anijet luftarake nuk hynin në ujërat tona, nuk bënin thyerje të tilla, nëndetëset edhe mundet. Ka ndonjë rast me anijet amerikane, por ky ishte një provokacion. Këtë rast e mbaj mend, kanë qenë dy anije. Por anijet tregtare kanë bërë herë pas here shkelje të ujërave tona. Kjo ndodh në të gjitha vendet. Përshembull, në një port Izraelit para disa ditësh kapën një anije libaneze që transportonte armë nga Irani. Kontrabanda ka ekzistuar gjithnjë dhe rreziku ka qenë në çdo kohë. Se vërtet brenda Shqipërisë nuk kemi pasur kontrabandë armësh, por rreziku që kontrabanda të zhvillohej përmes ujërave tona, ka ekzistuar. Me vigjëlencën e lartë ne jemi bërë pengesë e pakapërcyeshme për këtë lloj kontrabande, edhe pse atëherë nuk flitej. Anijet tona luftarake kanë penguar çdo lloj veprimtarie keqbërëse, edhe pse disa mund të mendojnë, “ju e bënit kot këtë punë“. Por mjafton tju them faktin, që janë bërë mbi 500 e ca zbarkime diversioniste në bregdetin shqiptar nga agjenturat e huaja. Nuk do ta pranoja idenë, se miqësia mes shteteve e bën të panevojshme vigjëlencën. Diku kam lexuar se sa më shumë forcohet miqësia midis dy shteteve, aq më shumë forcohet puna e shërbimit informativ të këtyre shteteve. Pra, nuk ecet me mendimin që nuk ka luftë. Përderisa ekzistojnë armët dhe përderisa vendet mbajnë ushtri, investojnë për armatimin dhe përderisa shtetet kanë shpesh interesa të kundërta, rreziku për luftra gjithnjë do të ekzistojë. Bota nuk është civilizuar mjaftueshëm për të zgjidhur çdo problem në paqe.
-Flota detare ka marrë detyra me një theks të ri sot. Kur ka qenë më efikase flota detare shqiptare, dje apo sot?
Flota jonë është kjo që është me këto kushte që ka. Nuk pretendoj më, që ne të kemi një flotë shumë të rëndë, por duhet të kemi një flotë të lehtë dhe efikase që ta ndjejmë veten zot në shtëpinë tonë. Kjo është e domosdoshme. E paska marrë përsipër sipas detyrave të NATO-s të mbrojë hapësirën tonë ajrore Italia! Kjo nuk është normale. Pse të mos e marrim ne përsipër mbrojtjen tonë vetë? Unë nuk them se me aviacionin që kemi patur, mund të përballonim këdo, por ne do të bënim të mendohej këdo që do të merrte iniciativën të sulmonte, pasi nuk do të ishim një kockë kaq e lehtë.
-Duke e lënë mbrojtjen në dorë të të tjerëve, ndoshta ne jemi inferiorë tashmë nga pikëpamja ushtarake dhe ky lloj inferioriteti prodhon inferioritet edhe në të tëra llojet e marrëveshjeve. Nëse mbrojtjen ia ke lënë në dorë dikujt tjetër, ai të thotë: “Nga mua e ke mbrojtjen? Ok, tani të gjitha gjërat do ti bëjmë si më pëlqen mua”
