E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju tregoj ditët kur mbronim me xhelozi ujrat tona territoriale

Autori i Lajmit: Denisa KONANjë ish-Kapiten i Flotës Detare Shqiptare, një nga ata që mund të quhen të fundit e Mohikamëve, kundëradmirali Vladimir Beja ka pasur fatin ta drejtojë këtë gjigand në dy periudhat më të vështira: Në vitet 90-92 kur u ndryshua sistemi, pra kur Flota do të mbante qëndrim ndaj proceseve demokratike dhe në vitet tragjike 97-98, kur nisi plaçkitja. Djaloshi që do të mbaronte me medalje ari Akademinë e Marinës në Vlorë e që më pas do të provonte përgjegjësitë si komandant anijeje, komandant reparti, anëtar shtabi dhe më pas shef shtabi i Flotës Detare Luftarake, rrëfen jetën e tij prej detari, që është një copëz e historisë së Flotës Detare Luftarake Shqiptare. Copëza e lavdisë së saj.

-Si nisi jeta jote me detin? E kishit ëndërruar detin?
Unë kam ndjekur shkollën e Marinës të cilën e kam mbaruar në 1974-n, pasi kisha kryer më parë Politeknikumin 7 Nëntori. Vajtja në akademi për të qenë i sinqertë nuk ka qenë si dëshirë, sepse ne atëherë nuk zgjidhnim shumë gjëra. Unë kam lindur në Tiranë, nuk kam patur tradicionalisht ndonjë lidhje me detin. Si gjithë populli shqiptar, kemi qenë më shumë të lidhur me tokën.
-Na paraqitet si figurë romantike kapiteni i anijes, si personazh në romanet apo filmat e fëmijëve. Në fakt, e gjetët romancën në këtë profesion?
Ka një shprehje që thotë: Aventurën mos e kërko, por po të gjeti, çoje deri në fund”. Dhe jeta në det, është në fakt një aventurë. Por, të them të drejtën, unë nuk e kërkova këtë profesion, Akademinë e Marinës, ajo më gjeti mua. Dhe iu futa kësaj rruge, në një moshë kur njeriu nuk i di peripecitë e mëpastajme. Eshtë në natyrën e njeriut, që vendimet më të rëndësishme i merr në moshën kur nuk është shumë i pjekur dhe nuk ka strategji të caktuar për jetën. Kështu, mua më ka qëlluar që të shërbej në vite të vështira: Jam emëruar oficer në Sazan në 74-n dhe jam larguar prej andej në 86-n bashkë me familjen dhe dy fëmijët që më kanë lindur atje. Romancat letrare përputhen me të papriturat e detit.
-Sa vjet pune ju bëhen në det?
Më bëhen 31 vjet.
-Është penduar ndonjëherë gruaja, që u martua me një detar? E dinte se çfarë jete e priste?
Fakti që ajo erdhi me mua, la Tiranën dhe ndenji në Ishullin e Sazanit, flet më shumë se fjalët. Ne ishim njohur që në shkollë të mesme, ajo ishte dy vjet më e vogël se unë. Por njohja e asaj kohe ishte thjesht simpati. Megjithatë nuk qe e vështirë të transformohej në dashuri vite më pas. Dhe është më shumë meritë e saj sesa e imja, që erdhi me mua në Sazan, unë e vlerësova shumë, sepse ishte një përkushtim ndaj dashurisë, pasi nuk ishte e lehtë të lije Tiranën e të shkoje në Sazan.
-Duke u kthyer tek aventurat e kapitenit mbi det, cilat mbani mend si momentet më kritike që keni kaluar?
Deti është shumë i bukur, por është tamam një aventurë. Nëse do që të bëhesh besimtar, shërbe në det 6 muaj, sepse nga vështirësitë ku gjendesh, rrugëdaljet dhe ndihmën do ti kërkosh tek të gjitha Perënditë, të detit e të qiellit. Dua të them, se i gjithë lundrimi është një gjendje e vazhdueshme rreziku.
-Pse rrezikohet jeta në det?
Ke të bësh me një shtëpi pa themel. Anija në vetvete është një shtëpi, që nuk e ka themelin dhe një lëkundje e lehtë, menjëherë tronditet në sigurinë e saj. Që në momentin që shkëputesh nga toka, nuk e ke që prej fillimit më këtë siguri.
-A ka nga ata që shkëputen nga Marina, nga frika e detit?
Nuk është vetëm frika, ekziston edhe sëmundja e detit. Ajo që quhet, e zë deti. Zënia e detit ka të bëjë me elemente fiziologjike, ka të bëjë me veshin e mesëm. Kur lëngu është shumë i hollë, lavjerësi tundet shpejt. Stërvitja bën që të të zërë më pak, por ata që i zë, i zë. Edhe pse eksperienca të mëson të përballosh këtë zënie nga deti dhe fiton elementë experience. Sot kanë dalë disa preparate që i vë tek veshi dhe të bllokojnë lëkundjen e lëngut të veshit të brendshëm (kërmillit).
-Cili ishte moment i parë, kur u vutë në provën që të sfidonit detin?