Ne kemi hyrë në një partneritet shumëkombësh ushtarak ku secili jep pjesën e tij aq sa mundet. Natyrisht ne do të japim më pak se shtetet e mëdha, por kam idenë se detyrat që na janë caktuar ne si Flotë sot, janë detyra prej shërbëtorësh, përshembull, të luftojmë kontrabandën. Pra, na janë lënë detyra të dorës së dytë. Ka përshembull bota shqetësim luftën kundër terrorizmit apo fenomenin klandestin? Tani këtë detyrë ia lënë Shqipërisë ta bëjë. Ngaqë jemi të vegjël, na kërkojnë në llogari për klandestinët që kalojnë përmes Shqipërisë në Itali, por ai klandestini më parë se të mbërrinte tek ne, ka kaluar nëpër shtete të tjera të cilave nuk u është kërkuar llogari. Na bëjnë fajtor për një refugjat egjiptian përshembull, që ka kaluar nga Turqia, Bullgaria, Maqedonia, nuk erdhi me parashutë këtu.
-Pra, ju jeni i pakënaqur se flota jonë luftarake nuk po merret me detyrat e mbrojtes kombëtare…
Thashë, kjo situatë nuk është normale. Ne kishim katër nëndetëse, unë e di se ato janë një barrë shumë e rëndë, sepse edhe gjastë kohës kur kishim flotën e rëndë, ne kishim probleme për gatishmërinë teknike të nëndetëseve. Tani ne e kemi ndryshuar kursin, por në mos katër, së paku dy nëndetëse duhet ti kishim mirëmbajtur, që të mos shkatërroheshin. Të kishim bërë marrëveshje me një shtet, duke i dhënë dy nëndetëse atij e duke përfituar riparimin e dy të tjerave prej tij. Kurse tanil ato kanë mbaruar krejt. Nuk është e saktë se këtyre nëndetëseve u mbaroi afati dhe u amortizuan menjëherë. Ato kishin probleme me batëritë apo me aparaturat e presionit të lartë, dhe këto mund të ndreqeshin. Nëndetësja ka një gjë: Jetëgjatësia e saj varet nga sasia e zhytjeve dhe thellësia. Nëndetëset tona nuk kishin sasi të madhe zhytjesh. Trupi i fortë i nëndetëseve ka qenë deri në fund brenda parametrave, por kishte disa dobësi tek birrat jashtë bordit. Këto mund të rregulloheshin sikur të uleshim qoftë edhe me Turqinë. Kjo mund të bëhej që në 91-92.
-Po gjendja e katrasiluruesve cila është?
Kanë dalë jashtë përdorimit, janë lënë të hedhur në mëshirë të fatit. Ata ishin të shkëlqyer, por nga 42 katrasiluruesit, sot nuk ka mbetur “gjallë” asnjë. Në një revistë italiane Maritimo, revistë ushtarake, andej nga vitet 80 kam lexuar një artikull shumë interesant, ku flitej për një kapiten të zbulimit të flotës italiane. Midis të tjerave ai fliste edhe për flotën shqiptare. Ai vlerësonte shumë mbrojtjen tokësore, veçanërisht tanket. “Në bregdet, gjithë anijet e flotës shqiptare janë të afta për të kryer detyrat për ruajtjen e regjimit operativ, ndërsa katrasiluruesit janë një forcë e tmerrshme”. Pra, kapiteni italian e vlerësonte forcën tonë.
Ne i nxorrëm nga përdorimi avionët MIG. Ndërsa Sadam Hysein kishte dërguar në Jugosllavi mbi 30 avionë të këtij tipi. Qeveria irakene po kërkon që ti kthehen. Nëse këta avionë nuk bëjnë, pse i do qeeria irakiane? Po ne si shqiptarë,përse nuk i deshëm më?