Prova e parë ishte kur u bëra komandant anijeje, kur mu besua autonomia e lundrimit. Kur të besohet drejtimi i anijes, të është besuar jo thjesht anija si mjet, por jetët e të gjithë marinarëve të cilët të shikojnë në dritë të syrit. Atëherë e kupton se çfarë peshe qenka kjo! Ka një shprehje në marinë, “Askush nuk është perfekt, me përjashtim të kapitenit”.Sepse vendimmarrja është vetëm e kapitenit dhe fatet i bën ai.
Do tju tregoj një episode. Isha student, bënim praktikë. Po mbaja timonin. Komandanti, i ndjeri Xhevdet Gashi ishte shumë i rreptë, bërtiste, krijonte një situatë terrori në ekuipazh, por pas këtyre dukjeve, fshihej një njeri shumë i mirë. Unë po e ngacmoja në teori, duke parë që ishte njeri i rreptë. Njëherë, duke udhëtuar natën, shikoj drita në një anije, i them: Kapiten, më duket se takohemi në një pikë me të (është një moment që jepet në teori, që kur nuk ndryshon kënd, takohesh në një pikë me të). Në det është shumë i rëndësishëm vizualiteti. Mund të kesh aparatura si të duash, por duhet të kuptosh se çfarë përfaqësojnë ato dy drita që sheh larg, çfarë po bën anija tjetër. Radarët nuk e zgjidhin tërësisht. Një anije mund ti fikë dritat, ose mund ta shohësh në radar objektin, por njeriu sigurohet kur e sheh me shqisat e tij. I them kapitenit, “Më duket se…”. “Hajde vazhdo mba kursin, më thotë ai. I them: Kapiten, të lutem, shihe edhe njëherë”. Ai më shtyn mua, ktheu timonin rrëmbimthi dhe devijoi kurs. Kur u qetësua situata, unë i them: Kapiten, unë të thashë, por ti nuk doje të më besoje”. Ai më thotë: “Nuk të ka hyrë kripa në b…ty që të të djegë. Vetëm atëherë do ta besosh, Dhe unë vërtet e besova atë, vetëm kur u bëra vetë si ai, komandant anijeje. Është krejt tjeter kur je dhe kur nuk je, se nuk e ke përgjegjësine e atyre që mendimeve që jep.
-Cilat kanë qënë ditët më të vështira për flotën detare shqiptare, nëse ka patur?
Ka patur padyshim. Flota luftarake detare ka patur ditët e mira dhe të këqija të saj. Ka patur bashkë me përmirësimet teknologjike, që janë të rëndësishme për sigurinë, edhe bazën ekonomike. Një anije është konsumatore shumë e madhe dhe për ta mbajtur mirë, kërkon bazën ekonomike të vendit. Do të thosha që deri në vitin 80, Flota Shqiptare ishte jo vetëm dinjitoze, por edhe konkurruese në Mesdhe, po të kemi parasysh numrin e popullsisë dhe sipërfaqen e ujërave territoriale.
-A i ka pasur flota jonë tërësisht nën kontroll ujërat tona?
Absolutisht po. Sepse ishte flota e një prej shteteve më hermetik, më xheloz, që në mënyrë skrupuloze i ka mbrojtur ujërat e tij,
-A kishte bazë reale gjithë ky fanatizëm, kjo frikë dhe përkujdesje, që kërkonin këtë angazhim të madh ushtarak nga uji, me kosto të lartë ekonomike?
Flotës i vihet detyrë nga shteti, flota ka për detyrë të zbatojë urdhrat, jo ti diskutojë. Edhe këto veprime duhen parë në kohën e duhur, në elementet strategjitke që kishte në atë kohë shteti shqiptar.
-Ju keni qenë protagonist në njërin nga incidentet më të rrallë ushtarak, kur një nëdetëse e huaj arriti të shfaqet në Gjirin e Vlorës. Çmund të na thoni për këtë ngjarje historike?
Pë mua, kjo është një nga ngjarjet më të mëdha dhe mban në kalendar datën 13 tetor 1981. Kishim të bënim me një provokacion të rëndë ushtarak nga një nëndetëse e huaj. Kjo është një histori shumë e gjatë. Por dua të them me dy fjalë, që me gjithë sigurinë që i bënim kufijve, kemi patur një shkelje flagrante, kur një nëndetëse e huaj, arriti të depërtonte në Gjirin e Vlorës. Kjo nëndetëse u zbulua, u mbajt nën kontroll, u kërkua që të qëllohej mbi të (në atë kohë kam qenë komandant reparti), por urdhri u dha me shumë vonesë, kur ajo nëndetëse po na ikte. Dhe faktikisht na iku
-Nga cili vend ishte kjo nëndetëse nëse mundët ta identifikoni?
Nuk e identifikuam dot. Edhe sot që ka ndryshuar sistemi, nuk ka informacione të sakta se cila nga palët e çoi. Ne mbetemi në dyshimet tona.
-Cili mund të ketë qenë sipas jush, qëllimi i kësaj nëndetëseje të huaj?
Në atë kohë politika e lidhi me një ngjarje që ndodhi pak ditë më pas, kur më 18 dhjetor të vitit 81 vrau veten Mehmet Shehu, kryeministri i atëhershëm. Politika i lidhi këto dy ngjarje. Por ka qenë një situatë vërtet shokuese. Janë bërë analiza pa fund dhe unë jetoja për pak muaj midis heroit dhe atij që nuk arriti ta asgjësojë nëndetësen. Dua të theksoj se ne në atë kohë, ishim si kamikaze, nuk e shangnim rrezikun. Askush nuk e di se çfarë do të sillte përplasja me atë nëndetëse misterioze…