Shkolla Skënderbeg nxorri oficerë patriotë, jo jeniçerë

“Kishim mundësi të organizonim grusht shteti, por nuk qëlluam kundër shqiptarit”

Komandanti më jetëgjatë i Flotës Detare Shqiptare, është frut i kësaj shkolle të njohur, që njihet me emrin “Skënderbeg”. E njohur, po aq sa edhe e përfolur dhe e anatemuar. Kundëradmirali Ndue Jaku ndjen nevojën ta marrë në mbrojtje emrin e kësaj shkolle, ndërsa e quan atë një nga shkollat më të mrekullueshme të vendit për përgatitjen e specialistëve të ushtrisë. “Nuk mund ta përfytyrosh një oficer shqiptar, pa këtë shkollë. Më vjen keq kur dëgjoj sot etiketime të tilla për këtë shkollë, si shkollë jeniçerësh. Jeniçerët i kemi tani, kur djemtë e rinj në vend të mbarojnë shkollën këtu, i çojmë në Turqi. Kurse ushtria jonë, kuadrot e saj, i shërbyen atdheut, asnjë vendi tjetër. Madje, betimi që kishim bërë ishte kaq i fortë, saqë nuk na lejoi të ngrinim dorë kundër popullit kur u ndryshua sistemi, edhe pse bindjet tona mund të qenë të tjera. Ne e kishim forcën ushtarake dhe kur të duash mund të organizonim grusht shteti. Por nuk e bëmë. Këta oficerë ishin të përgatitur që në kokën e tyre që të mbronin lirinë e vendit të tyre. Ne, si njerëz të sakrificës dhe të devocionit ndaj atdheut, u nxorrëm në rrugë nga reforma dhe u lanë edhe pa sigurime shoqërore 15 vjet.”

Familja

Në 12 vjet, vetëm 2 vjet kam ndenjur me familjen
Me familjen, komandant Ndue Jaku nuk u ngop kurrë dhe nuk u çmall kurrë. Sa stabilizonte familjen pranë vetes, e transferonin sërish. Fëmijët dhe gruaja e shihnin më shumë nga fotografitë kryefamiljarin. Vetë Ndue na tregon se kështu nisi jeta e tij, që nga dita e parë e martesës. “Gjatë kohës që kam qenë Sazan, isha i fejuar. Pasi u martova, në kohën që përgatitesha për të marrë shtëpi, më transferuan në Vlorë. E vërteta është që kam bërë shumë lëvizje nga Sazani në Vlorë, nga Vlora në Sarandë, nga Saranda në Shëngjin, nga Shëngjini në Tiranë. Llogarit që në 12 vjet i martuar, vetëm 2.5 vjet kisha qëndruar pranë familjes. Sepse lëvizjet kishin probleme me strehimin, sa të emëroheshe diku, do të rrije 1-2 vjet pa shtëpi, sa të gjendej. Pastaj, edhe shërbime kishim shumë. Kam bërë një llogari se edhe gjatë kohës së qëndrimit në Vlorë, 52.7% të kohës, ishin shërbime.

Shërbime të tjera

Nuk është e vërtetë se nuk kishim harta. Flota i siguroi
“Flota kryente detyra të rëndësishme edhe në ndihmë të ekonomisë popullore. Përshembull, ne kishim një shërbim hidrografik, që ka bërë studime edhe në fushën e bujqësisë.Shërbimi hidrografik përcaktonte se në çdrejtime deti i merte pjesë tokës dhe ku i merrte toka pjesë detit. Por kemi patur edhe detyra të tjera. Flota është marrë edhe me problemet e hartogtafisë. Në Gjirin e Durrësit është bërë një studim i plotë, një hartë- plan 1;30 000. Më vjen habi kur diskutojnë sot për çështjen e kanalit të Korfuzit, se nga Sazani deri në jug nuk paskemi pasur harta detare! Ne kishim harta 1 me 300 mijë botim rus, ndërsa shërbimi hartografik bëri një hartë 1 me 100 mijë, që është hartë shumë e përdorshme për lundrim. Por kishte një “difekt”, sepse kjo hartë kishte të azhornuar gjithë pjesën e bregdetit me të dhënat e reja, që i kishte siguruar nga shërbimi harto-grafik dhe topografik shqiptar, ndërsa pjesën e detit e kishim me të dhëna të vjetra, për arsye se bregdeti shqiptar në pjesën e Jugut nuk ka lëvizje, janë thellësi të mëdha, toka është shumë e stabilizuar. Pra, kjo hartë ka ekzistuar dhe unë habitem që thonë se nuk paska ekzistuar,për të dalë përpara delegacionit grek me të.”

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›