Akademia e Marinës në Vlorë

Që pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe daljen nga Traktati i Varshavës, shteti shqiptar u izolua tërësisht, u bë hermetik. Pas kësaj prishjeje, studentët nuk po dërgoheshin më në BS, por në Akademinë e Marinës që u ngrit në Vlorë në vitin 61, në të cilën të gjithë pedagogët që jepnin mësim, kishin mbaruar në BS. Unë jam oficeri i parë madhor si shef i shtabit të Flotës, produkt i
Akademisë Shqiptare dhe jo i shkollave të huaja. Kjo akademi ka një shans të madh, për tu rregjistruar ndër një nga akademitë më të suksesshme të botës, sepse për gati 40 vjet, nuk u mbyt asnjë anije, as luftarake, as tregtare. Dhe kjo është e lidhur ngushtë me elementë të aftësisë, të kuadrove, të stërvitjes dhe të disiplinës.

Gafat në heqjen e gradave

Kundëradmirali i Flotës Shqiptare në një periudhë të historisë së saj, Vladimir Beja, i cili mbante në spaletë yllin e verdhë të Gjeneralit, tregon një nga gafat më të mëdha të bëra ndonjëherë nga Shqipëria, heqjen e gradave në ushtri. “Në 66-n, u hoqën gradat dhe ne kishim vetëm funksion,- tregon ai.- U hoqën duke thirrur në ndihmë përvojën kineze, për ti bërë të gjithë njësh, të barabartë, ushtarë e oficerë. Ndërkohë që oficeri duhet të ketë një pamje të veçantë edhe në sytë e popullit e të ushtarëve, që të ngjallë besim dhe siguri. Spaletat u hoqën dhe u vunë shumë vonë, në 91-shin. Kinezët që na i hoqën ne, për vete i rikthyen shumë më shpejt gradat.” Gradat në Marinë fillojnë nga Leitnant deri në Admiral i Flotës. Nënoficerët kanë ndarjet e tyre.

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›